LAJMI I FUNDIT:

Globalizimi, dhuna dhe Ballkani

“Jeta është e këndshme. Vdekja është e qetë. Vetëm tranzicioni është pak i mundimshëm…”

1. Globalizimi dhe interpretimet


Globalizmi arriti ta vinte në sprovë gjithë përvojën e zhvillimit të njeriut (sidomos sferën e ekonomisë, e cila i determinon të gjitha sferat tjera), duke u involvuar në zhvillimin dhe përsosjen e teknologjive botërore, prodhimin dhe plasimin tejet të suksesshëm të industrisë, tejkalimin e komunikimit lidhur me tregtinë, kapitalin, prodhimin dhe marrjen e informatave, duke mos i përfillur kufijtë tradicional mes shteteve dhe vendeve të gjithë rruzullit tokësor.. Globalizimi, pastaj, nënkupton edhe gjithë rrjetëzimin e ekonomive lokale me ato botërore, kuptohet pa kërkuar nga qeveritë dhe shtetet të cilat eventualisht mund ta problematizojnë kyçjen apo mos kyçjen e tyre në këtë trend marramendës që e imponon diskursi i tillë i furishëm zhvillimor, në një proces të përgjithshëm integrativ.

Ashtu siç, bie fjala, aludojnë David Held, David Goldbatt, Anthony McGrew dhe Jonatan Perraton, në një studim të tyre të bërë para ca kohësh lidhur me këtë çështje, ku mes tjerash thuhet: “Globalizimi nuk është i vetmi kusht, apo i vetmi proces linear i ndryshimeve shoqërore”.

Sot, sidomos në qarqet akademike, mund të themi se ka interpretime e interpretime të tilla lidhur me globalizimin, sa që ngandonjëherë thuhet se secili autor ka nga një përkufizim dhe interpretim të vetin. Interpretimin e llojllojshëm e bëjnë edhe natyra e dhe kompleksiviteti i vetë procesit që ndodhë në sferat e ndryshme të jetës shoqërore dhe të asaj ekonomike. Kështu, për disa autorë, globalizimi akoma mbetet vetëm një mit, për të tjerët një tendencë globale për të menaxhuar resurset njerëzore dhe ato ekonomike në mbarë botë, për disa të tjerët një utopi moderne në të cilën njerëzit dëshirojnë qëllimshëm të besojnë në diçka gjithëpërfshirëse, diçka që i tejkalon suazat e lokales dhe ngrihet në nivel global. Pra, ka shumë e shumë tjera interpretime.

2. Sa dhe çfarë lloj dhune prodhon globalizimi?

Kjo referencë e këtyre eminencave akademike të lë përshtypjen se globalizmi së pari nuk është dhe nuk duhet nënkuptuar si diçka e imponuar në mënyrë të dhunshme; së dyti, ende nuk ka ardhur koha e gjithëpërfshirjes (të mos themi pushtimit!) të këtij procesi në të gjitha vendet dhe popujt e botës; së treti, liria ose, thënë më ndryshe leverdia e logjikës ekonomike është komponenti që i involvon apo i largon ekonomitë e shteteve të ndryshme në këtë proces me pretendime të zgjerimit permanent.

Nëse përpjekjet tona për ta definuar sa më qartë këtë koncept dhe frymë të re që po i pushtuaka njerëzit dhe ekonomitë nacionale të vendeve të ndryshme të botës, i orientojmë në drejtim të shpjegimit të asaj se çka në të vërtetë nuk është procesi i globalizimit, atëherë padyshim nënkuptojmë se procesi i globalizimit ende nuk mund të nënkuptohet si gjendje e tejskajshme ku ofrohen për t’u rrjetëzuar ekonomitë botërore! Pra, një gjendje apo një status quo e integrimit të njëtrajtshëm, ku do të referoheshin të gjitha ekonomitë botërore, meqë ende aktualisht kemi një situatë të tillë ku rrjetëzimi i pretenduar nga ekspertët globalistë ende është i parcializuar, pra ende embrional.

