LAJMI I FUNDIT:

GLPS: Numër i vogël i lëndëve të zgjidhura për krim të organizuar

GLPS: Numër i vogël i lëndëve të zgjidhura për krim të organizuar

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka prezantuar një analizë ku del se Prokuroria Speciale ka ngritur numër të vogël të lëndëve për krim të organizuar. Kurse, gjykatat e Kosovës kanë arritur të zgjidhin numër të vogël të lëndëve të kësaj kategorie.

Kështu u tha në në një konferencë për medie të GLPS-së lidhur me “Trajtimi i rasteve të Krimit të Organizuar nga Prokuroria dhe Gjykatat Themelore të Republikës së Kosovës për periudhën qershor 2019-gusht 2021”.


“Drejtësia Sot përmes këtij hulumtimi ka analizuar bazën ligjore për ndjekjen e veprës penale të krimit të organizuar, pastaj të dhënat statistikore të gjykatave dhe prokurorive në luftimin e kësaj dukurie, e deri tek sfidat e këtyre institucioneve në trajtimin e këtyre lëndëve. Gjatë analizimit të tyre vëmendje e veçantë u është kushtuar efikasitetit të institucioneve të drejtësisë në zhvillimin e hetimeve dhe gjykimin e rasteve të krimit të organizuar, pastaj efektin e pandemisë COVID-19 në procedimin e rasteve të tilla penale, e deri tek mangësitë ligjore të aktakuzave dhe aktgjykimeve të gjykatave”, thuhet në komunikatë.

Rreze Hoxha-Zhuja nga GLPS tha se nga periudha qershor 2019- gusht 2021, Prokuroria Special ka ngritur numër të vogël të aktakuza për krim të organizuar. Sipas saj, janë dorëzuar vetëm 10 vepra penale, ku numri më i madh i tyre lidhen me narkotik. Ndërsa, gjykatat nga gjithsej 60 lëngë ka zgjidhur vetëm 5 lëndë gjatë vitit 2019.

Rinon Arifi po ashtu nga GLPS, tha se pandemia COVID-19 ka kufizuar në masë të ndjeshme punën e institucioneve të drejtësisë, përfshirë edhe gjykatat. Po ashtu, procedimi i rasteve të krimit të organizuar ka vërejtur se ato nuk përshkruajnë qartë veprimet inkriminuese të të akuzuarve.

Nga analizimi i këtyre aktakuzave Drejtësia Sot ka gjetur se:

1. Gjatë periudhës qershor 2019 – gusht 2021, Prokuroria Speciale (PSRK) ka ngritur një numër të vogël të aktakuzave për krim të organizuar. Në gjykatë janë dorëzuar vetëm 10 aktakuza për këtë lloj të veprës penale. Drejtësia Sot gjithashtu ka vërejtur se numri më i madh i aktakuzave të ngritura nga PSRK është ngritur për veprat penale që lidhen me narkotikë. Pra gjatë periudhës raportuese, PSRK luftën e saj ndaj krimit të organizuar e ka fokusuar më shumë në lëndët narkotike dhe veprat penale që lidhen me këto lëndë.

2. Drejtësia Sot duke analizuar numrin e rasteve të trashëguara, të pranuara dhe ato në punë në gjykatat e Kosovës, vëren se gjykatat kanë arritur të zgjidhin një numër tejet të vogël të rasteve të krimit të organizuar. Përgjatë gjashtë mujorit të dytë të vitit 2019 (janar – qershor), sipas të dhënave zyrtare dhe ato të monitorimit të Drejtësia Sot janë zgjidhur vetëm 5 lëndë, prej gjithsej 60 lëndëve të cilat kanë qenë në punë. Po ashtu, gjykatat nuk kanë treguar efikasitet të kënaqshëm as përgjatë vitit 2020, për faktin se nga 59 lëndë të trashëguara dhe 6 të pranuara, kanë arritur të zgjidhin vetëm 5 raste të krimit të organizuar. Ndërsa sipas të dhënave zyrtare të pranuara, në vitin 2021, është përfunduar vetëm një lëndë në kuadër të Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kurse gjykatat tjera që kanë në punë raste të tilla nuk kanë arritur të zgjidhin asnjë prej tyre.

