LAJMI I FUNDIT:

Glamuroziteti i një botimi

Ka nxitur polemika a me tematikë polemizuese (?!): Ditëve të fundit në flesh-lajme të shkurtra bombastike, të ardhura nga shtypi dhe “kritika” e mediumet e Shqipërisë njoftohemi se “romani i fundit i Rexhep Qosjes ka nxitur polemika në Prishtinë. Debati ka mendime pro dhe kundra, të gjitha kundrejt romanit ‘Bijtë e askujt’”, dhe në një informacion tjetër paksa më të gjerë: “Në këtë roman voluminoz historiografik, Rexhep Qosja anatemon shumë personalitete të larta të politikës, të historisë dhe të artit.

Vlerësimi i këtyre figurave, sipas Qosjes, do të provokojë te lexuesit dhe personat e anatemuar reagime negative dhe do t’i nxisë të reagojnë në mënyrë të ndryshme, sepse ky është një roman polifonik…” Mediumet në Shqipëri ende nuk e saktësojnë mbiemrin e Qosjes, si Qosa a Qosja! Sikur vite më parë për aktorin e njohur Petrovci (ata i thonë edhe Petrovski). Leksioni dhe vërejtjet e fundit, këshillat e tyre vijnë me vërejtje si një ciceron trumbetues se romani i fundit i Qosjes ka nxitur polemika në Prishtinë.


Bëra përpjekje të mësoja më tepër në lidhje me këto polemika të çfarëdo niveli qofshin! Të gjitha interesimet më dërgonin në një recension për librin, në një prezantim “shkrim-rrufe” medial dhe disa flesh lajme të ndikuara nga ky i fundit. Dorën në zemër, në lidhje me mediumet si TV dhe RA edhe ka mundur të flitet dhe polemizohet! Por, për ndonjë nxitje polemikash ende nuk kam dëgjuar! Po më shumë se akademik Qosja, autori i romanit polifonik e voluminoz “Bijtë e askujt”, i shtypur nga shtëpia botuese “Valdoli”, më gjerësisht nuk mund të di.

Kur është dhënë lajmi se akademik Qosjes do t’i botohet komplet vepra, ishte një moment emocionues. Një kontribut për veprimtarinë krijuese të studiuesit, historianit, kritikut të letërsisë. Po ashtu, më tej prozatorit e dramaturgut. Rreth çerek shekulli më parë, Qosja ka premtuar për një histori të letërsisë së vjetër shqipe dhe e cila do të përfundojë me letërsinë bashkëkohore. Shpresojmë se kjo do të ndodhë në kuadër të kompletit.

Intermeco: Diku kam lexuar se njeriut i duhen 12 vjet kohë për të numëruar nga një deri në një miliard! Dhe, në këtë analogji diskrete Umberto Eko (në librin “Për letërsinë”) shkruan: “Tekstet letrare, jo vetëm që na thonë shumë qartë atë që s’mund ta vëmë kurrë në dyshim, por, ndryshe nga bota, na njoftojnë me një autoritet të plotfuqishëm për atë që mund të merret si e rëndësishme dhe atë që nuk mund ta marrim si pikënisje për interpretime të lira….” Nëse është e vërtetë kjo, dhe është vërtetuar “shkencërisht”, atëherë duhet kohë për ta rilexuar, jo vetëm romanin e fundit të Qosjes, por tërë kompletin prej 27 vëllimesh.

Qosja e Kadare, a 27 me 25 (?!): Isha paksa skeptik për një madhështi prej 27 vëllimesh, që në një llogaritje të thjeshtë arrijnë në rreth 10 mijë faqe. Një ndërmarrje e tillë nuk “ka mundur t’i ndodhë” as Ismail Kadaresë. Megjithatë, në momentin e daljes nga shtypi, për nga botimi Rexhep Qosja avancon 27 me 25 kundër Ismail Kadaresë (Onufri në 25 vëllime të Kadaresë – vër. j.). Si një dyshim, por edhe afirmim për të mirë flet edhe vetë pompoziteti i daljes së romanit “Bijtë e askujt”. Të mos flasim për glamurozitetin e shtypjes dhe botimit dhe fjalëve të vet autorit të këtij kompleti, akademik Rexhep Qosjes, pas daljes në treg. Sigurisht se qetësia do ta pllakosë vendin në analogjinë e të kundërtës së nxitjes së polemikave me rastin e botimit të romanit, sepse “Qosja anatemon shumë personalitete të larta të politikës, të historisë dhe të artit”, dhe si përfundim “vlerësimi i këtyre figurave, sipas Qosjes, do të provokojë te lexuesit dhe personat e anatemuar reagime negative dhe do t’i nxisë të reagojnë në mënyrë të ndryshme, sepse ky është një roman polifonik…”

Nëse nisemi nga ajo se duhet bërë së paku sa ai me të cilin merremi, atëherë duhet të heshtim, megjithatë po e themi në fund: Do të ishte modeste, madhështore, e pëlqyeshme, e mirëpritur dhe e lexueshme (për ndonjë polemikë) prej 10 deri në 15 vëllime. Sa për 27, mos është paksa tepër!? Mos është tepruar, e lodhshme, e palexueshme! Më mirë se kushdo, këtë e di vetë akademik Rexhep Qosja!