Ky fakt që padyshim sistematikisht i zgjeron dallimet mes vendeve të zhvilluara dhe atyre të pazhvilluara, na e tregon fytyrën tjetër të globalizmit janusian. Thënë me thjeshtë, sado që procesi i globalizimit të pretendojë të bëhet gjithëpërfshirës, gjithnjë do të mbeten disa segmente të getoizuara të jetës shoqëroro-ekonomike, të cilat nuk do t’i përfillin trendët e absorbimit të vlerave globaliste.

Për të dëshmuar këtë konstatim (për dikë ndoshta hipotetik!), të përkujtojmë zhvillimet globale në sferën e ekonomisë në shekullin XIX, ku do të shohim se përkundër pretendimit të zgjerimit maksimal të trendit globalist (përmes sistemit kolonialist) në sferën e ekonomisë, asnjëherë nuk u arrit fundi i gjithëpërfshirjes në të gjitha shoqëritë botërore. Në të vërtetë, ndodhi një fenomen i margjinalizimit të të gjitha atyre shoqërive të cilat i “ikën” këtij ndikimi.

3. Globalizimi Made in Ballkan

Kjo padyshim do të mund të vlejë sidomos për shoqërinë shqiptare në Ballkan, e cila e ballafaquar me mospjesëmarrjen e vet në këtë ”kulaç” apo “lojë të madhe” të emancipimit të vet kolektiv, u ballafaqua me problemet e mbijetesës, pasoja këto të cilat edhe sot e kësaj ditë si komb jemi duke i provuar në rrugëtimin tonë të fragmentizuar kulturor, politik, ekonomik etj. (me ketë rast nuk është objekt i elaborimit tonë të mëtejmë).

Prapa gjithë këtyre pretendimeve për ta përkufizuar globalizimin, na del se ai së pari në të vërtetë është një ide universale që mund të kuptohet dhe interpretohet edhe si proces apo fenomen i delokalizimit, pra zhvendosjes së marrëdhënieve, ndodhive dhe aktiviteteve ndërnjerëzore në një groplan tjetër, ku ngjarjet që ndodhin edhe në afërsinë tonë më të madhe katapultohen apo formësohen si të ishin të huaja, apo të kishin ndodhur diku larg nesh. Pra, një raport i ri, ku nuk ngurrohet në çrrënjosjen e raporteve dhe dimensioneve lokale në sferat e jetës: politike, ekonomike, kulturore, etj. Apo, siç do to thoshte sociologu i mirënjohur anglez Anthony Giddens: ”Globalizimi mund të… definohet si intensifikim i marrëdhënieve shoqërore botërore, i cili i ndërlidh realitetet e largëta në aso mënyre që ndodhitë lokale marrin formën e ngjarjeve sikur të kishin ndodhur shumë larg nga vendi i ngjarjes, dhe anasjelltas”.

Mirëpo, në tërë këtë “transaksion” apo “bartje”, të shprehemi kështu, të ngjarjeve, informatave, marrëdhënieve, pastaj të gjitha formave të kapitalit e sidomos teknologjive të reja nëpër meridianët e botës, kompanitë e mëdha transnacionale të cilat janë projektuese të këtij procesi, nuk janë të prira që menjëherë, krahas ofertës për ndryshime, të bartin apo katapultojnë menjëherë edhe vlerat e tyre, qofshin nga sfera ekonomike, politike, juridike etj. Ato, në të vërtetë, bile sipas përvojës së gjertanishme, së pari përpiqen t’i forcojnë kulturat ekonomike të vendit (p.sh. rasti i Bosnjës, i Kosovës, Afganistanit, Irakut etj.), përmes infektimit me teknologjitë e reja që për masën dominuese të popullsisë janë shumë provokuese, në mënyrë që pastaj të zhvillojnë tipin e kombinuar të paparë ndonjëherë të kapitalizmit, ku fitohet përshtypja e të qenit zot i vetvetes, i shumë segmenteve të jetës.

