LAJMI I FUNDIT:

Gjetjet për Shqipëri dhe Kosovë nga anketa vjetore e 28-të globale e CEO-ve nga PwC

Gjetjet për Shqipëri dhe Kosovë nga anketa vjetore e 28-të globale e CEO-ve nga PwC

Drejtorët ekzekutivë nga Shqipëria dhe Kosova janë optimistë në lidhje me rritjen ekonomike globale.

Më shumë se gjysma presin të rrisin numrin e punonjësve për vitin në vijim dhe shumica pohojnë se kanë pasur përfitime nga integrimi i Inteligjencës Artificiale në proceset e tyre: Anketa Vjetore e 28-të Globale e CEO-ve nga PwC.

Gjetjet për Shqipërinë dhe Kosovën:

-Më shumë se 70% e drejtorëve ekzekutivë nga Shqipëria dhe Kosova presin një rritje të ekonomisë globale gjatë 12 muajve të ardhshëm, teksa në sondazhin e vitit të kaluar kjo shifër ka qenë 42% dhe vetëm 26% në atë të dy viteve më parë.

-53% presin të rrisin numrin e punonjësve gjatë 12 muajve të ardhshëm, ndërkohë që vetëm 7% presin që ky numër të pësojë ulje. Shumica e tyre raportojnë se Inteligjenca Artificiale nuk ka pasur ndikim në ndryshimet e numrit të fuqisë punëtore.

-Drejtorët ekzekutivë pohojnë se kanë përfitime nga përdorimi i Inteligjencës Artificiale: 60% e tyre raportuan rritje të efikasitetit të tyre në punë, ndërsa 46% raportuan rritje të efikasitetit të punonjësve të tyre në punë. Për më tepër, ata raportuan të ardhura më të larta (23%) dhe një rritje të përfitueshmërisë (26%) për arsye të përdorimit të Inteligjencës Artificiale Gjenerative gjatë vitit të kaluar.

-63% e drejtorëve ekzekutivë nga Shqipëria dhe Kosova (krahasuar me 52% në rajonin e Europës Qëndrore – Lindore dhe 42% globalisht) besojnë se nëse kompania e tyre nuk do të transformohet gjatë dhjetë viteve të ardhshme, ajo nuk do të mund të ketë vijueshmëri. Ashtu si drejtorët ekzekutivë të kompanive të rajonit të Europës Qëndrore -Lindore dhe ata të kompanive në rang global, 40% e drejtorëve ekzekutivë nga Shqipëria dhe Kosova kanë filluar të konkurrojnë në sektorë të rinj gjatë pesë viteve të fundit.

-Investimet e lidhura me ndryshimet klimaterike në 31% të rasteve kanë rezultuar në të ardhura më të larta, ndërkohë që 40% e tyre deklarojnë se këto investime nuk kanë pasur ndonjë ndikim të rëndësishëm në kosto.

Sipas Anketës Vjetore të 28-të Globale të CEO-ve nga PwC për Shqipërinë dhe Kosovën, numri i drejtorëve ekzekutivë që besojnë se ekonomia globale do të ketë zhvillim gjatë 12 muajve të ardhshëm ka pasur rritje (72%) nga një vit më parë (42%).

Ndërkohë, ka pasur një rritje (63%) të numrit të drejtorëve ekzekutivë që janë të shqetësuar për vijueshmërinë e bizneseve të tyre në periudhën afatgjatë. Kjo i shtyn ata të punojnë rreth transformimit te biznesit së tyre, pasi 40% e të anketuarve pranojnë se kanë filluar të konkurrojnë në një sektor të ri gjatë pesë viteve të fundit.

Bazuar në rezultatet e anketës, 72% e drejtorëve ekzekutivë pohojnë se janë optimistë në lidhje me rritjen ekonomike globale në 12 muajt në vijim.

Kjo shifër ka pësuar një rritje të ndjeshme nga ato të dy viteve të mëparshme, të cilat ishin përkatësisht 42% dhe 26%. Në të njëjtën kohë, vetëm 12% e të anketuarve shprehin pritshmëri për një rënie ekonomike.

Për sa i përket zhvillimit ekonomik të brendshëm, drejtorët ekzekutivë shfaqen sërish mjaft optimistë.

Pothuajse të gjithë drejtorët ekzekutivë (86%) presin një përmirësim të përgjithshëm të ekonomisë në territorin e tyre. Kjo pritshmëri është shumë më optimiste se ajo e raportit të Europës Qëndrore-Lindore dhe ajo e raportit global, të cilat janë përkatësisht 64% dhe 57%.