3. Gjatë monitorimit është vërejtur se të gjitha gjykatat, e në veçanti Gjykata Themelore në Prishtinë, pavarësisht numrit më të madh të rasteve, nuk ka caktuar seanca në formë konsistente ndaj personave që janë duke u gjykuar për këto vepra penale në mënyrë që lëndët e tyre të përfundojnë brenda një kohe të arsyeshme. Në bazë të të dhënave të monitorimit të Drejtësia Sot, për periudhën raportuese qershor 2019- dhjetor 2020, nga 27 raste të krimit të organizuar që kanë qenë në punë janë mbajtur vetëm 80 seanca. Ndërsa përgjatë vitit 2021, Drejtësia Sot ka raportuar për gjithsej 79 seanca, prej të cilave 55 janë proceduar me rregull ndërsa 24 seanca kanë dështuar të mbahen. Drejtësia Sot ngrit shqetësimin e saj për mos mbajtjen e seancave për rastet e krimit të organizuar, veçanërisht në disa raste për të cilat aktakuzat janë ngritur para 5 viteve apo më shumë, siç është rasti “TOKA apo rasti VIZAT”. Sipas vlerësimit të Drejtësia Sot, ky veprim është tejet shqetësues pasi shpërfaq neglizhencën e kësaj gjykate në luftimin dhe sanksionimin e krimit të organizuar.

4. Drejtësia Sot përgjatë monitorimit sistematik të sistemit prokurorial dhe gjyqësor, ka gjetur se Gjykata Themelore në Mitrovicë ka një mungesë pothuajse absolute të efikasitetit në zgjidhjen e rasteve të krimit të organizuar. Përkundër faktit se kjo gjykatë në këtë periudhë ka pasur në punë 16 lëndë të krimit të organizuar, ka përfunduar vetëm një të tillë. Në këtë gjykatë, gjatë periudhës raportuese janë caktuar vetëm 8 seanca, prej të cilave 2 janë mbajtur, 3 janë anuluar paraprakisht dhe 3 kanë dështuar.

5. Është vërejtur se pandemia COVID-19 ka kufizuar në masë të ndjeshme punën e institucioneve të drejtësisë, në mesin e të cilave edhe të gjykatave. Në muajin mars 2020, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka marrë vendim për të kufizuar përkohësisht veprimtaritë gjyqësore ku përfshihet publiku, në të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës. Kufizimi i veprimtarive gjyqësore por edhe hapja e ngadalshme e tyre, ka pasur një ndikim të theksuar në procedimin e pandërprerë të rasteve të krimit të organizuar. Kjo për faktin se çështjet penale të kësaj natyre karakterizohen nga një numër i madh i të akuzuarve, e që nëse do të mbaheshin seanca gjyqësore do të rritej rreziku i përhapjes së virusit COVID-19. Si rrjedhojë e kësaj, gjykatat tona për një periudhë relativisht të gjatë të vitit 2020, pra në fillimin e pandemisë, nuk kanë mbajtur seanca për raste të krimit të organizuar, me ç’rast kjo rrethanë ka dëmtuar efikasitetin e tyre në përfundimin e lëndëve të kësaj natyre.

6. Përveç efikastietit jo të kënaqshëm të prokurorisë dhe gjykatave dhe ndikimin e COVID-19, procedimi i rasteve të tilla është përcjellë me mangësi të ndryshme ligjore. Drejtësia Sot, pas analizimit të disa aktakuzave, ka vërejtur se ato nuk përshkruajnë qartë veprimet inkriminuese të të akuzuarve. Ky fakt, sipas vlerësimit të Drejtësia Sot ka ndikim të madh në zhvillimin e procedurave gjyqësore për këto raste, pasi që tezat e aktakuzave të tilla të paqarta dhe konfuze rrezikojnë që të mos vërtetohen në gjykatë. Gjithashtu, Drejtësia Sot ka hasur në dy raste në të cilat ka gjetur mangësi në kualifikim ligjor të veprës penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”. Kjo për faktin se disa të pandehur janë akuzuar dhe gjykuar për ndihmë në kryerjen e veprave penale që lidhen me krim të organizuar, e që në fakt ndihma dhe pjesëmarrja në grup kriminal janë nocione përjashtuese nga njëra-tjetra.

