LAJMI I FUNDIT:

Gjeneza e një vepre dhe shtrembërimi i historiografisë shqiptare në shekullin XVI

Gjeneza e një vepre dhe shtrembërimi i historiografisë shqiptare në shekullin XVI

Ilia Karanxha

Zanafillat për shkrimin e historisë të Skënderbeut nga ana e Marin Beçikemit janë shumë të hershme e mund t’i konsiderojmë fill pas botimit të Rrethimit të Shkodrës. Aty rreth vitit 1506 miku i tij i ngushtë në Brescia, Giovanni Britanico, deklaronte se Beçikemi ishte duke shkrojtur një histori kristiane në tridhiet e tre libra (kapituj) e cila së shpejti do të shikonte dritën e botimit (…tres & triginta Christianae Historiae libros, qui brevi in lucem prodibunt..). Kjo Histori kristiane nuk ka qënë gjë tjetër veçse një bocet i parë i cili në rrjedhën e viteve do të përpunohej dhe do të azhurnohej, por që sa ishte gjallë Beçikemi ajo nuk do të shikonte asnjëherë dritën e botimit. Vepra e madhe Historia de Vita et gestis Scanderbegi Epirotarum princips që u botua më 1522 e bënte të pavlefshëm këtë punim të hershëm pregatitor.


Pas vdekjes së Beçikemit, ashtu si shumë dorëshkrime të tjera, edhe “Historia kristiane” do të përfundonte në duart e familjes Ëngjëlli, të cilët e shfrytëzuan dhe e trasformuan për të nxjerë në pah merita të pa qëna të familjes së tyre. Ajo pa dritën e botimit për herë të parë mbas një qershorit të vitit 1539 nën titullin: Përmbledhje e jetës dhe fitoreve të Gjergj Skënderbeut princ shumë i denjë i Epirit (Compendio della vita et vittorie di Georgio Scanderbeg principe di Epyrro dignissimo). Në se titulli fillestar u eleminua, për të pasur një titull më konkret e për të shmangur paralelizma me veprën e Beçikemit, ideja e historisë kristiane u rojt në ballina e veprës nëpërmjet ikonografisë me Kryeëngjëllin Mikael.

Nga pikpamja biblike Shën Mikael-it (në ebrisht: Mi-ka-El = kush është si Zoti?) i atribuohet titulli kryeëngjëll (arcangelo) dhe njihet kryesisht si komandant i ëngjëjve në luftë kundra ordhive të Satanasë (Djallit). Në ikonografi ai paraqitet gjithmonë me krahë i armatosur me shpatë ose me shtizë me të cilat mposht djallin. Nuk janë të ralla rastet kur djalli paraqitet në shëmbëlltyrën e kuçedës ose si në rastin tonë në shëmbëlltyrën e një njeriu zakonisht me tipare fizike të shëmtuara. Ndonjëherë shënjtori paraqitet me një peshore (psicostasia) në dorë me të cilën do të peshoheshin shpirtrat në botën e përtejvarit për gabimet që kishin bërë në jetë. Një element ikonografik i cili transmeton një traditë antike egjiptiane e persiane që u mor më vonë edhe nga feja islamike. Ky element nuk përmëndet në shkrimet biblike.

Raportet e ndërsjellta të Skënderbut me Kryeëngjëllin Mikael do t’i gjejmë edhe në vepra e madhe gjatë fushatës së tij në Itali kur ai do të shprehë devocionin e tij të veçantë për këtë shënjtor.

Publikimi i veprës Përmbledhje… paraqitet si një edicion shumë i rallë të cilin e kemi gjetur në një ksombël të vetme në bibliotekën Reale të Torinos. Ai është pa datën e pa vendin e botimit, pa emrin e autorit dhe të editorit dhe duket një edicion gati i panjohur nga bibliografët dhe studiuesit e pa numurt. Datën 1 qershor 1539 e gjejmë në hyrja dedikuese që i bëhet dukës të Mantovës Federigo Gonzaga (1500-1540)

Po më 1539, pa u tharë akoma boja e botimit të parë, vepra u ribotua nën titullin e stërgjatur: Komentar për çështjet e Turqve, dhe të Zotit Gjergj Skënderbeg Princ i Epirit. Me jetën dhe me fitoret e bëra prej tij, me ndihmën e të lartit Zot, dhe të forcave të paçmueshme dhe virtuteve të tij të denja për tu kujtur. 1539.

