LAJMI I FUNDIT:

Gjykata Kushtetuese apo Gjykata Supreme?

Një nga elementet thelbësore të sundimit të së drejtës, përkatësisht të shtetit ligjor është pavarësia dhe mëvetësia e sistemit gjyqësor. Pavarësia nënkupton ekzistimin e gjykatave të pavarura dhe punën e tyre në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin. Fatmirësisht në vendin tonë ka filluar një praktikë shumë e mire, por edhe e nevojshme e zbatimit të verdikteve gjyqësore, në këtë rast e kam fjalën për Gjykatën Kushtetuese, e cila u themelua në janar të vitit 2009.

Vendimet e kësaj gjykate për shkeljen e kushtetutës nga ana e ish presidentit Sejdiu dhe shkeljen e procedurave për zgjedhjen e presidentit në Kuvendin e Kosovës ishin një ndër verdiktet me të drejta dhe me të duhura drejtë mbrojtjes së Kushtetutës. Për ndryshe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, neni 112 pika 1, përcaktohet se: “Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në republikën e Kosovës për interpretimin e kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me kushtetutën”, gjë qe është gardian i kushtetutës. Gjykata Kushtetuese ka autoritetin për shqyrtimin e legjislacionit dhe kërkesave individuale në raste të shkeljes së të drejtave të njeriut.


Në bazë të Kushtetutës, neni 113 pika 7, thuhet se “individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shtruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”. Dhe me këtë mund te kuptojmë se çdo qytetarë mund të paraqesë rastin në Gjykatën Kushtetuese nëse nuk janë të kënaqur me aktgjykimin e gjykatave të rregullta, por edhe të Gjykatës Supreme.

Sipas zëvendëskryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, i cili në një prononcim për gazetën Kosova Sot, thekson se “shkeljet me të mëdha të supozuara i kanë bërë gjykatat, me mbi 82 për qind të rasteve”. Ai me tutje shton se “numri me i madh i lëndëve janë parashtruar nga personat fizikë”.

Pra, Gjykata Kushtetuese është organi me i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, si dhe bën interpretimin e dispozitave kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Detyra e Gjykatës Kushtetuese nuk është e njëjtë me atë të gjykatave të zakonshme, sepse ajo ka funksion të dyfishtë, si gjykatë dhe si organ kushtetues.

Megjithatë, dikush mund të pyesë ashtu sikurse është parashtruar pyetja edhe në testin kombëtar të maturës në këtë vit, se cila gjykatë është më e lartë në republikën e Kosovës, Gjykata Kushtetuese apo Gjykata Supreme?

Nxënësit ashtu edhe si e kanë mësuar në lëndën edukimi qytetar, në mënyrë qe t’i marrin pikët maksimale, në ketë pyetje është dashur të përgjigjen në opsionin për Gjykatën Supreme e assesi në Gjykatën Kushtetuese.

Por pse ka ndodhur një gjë e tillë?
Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në nenin 103 pika 2, përcaktohet në mënyrë shprehimore se Gjykata Supreme është autoriteti me i lartë gjyqësor. Me këtë mund të kuptojmë se është gjykata me e lartë në raporte me shkallshmërinë dhe gjykatat tjera, e rrjedhimisht me e lartë se Gjykata Kushtetuese. Ama sa është e drejtë një gjë e tillë, kur në çdo vend të botës gjykatat kushtetuese janë autoriteti me i lartë dhe përfundimtar, ndërsa në vendin tonë është shumë konfuze.

Në pyetjen time drejtuar Gjykatës Kushtetuese me anë të e-mailit me 1 korrik të këtij viti se Gjykata Kushtetuese e Kosovës tanimë po i shqyrton rastet për të cilat ka dhënë verdiktin e saj, Gjykata Supreme e Kosovës dhe rrjedhimisht Kushtetuesja është shndërruar në një gjykatë apeli dhe cila gjykatë në Kosovë është me e lartë, Gjykata Kushtetuese apo Gjykata Supreme, si dhe cilat janë kompetencat e Gjykatës kushtetuese? Gjykata kushtetuese me ka dhënë një përgjigje të cilën edhe e kam ditur paraprakisht, pra ma ka cituar Kushtetutën gjë që e kisha shumë të qartë se çka thotë Kushtetuta, por qëllimi im ishte interpretimi i kushtetutës në lidhje me autoritetin e të dy gjykatave.

Andaj në fund mund të konkludoj se vetë fakti që Gjykata Kushtetuese është autoritet përfundimtar në Kosovë, si dhe interpreton Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi gjë që këtë të drejtë nuk e ka Gjykata Supreme, atëherë Gjykata Kushtetuese është gjykata me e lartë në vendin tonë.