Andaj nga të gjeturat e kësaj analize, Drejtësia Sot rekomandon që:

1. Prokuroria Speciale me rastin e ngritjes së aktakuzave për krim të organizuar, ato t’i hartojë në mënyrën profesionale duke u bazuar në dispozitat e KPPRK dhe KPRK. Pra, prokuroria ftohet që në aktakuzat e saja të përshkruaj qartë dhe në mënyrë specifike veprimet inkrimunese të secilit të akuzuar për krim të organizuar. Kjo nënkupton se duhet sqaruar roli, rëndësia dhe pesha e veprimeve të secilit nga pjesëmarrësit e grupit kriminal të organizuar, bazuar në nenin 241 të KPPRK.

2. Drejtësia Sot, fton Gjykatat Themelore në Republikën e Kosovës, që të caktojnë seancat gjyqësore për rastet e krimit të organizuar duke zbatuar udhëzimet dhe rekomandimet e KGJK-së për mbarëvajtjen e procedurave gjyqësore në kohë të pandemisë COVID-19.

3. Drejtësia Sot, fton Gjykatat Themelore në Republikën e Kosovës, respektivisht gjyqtarët që gjykojnë rastet e krimit të organizuar, që të zbatojnë Udhëzuesin për Politika Ndëshkimore të nxjerrur nga Gjykata Supreme e Kosovës, në mënyrë që të vlerësohen drejtë të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese në matjen e dënimit për këto raste;

4. Drejtësia Sot, fton KPK-në dhe KGJK-në që në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë të organizojnë trajnime për ngritjen e kapaciteteve profesionale të prokurorëve dhe gjyqtarëve që trajtojnë rastet e krimit të organizuar. Duke parë rëndësinë e trajtimit efikas dhe profesional të rasteve të krimit të organizuar, Drejtësia Sot konsideron se trajnimet duhet të përfshijnë rritjen e aftësive profesionale në ndjekjen e të gjitha veprave penale që lidhen me krim të organizuar, e të cilat kryesisht kanë të bëjnë me narkotikë, trafikim me armë apo me njerëz. Kjo nga fakti se në bazë të të dhënave të Drejtësia Sot, PSRK-ja dhe gjykatat më së shumti kanë në trajtim lëndë të këtyre natyrave. Në programin trajnues kornizë të Akademisë së Drejtësisë për vitin 2021-2022 është paraparë një program trajnues me titullin “Krimi i Organizuar dhe Korrupsioni”, si dhe një program tjetër me titull “Veprat penale kundër narkotikëve – me theks të veçantë kur kryhen në formë të organizuar”. Drejtësia Sot konsideron se Akademia Drejtësisë duhet të organizojë trajnime specifike edhe për Krimin e organizuar që ka të bëjë me trafikim me armë dhe me njerëz. Gjithashtu kërkohet që trajnimet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar të jenë më të shpeshta dhe intensive;

5. Drejtësia Sot, fton KGJK-në që të hartojë një strategji për gjyqtarët në përgjithësi që lëndët e kësaj natyre t’i trajtojnë me prioritet të lartë dhe që mos të lejojnë zvarritjen e tyre për kohë të gjatë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Atentati ndaj vëllait të Aleksandar Jabllanoviqit, flet zëvendësdrejtori i PK-së në Mitrovicën e Veriut

Atentati ndaj vëllait të Aleksandar Jabllanoviqit, flet zëvendësdrejtori i PK-së në Mitrovicën e Veriut

Siguri
Policia dhe KFOR-i amerikan sulmohen në Leposaviq – iu bllokua rruga dhe u hodhën shishe xhami ndaj tyre

Policia dhe KFOR-i amerikan sulmohen në Leposaviq – iu bllokua rruga dhe u hodhën shishe xhami ndaj tyre

Lajme
Tragjedia në Shkodër, gjendet trupi i pajetë i fëmijës së dytë në lumin Buna

Tragjedia në Shkodër, gjendet trupi i pajetë i fëmijës së dytë në lumin Buna

Lajme
Kurti, ambasadorëve të QUNT-it: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës nuk duhet të përzihen

Kurti, ambasadorëve të QUNT-it: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës nuk duhet të përzihen

Lajme
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

Lajme
​“Nuk ka asnjë emër që ka pushtuar botën më shumë sesa Skënderbeu”

​“Nuk ka asnjë emër që ka pushtuar botën më shumë sesa Skënderbeu”

Lajme
Kalo në kategori