LAJMI I FUNDIT:

Globalizmi, demokracia, ortodoksizmi…

"I padituri i veshur me pushtet, nuk duket me i rrezikshëm se ç’ është në të vërtetë, por është me i rrezikshëm se ç’duhet”.

1. Demokracia s’u jap gjithnjë garancione dhe të drejta qytetarëve


Është e vërtetë që tipi i demokracisë formale nuk garanton gjithnjë pjesëmarrje të njëjtë dhe të drejta të njëjta të qytetarëve në proceset e ndryshme të ndërtimit të shoqërisë. Ngaqë, shpeshherë ngjan që elitat e ndryshme politike, për qëllimet dhe interesat e veta politike manipulojnë me vullnetin dhe interesin e qytetarëve, gjë që shihet më së miri në rastet e pothuajse të gjitha vendeve postkomuniste
Një rast identik lidhur me kësi manipulimi me masat e gjëra popullore, do të thoshim padyshim ka ngjarë me krerët e Revolucionit të madh rus të Tetorit, të cilët në emër të idealit të demokracisë dhe lirisë suspenduan pushtetin kushtetues ekzistues rus dhe në vend të tij “në emër të popullit” për gati shtatëdhjetë vjet inauguruarn sistemin komunist bolshevik.

Thënë më ndryshe, ani pse koncepti i demokracisë dhe ai i liberalizmit zakonisht shkojnë bashkë, në teoritë shoqëroro – politike mund të ngjajë që ndonjëherë edhe të ndahen nga njëra-tjetra. Pra, ekziston mundësia që vendi mund të mbahet si liberal, kurse në anën tjetër nuk është e thënë të jetë edhe aq demokratik.

Kësi rasti kemi p.sh. në Britani të Madhe gjatë tërë periudhës së shek. XVIII, ku të drejtat me bollëk të korpusit të drejtave të njeriut ishin të garantuara vetëm për një shtresë të caktuar të shoqërisë, ndërsa për pjesën tjetër dërrmuese të popullsisë kishte pengesa ligjore dhe aso shoqërore.

Në anën tjetër, nuk duhet harruar që ekzistojnë shumë shtete të cilat në pamje të parë duket se kultivojnë sistemin dhe procedurat demokratike, kurse në esencë nuk mund të shquhen si shtete liberale, ngaqë ato zakonisht (as në mënyrë publike e as interne) nuk japin kurrfarë garancish lidhur me të drejtat individuale dhe ato kolektive të qytetarëve të tyre.

Shikuar nga këndvështrimi apo dioptria ekonomike, me liberalizëm nënkuptojmë të drejtën e plotë ekonomike në këmbimet e gjërave ekonomike që bazohen kryekëput në pronësinë private.
Meqenëse monarkizmi si botëkuptim dhe si sistem i shumëllojtë, sipas shumë indikacioneve ekonomike, politike, juridike e do të shtonim edhe sipas shumë të dhënave doktrinarë, kryesisht ka pësuar disfatë të thellë gjatë fillimit të shekullit XX, kurse fashizmi dhe komunizmi si konkurrentë kryesorë të demokracisë liberale vetë janë diskredituar në paradigmat e sferës ekonomike e edhe asaj politike, atëherë demokracia liberale në Ballkanin Perëndimor i ka të gjitha paradispozitat që të bëhet një sistem atraktiv për të gjithë popujt e Ballkanit në të ardhmen.

2. Sa është i përgatitur shoqëria shqiptare për sfidat e demokracisë?

Në të vërtetë, ekziston një teori e pashkruar dhe e pathënë ndonjëherë në qarqet akademike, sidomos në ato sociologjike ndër ne në Kosovë, se mentaliteti dhe etnopsikologjia shqiptare ka një defekt të vetin kolektiv.

E ai është – pamundësia e të vepruarit në mënyrë sistemore (të themi edhe ekipore) të këtij mentaliteti, kur dihet se sistemi apo koncepti i ri neoliberal për fondament të vetin, përveç kritereve dhe cilësive publike (sundimi i ligjit, respektimi i normave individuale dhe kolektive të identiteteve të reja të apostrofuara në diskursin e ri demokratik, etj.), ka edhe kriterin e operimit sistemor apo ekipor, gjë që kur të kontekstohet ky diskurs në rastin e shqiptarëve të Kosovës, është vështirë i aplikueshëm.

Ose thënë edhe më ndryshe, thuhet se koncepti individualist është një farë kodi identifikues i shqiptarëve jo vetëm të Kosovës, por do thoshim edhe sish ballkanas. Në anën tjetër, diskursi dhe filozofia e demokracisë së liberalizmit global si princip të vetin themelor njeh kulturën individualiste, kulturë e cila ka një traditë të ndërtimit të vetvetes, që në rastin e Kosovës dhe përgjithësisht të gjithë rajonit mungon!

