Në Gjermani deri tani luftimi i Coronës kishte shkuar mirë. Por numri i turistëve të infektuar po rritet. Dhe këtë javë landet e para kanë filluar mësimin e rregullt pas pushimeve verore.

Mecklenburg-Vorpommern, Hamburgu, Berlini, Brandenburgu, Schleswig-Holsteini dhe Nordrhein-Westfalen janë landet e para që deri nga mesi i javës së ardhshme fillojnë mësimin e rregullt shkollor. Pas pushimeve verore mësimi do të zhvillohet normalisht pra, me orar të plotë dhe në formacion të plotë. Sa e suksesshme do të jetë kjo?

“Ne të gjithë dëshirojmë normalitet. Por jemi në një gjendje jo normale”, paralajmëron kryetarja e shoqatës mjekësore Marburger Bund, Susanne Johna, e cila e sheh Gjermaninë në valën e dytë tipike për pandemitë. Numri i infektimeve është në rritje.të vazhdueshme . “Tashmë jemi në një valë të dytë, por më të sheshtë”, tha Johna në një intervistë për gazetën “Augsburger Allgemeine”.

Në marsin të këtij viti shkollat u mbyllën për të parandaluar përhapjen e epidemisë. Mësimi u bë për muaj të tërë në distancë. Fëmijët mësonin nga shtëpia. Vetëm disa javë para se të fillonin  pushimet verore, ata u kthyen nëpër shkolla në grupe të vogla dhe orar të reduktuar.

Disiplina po bie

Mjekja paralajmëron se vala e dytë mund të frenohet vetëm me zbatimin e rregullave per distancën dhe higjienën, për sa kohë nuk ekzistojne barnat për trajtimin e Covid-19. Por për këtë nevojitet disiplinë, dhe kjo sa vjen e bie te të gjithë qytetarët.

Vetëm jashtë klasave duhet të ruhet distanca. Në klasa vetë kjo nuk do të jetë e mundshme, sepse nuk ka mjaftueshëm mësues. Në landin me popullsi më të lartë, Nordrhein-Westfalen, duke filluar nga klasa e pestë e lartë mbajtja e maskës në klasë është me detyrim.

Që tani mund të thuhet me siguri se në shkolla do të kthehen edhe fëmijët e infektuar. Testet e bëra me pushuesit e kthyer tregojnë se 2,5 për qind e tyre rezultojnë të infektuar. Por deri tani në këto testime vullnetare marrin pjesë vetëm 40 përqind e të kthyerve. Pra, përqindja reale mund të ishte si më e lartë, ashtu edhe më e ulët.  Këtë javë pritet që të hyjë në fuqi një ligj për vendosjen e testimit të detyrueshëm për pushues që kthehen nga zonat e krizave.

Virologia nga Mynihu, Ulrike Protzer, megjithatë paralajmëron se testet negative nuk japin informacion të sigurt për mosinfenktim. Virusi mund të ndodhet në fazën e inkubacionit. “Kjo mund të përjashtohet vetëm nëse bëhet një test i dytë pas katër-pesë ditësh”, tha ajo në një intervistë në ARD.

Autoritetet zyrtare duan ta parandalojnë përhapjen e virusit edhe duke identifikuar dhe  vepruar me shpejtësi në ato zona që janë më të prekura. Spitalet janë  të përgatitura për një rritje të numrit të  pacientëve me COVID-19. Qeveria dhe politikanët  po përpiqen ta ruajnë të përditshmen sa të munden, sepse ata nuk duan kurrsesi që të ketë sërish mbyllje. “Bindja jonë është se një gjendje si në pranverë nuk duhet të ndodhë”, theksoi ministrja e arsimit të landit Schleswig Holstein, Karin Prien.