Kuptohet se kjo qasje e kësi sojit edhe për kompanitë transnacionale është një thikë me dy tehe. Në të vërtetë, rasti i zhvillimit të tejskajshëm të teknologjive të komunikimit, siç është rasti me Japoninë, Malajzinë apo edhe Kinën, u mundëson atyre të afirmojnë kulturën dhe identitetin e vet si asnjëherë më parë.

A mund të thuhet se sinonimi i fazës së parë paramonopoliste “laissez-faire” është projekt amerikan apo evropian? Nga historia botërore e dimë pak a shumë se SHBA-të nuk kanë qëndruar gjithnjë prapa këtij projekti që e afirmoi demokracinë neoliberale, e me ketë tani edhe projektin e ri mbi globalizimin. Në të vërtetë, shoqëria amerikane gjatë tërë qenësimit të vet si shoqëri lider e sistemit dhe e demokracisë kapitaliste ka qenë e prirë ta izolojë veten si shoqëri.

4. Amerika si shpresa e ëndërrimtarëve

Amerikanët, sikurse edhe ka pohuar njëri ndër themeluesit e Amerikës, Thomas Jefferson, gjithnjë e kanë projektuar vetveten si “shpresën më të mirë të botës”, gjë që i përcjell edhe sot. Për ta elaboruar këtë “ëndërr” për “jetën e begatshme amerikane”, që siç thamë ende një pjesë të madhe e njerëzve e fascinon me begatinë e vet, duhet të kthehemi pakëz mbrapa dhe të shohim kush në të vërtetë ishte arkitekti i njëmendtë i projektit mbi tregun e lirë global, projekt ky që sot aktualizohet me procesin e identifikimit të Amerikës me globalizimin.

Kjo mund të ilustrohet edhe me faktin se, siç thotë Hiroshi Kimura, një teoricien japonez që aktualisht jeton dhe vepron në SHBA, ”numri i shteteve të cilat u takojnë Shteteve të Bashkuara është ende duke u shtuar”.

Në anën tjetër, padyshim që filozofia dhe botëkuptimi i procesit të globalizimit është një proces shumë kundërthënës, me vetë faktin se ai në esencë prodhon efekte të ndryshme dhe do të thoshim edhe të papritura, si për qendrën që i koordinon dhe i menaxhon të gjitha ndryshimet e të arriturat, ashtu edhe për periferinë e cila në një mënyrë i është ekspozuar procesit të ndryshimeve kulminante në të gjitha sferat e jetës shoqërore.

Kjo, do të thoshim, më tepër ka të bëje me vendet apo shtetet e transicionit që ende nuk e kanë shijuar si duhet as vetë kapitalizmin si rregullim dhe si sistem vlerash të reja. Dhe, thënë edhe më shkurt, globalizmi, siç thuhet: dikë e bën super të pasur, kurse dikë e varfëron deri në skajshmëri ekstreme; globalizmi e legjitimon objektin e shfrytëzimit (periferinë) dhe në anën tjetër subjektin që shfrytëzon të tjerët, të identifikuar si qendër; globalizmi i rekruton në mënyrë permanente shtetet e varfra në katalogun e vet të vartësisë ekonomike, kurse në anën tjetër vetë shtohet tek shtetet e pasura demokratike, promovon procese kaotike gjatë përpjekjes për t ‘i centralizuar ato në njërën anë, kurse në anën tjetër luan rolin e kujdestarit që qetëson këtë kaos, bënë konfrontimin e interesave të përgjithshme transnacionale dhe të atyre shtetërore; i vë në dilema të mëdha ekzistenciale sovranitetet ekonomike të shteteve të ndryshme në botë, duke ua vënë atyre përmbi motivin e interesave mbinacionale dhe rajonale, të cilin duhet ta ushtrojnë korporatat e mëdha transnacionale