LAJMI I FUNDIT:

Gjermani, mbroji të drejtat e tua të njeriut!

Gjermani, mbroji të drejtat e tua të njeriut!

A ka degraduar Deklarata e Përgjithshme e të Drejtave të Njeriut në një apendiks të politikës botërore? A e ka humbur kredibilitetin e saj Karta e Ndërgjegjes Botërore, që më 10 dhjetor 1948 u lexua nga Eleanor Roosevelt, e veja e Franklin D. Roosevelt-it, para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Paris?

Rrethanat me krimet e luftës në Aleppo të nxisin që kësaj pyetjeje t’i përgjigjesh me po. Toka po digjet! Një lajm i tmerrshëm pason tjetrin: lufta në Siri, në Jemen, terrori në Nigeri, çmontimi i shtetit ligjor në Turqi, por edhe në mes të Europës, në Poloni e Hungari. Lista e shkeljeve të të drejtave të njeriut në mbarë botën ka marrë përmasa tronditëse.


Në Gjermani pasqyrohen këtu zhvillime dramatike. Ndonëse baballarët dhe nënat e këtij ligji themelatar e kanë përfshirë në kushtetutë thelbin e Deklaratës së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut. “Dinjiteti i njeriut është i pacënueshëm. Respektimi dhe mbrojtja e tij është detyrim i të gjithë pushtetit shtetëror”, thuhet në nenit 1.

Por, edhe në Gjermani dinjiteti i njeriut është i cenueshëm: Strehimoret e azilkërkuesve digjen, sulmet terroriste përhapin frikë e tmerr, qarkullojnë komente urrejtjeje dhe racizmi është në rritje. E, kjo nuk ndodh tani pas pranimit të qindra mijëra refugjatëve në vjeshtë 2015. Edhe para 20 vjetësh këtu janë djegur strehimore azilkërkuesish.

Instituti gjerman për të Drejtat e Njeriut i ka përmendur qartazi këto deficite në raportin e tij të fundit. Berlini këtë nuk duhet ta marrë si informacion rutinë, por duhet të bëjë më shumë që t’i kundërvihet kësaj tendence. Realizimi i të drejtave të njeriut nis brenda vendit. Viti 2015 në Berlin me pranimin e refugjatëve dëshmoi, se të drejtat e njeriut janë një komponente bazë e politikës gjermane.

Pavarësisht përpjekjeve të mëdha humanitare, duhet që brenda vendit të bëhet më shumë punë bindëse. Sepse një pjesë e popullsisë duket se nuk e ka të qartë, që të drejtat e njeriut vlejnë për të gjithë banorët. Mbrojtja e zbatimi i tyre duhet të argumentohet e të debatohet rishtazi kundrejt të huajve dhe vendasve. Respektimi i të drejtave të njeriut është një sprovë e vazhdueshme e shoqërive demokratike.

Natyrisht që një politikë koherente e të drejtave të njeriut është një utopi. Konfliktet ndërkombëtare janë shumë të ndërlikuara, luftërat mjaft asimetrike dhe mjaft të kundërta interesat ekonomike dhe ato të politikës për pushtet. Në politikën e jashtme për Gjermaninë dhe për BE-në do të jetë mjaft e vështirë, që të rikuperohet kredibiliteti i humbur në raport me të drejtat e njeriut. Për aq kohë sa Perëndimi kritikon gjendjen e të drejtave të njeriut në Kubë, por hesht për të drejtat e njeriut në Kinë, politikanët e kalibrit të një Vladimir Putini apo Rexhep Taip Erdogani kanë një lojë të lehtë.

Por, ka edhe më tej: në politikën e jashtme qeveria i anashkalon vazhdimisht parimet e veta. Regjistri i mëkateve është i gjatë: nis që me marrëveshjen e diskutueshme mes BE-së dhe Turqisë, për të vazhduar me eksportet e armëve në Arabinë Saudite dhe refuzimin për t’i garantuar azil whistleblower-ir Edward Snowden.

Ndaj për Berlinin ka vetëm një rrugëdalje nga kjo paaftësi evidente në politikën e të drejtave të njeriut: Duhet të paktën brenda vendit të dilet me një shembull të mirë. Respektimi dhe zbatimi i nenit 1 të ligjit themelor nuk duhet të devijohet për hir të politikave të kursimeve, apo sulmeve populiste.

Për prestigjin ndërkombëtar të Gjermanisë mbrojtja e të drejtave të njeriut në të gjitha drejtimet është një çështje ekzistenciale. Vetëm me një pranim të qartë të lirisë, drejtësisë dhe paqes Gjermania mundi të rimëkëmbet pas Luftës së Dytë Botërore.