Më shumë se gjysma e drejtorëve ekzekutivë në Shqipëri dhe Kosovë planifikojnë të rrisin numrin e punonjësve në kompanitë e tyre gjatë 12 muajve të ardhshëm. 53% e tyre presin të kenë një rritje të numrit të punëtorëve, ndërsa vetëm 7% presin një ulje. Ky rezultat vjen në kundërshtim me mendimin e përgjithshëm se integrimi i Inteligjencës Artificiale në vendin e punës do të sjellë zvogëlimin e numrit të punonjësve.

Pavarësisht se besimi i drejtorëve ekzekutivë tek Inteligjenca Artificiale është ende i vogël, ata kanë filluar ta implementojnë atë në disa nga proceset e tyre dhe tashmë kanë vërejtur disa përfitime nga përdorimi i tij.

60% e tyre raportuan një rritje në menaxhimin efektiv të kohës së tyre gjatë punës dhe 46% raportuan një rritje të menaxhimit efektiv të kohës së punonjësve të tyre gjatë punës. Ata gjithashtu raportuan rritje të të ardhurave dhe të përfitueshmërisë nga përdorimi i Inteligjencës Artificiale në proceset e tyre.

Megjithatë, duhet përmendur se kompanitë e kanë përdorur Inteligjencën Artificiale kryesisht në platformat teknologjike, si dhe në proceset e punës dhe rrjedhën e saj. Vetëm disa e kanë përdorur atë për strategjitë kryesore të biznesit dhe për zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja.

Kompanitë gjithashtu kanë bërë përparime me investimet e lidhura me klimën, ku 31% e tyre deklarojnë se kanë pasur të ardhura të rritura për shkak të këtyre nismave dhe 40% e tyre pranojnë se këto investime nuk kanë pasur ndikim në kosto.

Iniciativa e transformimit

Bazuar në rezultatet e sondazhit, 63% e drejtorëve ekzekutivë nga Shqipëria dhe Kosova besojnë se kompania e tyre nuk do të ketë vijueshmëri gjatë dhjetë viteve të ardhshme nëse nuk transformohet. Kjo tregon një ndërgjegjësim të përgjithshëm për t’u përshtatur me një mjedis biznesi në ndryshim të vazhdueshëm, i cili ka nevojë për studim dhe planifikim konstant.

Për këtë arsye, drejtorët ekzekutivë kanë ndërmarrë iniciativa transformuese gjatë pesë viteve të fundit. 44% e tyre deklarojnë se kanë zhvilluar produkte apo shërbime inovative, ndërsa 33% e tyre kanë targetuar një segment të ri klientësh.

Teksa kompanitë janë në kërkim të vazhdueshëm për të transformuar modelet e tyre të biznesit, katër në dhjetë (40%) drejtorë ekzekutivë nga Shqipëria dhe Kosova deklarojnë se kanë filluar të konkurrojnë në të paktën një sektor të ri biznesi në pesë vitet e fundit.

Këto rezultate tregojnë se kompanitë po eksplorojnë mundësi që mund të rezultojnë fitimprurëse në të ardhmen dhe t’i ndihmojnë ato të kenë vijueshmëri në një periudhë afatgjatë.

Drejtorët ekzekutivë janë optimistë për potencialin e Inteligjencës Artificiale Gjenerative, por janë në kërkim të rezultateve më bindëse

Drejtorët ekzekutivë pohojnë se implementimi i Inteligjencës Artificiale Gjenerative në kompanitë e tyre ka pasur shumë përfitime.

Më shumë se gjysma e tyre (60%) raportojnë se përdorimi i Inteligjencës Artificiale Gjenerative i ka ndihmuar ata të menaxhojnë në mënyrë me efektive kohën e tyre në punë. 46% raportojnë se Inteligjenca Artificiale Gjenerative ka ndihmuar që punonjësit të menaxhojnë në mënyrë më efektive kohën e tyre dhe 23% raportojnë një rritje të të ardhurave për shkak të përfshirjes së Inteligjencës Artificiale Gjenerative.

Kur u pyetën nëse kishin vërejtur përmirësime në përfitueshmëri, 26% e drejtorëve ekzekutivë nga Shqipëria dhe Kosova raportuan rezultate pozitive.