Periudha e tranzicionit, që nga shumë sociologë eminentë shpeshherë nuk identifikohet vetëm me periudhën e kalimit prej sistemit komunist (përkatësisht socialist) në atë kapitalist, por edhe me një periudhë e sistem vlerash të reja që kërkojnë kohë dhe mund për t’u familjarizuar e përshtatur me disa standarde e kode të reja që mundësojnë identifikimin me ndërtesën e “ftohët” siç e kemi quajtur BE-ane në shkrimet e kaluara..

Kur them kështu, para së gjithash mendoj në vonesat kohore që kanë ndodhur në këtë hapësirë dhe në mentalitetin ende të gjallë fisnor, që për shkaqe të ndryshme historike ka mbetur si i tillë….

3. Çka I këshilloi Woodrow Wilson evropianët, një herë…?

Kur është fjala për këtë problematikë, do përmendur njërën ndër katërmbëdhjetë pikat e Woodrow Wilsonit në pjesën e parë të shek. të kaluar, kur në mënyrë decidive u mbajti leksion evropianëve se si duhet organizuar jetën dhe rendin e tyre politik.

Në mes tjerash, ai pati theksuar përafërsisht se sistemi ndërkombëtar e posaçërisht ai i Ballkanit do të duhej patjetër të fillonte jo në konturat e forcës, por në ato të vetëvendosjes, kurse sigurimi jo në aleanca ushtarake, por në sigurinë kolektive. Sidoqoftë, dekadat e fundit e sidomos ajo pas rënies së Murit të Berlinit, pra pushimit të ekzistuarit të konceptit të Luftës së Ftohtë, në Evropën e ndarë në dysh, ka bërë që botëkuptimi mbi rendin e ri ndërkombëtar, apo siç e quajnë disa “rendi i ri botëror”, ndërsa unë do të shtoja, pa ndonjë eufemizëm të theksuar, procesi i globalizimit (ngaqë ky rend i ri, që padyshim rrokulliset me përmbajtjen e procesit për të cilin ne tërë kohën po flasim si rend me primesa globale), të pësojë ndryshime të theksuara që nuk janë edhe aq të lehta për t’u përballuar, sidomos nga vendet postkomuniste.

Duhet theksuar edhe pikëpamjet e autorëve të ndryshëm lidhur me këtë çështje. Kështu, p.sh. Michael Hardt mendon se “forma shoqërore e perandorisë së re (aludimi është në rendin e ri botëror, kursivi im F.M.), në të cilën ne aktualisht po bashkekzistojmë, mund të identifikohet edhe si shoqëri globale e kontrolluar. Ky autor, në të vërtetë “formën shoqërore të perandorisë së re…” apo procesin e ri globalizues, siç e identifikon sociologu me nam gjerman Ulrih Beck, mundohet ta kanalizojë në drejtim të një sistemi që nuk është edhe gjithaq i ri sa mendohet nga disa akademik. Hardt, kalimin nga ish- shoqëria e disiplinuar në shoqëri të kontrollit e quan si ”kolaps të mureve që i kanë definuar institucionet tona (familjet, shkollat, fabrikat, burgjet, institucionet e ndryshme, etj.”

4. Në Rusi evident trendi I rikthimit kah ortodoksizmi!

Vendet postkomuniste, në të vërtetë, duke e identifikuar ad hoc vetveten e tyre, pra para së gjithash rregullimin e tyre shtetëror me vlerat perëndimore (mendoj vendet dhe shtetet e shtratit ortodoks), në një mënyrë vetveten e katapultojnë në bisht të ngjarjeve, apo më mirë me thënë (realisht ata thonë) në periferi të një subsistemi që do të prodhojë pasoja dhe reperkusione ngamë të ndryshme edhe për shkak se: pasi që ta kuptojnë se s’kanë nevojë për vlerat dhe sistemin e perëndimit do të fillojnë dhe tentojnë të ndërtojnë forma të reja dalluese nga qendra. Për këtë shkak unë them se procesi I tranzicionit është një test për të përfituar në kohë që këtyre vendeve dhe shteteve u nevojitet për t’i konsoliduar radhët e çakërdisura sidomos në sferën e ekonomisë që pasuan pas kolapsit të komunizmit. Këtë proces, si ta quaj të distancimit nga vlerat perëndimore, jam shumë I bindur tash për tash e kemi evident në Rusi, ku atje qarqet ortodokse veç kanë filluar “vajtimin” për reperkusionet dhe dëmet shumëdimensionale që gjoja u kanë shkaktuar demokracia e perëndimit…

