LAJMI I FUNDIT:

Grekët s’duan të dalin nga Eurozona

Grekët s’duan të dalin nga Eurozona

Shumica e grekëve duan që Athina të arrijë një kompromis me huadhënësit ndërkombëtarë për të shmangur daljen nga Eurozona. Ky është rezultati i një ankete të fundit, në prag të një takimi të sotëm të ministrave evropianë të financave për të diskutuar paketën e reformave propozuar nga qeveria greke. Ndërkohë kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ajo do që Greqia të qëndrojë në Eurozonë.

Rezultatet e anketës dolën sot para takimit të ministrave të financave në Bruksel për të diskutuar reformat e propozuara nga Greqia javën e kaluar në përpjekje për të bindur partnerët evropianë për të autorizuar më shumë fonde dhe për të parandaluar falimentimin e bankave.

Kreu i grupit të ministrave të financave të Eurozonës ka thënë se plani i reformave ishte “i vlefshëm” por duhet të analizohet nga kreditorët e vendit.


Rreth 69.6 për qind të grekëve thonë se qeveria e re majtiste e vendit duhet të përpiqet për një “kompromis të denjë” për zgjidhjen e krizës, sipas një ankete të gazetës Efimerida Ton Syntakton.

Të pyetur nëse mendonin se Greqia do të falimentonte, 50.4 për qind e të anketuarve thanë “po” ndërsa 45.5 për qind thanë ky rrezik nuk ekziston.

Dhe mbështetja për Syrizën vazhdon të jetë e fortë. Vetëm 27.4 për qind të të anketuarve donin që Greqia të refuzonte kompromisin, edhe nëse kjo do të nënkuptonte daljen nga Eurozona dhe kthimin tek përdorimi i Dhrahmisë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se do që Greqia të vazhdojë të qëndrojë në Eurozonë. /Telegrafi/