LAJMI I FUNDIT:

Greqi, rritje e papunësisë

Greqi, rritje e papunësisë

Parashikime tepër negative për sa i përket të ardhmes së tregut të punës rezultojnë nga një sondazh i konfederatës së përgjithshme të tregtarëve dhe industrialistëve grekë.

Sipas të dhënave që publikohen pasi janë marrë në pyetje mbi 830 biznesmenë grekë, vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në bizneset e mesme dhe të vogla, kanë humbur vendin e punës për shkak të krizës, 85 mijë vetë.

Pritet që deri në fund të këtij viti, kësaj liste t’i shtohen edhe me shumë se 100 mijë persona të tjerë.

Gjithashtu nga ky sondazh rezulton se mbi 20% e këtyre bizneseve kanë shkurtuar personelin e tyre dhe pritet që po kaq të tjera, të hedhin në rrugë shumë punonjës në muajt e ardhshëm.


Ndërkaq 9 deri në 10 biznese ose i kanë ruajtur ose kane ulur çmimet e produkteve, ndërsa 72% e tyre deklaron se ekziston një rënie e madhe e shitjeve.

Po kështu 3 ndër 4 operacione tregtare thonë se kanë mungesë likuiditeti, ndërsa 47,5% e tyre vlerëson se do të pakësojë kërkesat ndaj furnizuesve me lëndë të parë në këtë gjashtëmujor.

Këtij realiteti negativ dhe parashikimeve të zymta për të ardhmen i shtohet edhe pasqyra negative e sektorit të bujqësisë.

Viti 2009 cilësohet si viti më i keq i dhjetëvjeçarit të fundit, përderisa të ardhurat e bujqve u pakësuan me 14.5%, ndërsa papunësia u rrit në mbi 16%.

Është karakteristik fakti se përveç krizës globale, rreth 60% e grekëve bëjnë fajtorë për gjendjen ekonomike, periudhën e stërzgjatur zgjedhore dhe destabilitetin politik në vend që rrjedh nga fakti se ende nuk është përcaktuar në se do të ketë ose jo zgjedhje të parakohshme parlamentare. /Telegrafi/tch/