Siç mund të vërehet edhe nga kjo analizë e shkurtër jona, procesi i tranzicionit dhe ai i rajonizimit të vendeve poskomuniste, pra po këndvështrohet dhe projektohet me dioptri të ndryshme teorike, më pak historike e më shumë sociologjike, ngase flitet për forma globale të kapitalizmit neoliberal, për sistemin e ri botëror, me mundësi të pabarabarta mes vendeve që kanë një traditë të konsiderueshme të ndërtimit të demokracisë liberale dhe vendeve që nuk kanë asnjë ditë të ndërtimit të këtyre raporteve, siç janë Rusia, Ballkani Perëndimor, e posaçërisht Kosova, që kaluan nga feudalizmit drejtpërdrejt në socializëm.

Kështu që procesi i tranzicionit për këto vende të rajonit, në pamje të parë duket një punë Sizifi, ngaqë të ato përveç rropatjes me proceset e standardeve që duhet ndërtuar krahas zhvillimit dhe prosperitetit ekonomik për banorët e vet, duhet në të njëjtën kohë të ndërtojnë strategjinë e kyçjes së tyre në mekanizmat e vendosjes dhe të participimit në bashkësitë e reja integrative, gjë që nuk është edhe aq lehtë kur të kihen parasysh përvojat e gjertanishme në këtë drejtim.

Në të vërtetë, asnjë nga këto vende akoma s’ka arritur të bëhet pjesëmarrës i plotë i këtyre mekanizmave ndërkombëtarë.

Kalimi prej një statusi shoqëror të tipit të mbyllët që i ka karakterizuar të gjitha shoqëritë moniste të rajonit, në një status të ri pluralist, në njëfarë mënyre, dashtë e pa dashtë është kalim apo transformim prej një modeli të mbyllët në një model të hapur, ku rregulla themelore është ajo e fillimit të kapitalizmit paramonopolist: ”Le të prodhojnë- le të kalojnë” !

5. Kosova në ujërat e një “getaway shoqërie”

Kur është fjala për Kosovën, do theksuar që procesi i tranzicionit bëhet edhe më i vështirë, për shkak të pasojave të luftës së ndodhur, pastaj jo përvojës në ndërtimin e institucioneve dhe mekanizmave të rinj demokratikë, si dhe për shkak të mosplotënisë së ushtrimit të sovranitetit mbi vetë vetën që si ”thembër e Akilit” është duke e përcjellë gjatë gjithë viteve të pasluftës..
Në anën tjetër, siç do të shprehej Ernest Gelner, Kosovën gjatë dy dekadave të fundit e karakterizuan ”dëshira për një homogjenitet të brendshëm dhe një autonomi të jashtme”, edhe dëshira për demokraci dhe pavarësi nga Serbia .Ky paradoks, siç do të mund të shprehemi, nuk është vetëm ”kosovar”, ky qëndron në proceset e reja të identifikuara që nga fillimi si procese të globalizimit, ku të gjitha rekomandimet e mundshme shoqërohen me minimalizimin e rolit të identitetit shtetëror në proceset e ardhshme integrative dhe globalizuese.

Pra, a është e mundur të ndërtohet një koncept i tillë i integrimeve të reja me një qëllim të vetëm të ndërtimit të një çatie të përbashkët mes kombeve dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kohën kur edhe në këtë pjesë të botës po bëhet e njohur sintagma antipode mes – #Jihadit dhe McWordit“, e autorit të njohur Benjamin R. Barber. Përvojat e gjertanishme rreth ndërtimit të modelit demokratik në botë na flasin për një anomali të llojit të vet, që demokracinë e bën dilematike. Në të vërtetë, ajo mund të ndërtohet vetëm në ato vende ku ka paradispozita për të, kurse në vendet ku nuk ka klimë dhe interes të këtillë, zakonisht ajo shndërrohet në shoqëri anemike dhe sosh despotike. Kosova dhe shoqëria e saj politik, në shikim të parë lënë përshtypje të një vendi i cili gjithë mendjen e ka te integrimin dhe bën përpjekje të kalojë procesin e transicionit pa dhimbje të mëdha dhe pa trauma sociale e politike. Në këtë kontekst, ajo së bashku me administratën ndërkombëtare është deklaruar për një politikë antiizolacioniste, një politikë e cila atë do ta shpjerë më shpejt dhe më sigurt nga ujërat e një “getaway shoqërie”…

Por, a është kështu…? Kjo duhet të analizohet.