Pavarësisht nga të gjitha këto përmirësime, vijon të ketë ende një mungesë të përgjithshme të besimit në Inteligjencën Artificiale Gjenerative. Vetëm 12% e drejtorëve ekzekutivë deklaruan se kanë një shkallë të lartë besimi në integrimin e kësaj teknologjie të re në proceset kryesore të kompanive të tyre.

Megjithatë, ndikimi i Inteligjencës Artificiale Gjenerative në përfitueshmëri shihet me optimizëm ku 44% e të anketuarve që pohojnë se presin një rritje të përfitueshmërisë gjatë 12 muajve të ardhshëm.

Gjatë tre viteve të ardhshme, pothuajse gjysma e drejtorëve ekzekutive (42%) presin të integrojnë Inteligjencën Artificiale (përfshirë edhe Inteligjencën Artificiale Gjenerative) në platformat e tyre teknologjike, 38% planifikojnë ta integrojnë atë në proceset dhe rrjedhën e punës dhe 26% e tyre planifikojnë ta përdorin atë për zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja.

Pavarësisht idesë së përhapur gjërësisht se Inteligjenca Artificiale do të ketë një ndikim në reduktimin e mundësive të punësimit në të gjithë sektorët, drejtorët ekzekutivë në fakt raportuan një rritje të lehtë të numrit të punonjësve për shkak të Inteligjencës Artificiale Gjenerative. 20% e tyre deklaruan se Inteligjenca Artificiale Gjenerative kishte rritur kërkesën për të shtuar numrin e punonjësve në kompanitë e tyre, ndërsa vetëm 6% raportuan një ulje për shkak të saj. Nga ana tjetër, shumica (63%) raportuan pak ose aspak ndryshim në numrin e punonjësve për shkak të Inteligjencës Artificiale Gjenerative.

Investimet që kanë në fokus klimën janë duke dhënë rezultate

Ndërkohë që nismat që kanë në fokus klimën përshpejtohen, bizneset po përballen me një realitet të ri, një realitet ku problemet mjedisore, ndryshimet e rregulloreve dhe pritshmëritë e klientëve po u japin një formë të re industrive. 81% e drejtorëve ekzekutivë nga Shqipëria dhe Kosova raportuan ndërmarrjen e investimeve që kanë ndikime pozitiv klimaterike gjatë pesë viteve të fundit.

Kjo tregon në të njëjtën kohë një shqetësim për çështjet mjedisore dhe nevojën për t’u përshtatur me këtë situatë të re.

Një numër në rritje biznesesh po i kuptojnë përfitimet financiare të qëndrueshmërisë, pasi 31% e drejtorëve ekzekutivë të kompanive nga Shqipëria dhe Kosova raportojnë të ardhura më të larta nga investimet në lidhje me klimën.

Ndërkohë, 40% pohuan se ka pasur pak ose aspak ndryshim në kosto, duke treguar se këto nisma mjedisore nuk përbëjnë gjithmonë vetëm shpenzime për kompanitë. Megjithatë, këto investime shpesh kërkojnë kohë për të dhënë rezultate të matshme pasi ato bëhen më të dukshme me kalimin e kohës. Në rrethanat aktuale të biznesit, kompanitë që angazhohen me nisma që kanë si synim qëndrueshmërinë janë duke u pozicionuar më favorshëm përsa i përket përshtatshmërisë dhe përfitimit në një ekonomi globale në zhvillim të vazhdueshëm.

Raportin e plotë e gjeni në link: Klikoni këtu

Rreth PwC

PwC, qëllimi ynë është të krijojmë besim në shoqëri dhe të zgjidhim probleme të rëndësishme. Ne jemi një rrjet firmash në 149 vende të botës dhe me mbi 370,000 punonjës të cilët janë të përkushtuar për të ofruar cilësi në shërbimet e auditimit, këshillimit financiar, fiskal dhe ligjor. Ne kemi prezencë në Shqipëri dhe Kosovë.

Për më tepër mbi ne dhe shërbimet tona, na kontaktoni në al_pwc_albania@pwc.com (Shqipëri) dhe al_pwc_kosovo@pwc.com (Kosovë), ose  vizitoni: www.pwc.com/al (Shqipëri) dhe www.pwc.com/ks (Kosovë).

© 2025 PwC. Të gjitha të drejtat e rezervuara. PwC i referohet rrjetit PwC dhe/ose një ose më shumë firmave anëtare të saj, secila prej të cilave është një entitet juridik i veçantë.

Ju lutemi shikoni www.pwc.com/structure për detaje të mëtejshme.