Ky edicion, shkurt Komentarët… njihet sot si botim i parë i kësaj vepre. Mes editio princeps nën titullin Pëmbledhje… (Compendio…) dhe ribotimit nën titullin Komentarët… (Commentario…) ndryshimet janë kryesisht të karakterit grafik e morfollogjik. Shumë fjalë të shkurtura sipas stilit latin në vepra Compendio, tek Commentario i gjejmë në variantin e tyre të plotë. Tek Compendiovërehet gjithashtu edhe një kapërxim i tekstit të cilin mund ta konsiderojmë një gabim tipografik-editorial. Kapitulli 37 ndërpritet para deklaratës të Lek Dukagjinit që shqipton fjalën shqip Embetha (f. 40v) e rifillon nga fundi i kapitullit 41 pak përpara perifrazës ku Gran Turco, pra vetë sulltani, dëshëronte të shikonte armët e Skënderbeut (f. 45r). Kështu tek Përmbledhja… janë harruar kapitujt (librat) 38, 39 e 40 e pjesërisht kapitujt 37 e 41.

E përbashkëta në të dyja edicionet është mungesa e numurimit të kapitullit 33. Ky fakt duhet të ketë pasur lidhje me deklaratën e Beçikemit kur i referonte Britanico-s se ishte duke shkrojtur një histori kristiane dhe se ishte aty nga kapitulli (libri) 33. Mirëpo, në fakt në atë moment ai kishte avancuar e duhet të kishte përfunduar kapitullin 32. Në vazhdim kur u rikthye të punojë përsëri mbi veprën meqënëse kishte deklaruar aty më parë kapitullin 33, vazhdoi tekstin pa ndërprerje mendimi duke shkrojtur kapitulli 34. Mendojmë që ky kapërxim të ketë ndodhur në këtë mënyrë. Kujdestari i kësaj vepre Paolo Pietër Ëngjëlli që e dërgoi për botim kishte mëndjen të ndërhynte në tekst për të paraqitur merita të paqëna të familjes Ëngjëlli dhe kapërximi i numurit të një kapitulli nuk kishte si t’i binte në sy.

Deri më 1545, vepra pati shtatë botime. Tre prej tyre dolën së bashku me veprën e Paolo Giovios nën titullin e ballinës: Komentar për çështjet e Turqve e Paolo Giovio dhe Andrea Cambinit me ngjarjet dhe jetën e Skënderbeut. Më 1541 ajo u publikua nga shtëpia tipografike më e famshme e Venedikut, siç ishte ajo e Aldo Manuzios dhe pasuesve të tij. Vepra jonë në anonimat paraqitej kështu pranë historianëve më të shquar të kohës mbi çështjet e turqve, siç ishin Paolo Giovio (1483-1552) dhe Andrea Cambini (1460-1527). Më shumë se një sukses i jetës dhe bëmave të Skënderbeut ajo ishte në realitet një sukses i Ëngjëllorve të cilët duke qëndruar në hije dhe duke mos u pronuncuar hapur mbi autorin e saj dukej sikur për familjen Ëngjëlli dhe për meritat e tyre në çështjen shqiptare po flisnin edhe historianët më të shquar të kohës. Bile në katalogun e ndonjë biblioteke në Itali edhe sot e kësaj dite Komentarët… mbi jetën dhe veprat e Skënderbeut paraqiten si një vepër e Paolo Giovio-s. (Giovardiana – Veroli; Vallicelliana – Roma). Ndërsa, në Svicër biblioteka e Bernës e referon si vepër të Marin Barletit.

Mirëpo, gallopi i ribotimeve të kësaj vepre nuk u ndal këtu. Më 1561 letrari i shquar italian Francesco Sansovino (1521-1586) nxori një përmbledhje veprash të titulluar: Dell’historia vniuersale dell’origine et imperio de Turchi… (Mbi Historitë universale mbi origjinën dhe perandorinë e Turqve) mes te cilave zunë vend si Rrethimi i Shkodrës i përkthyer në italisht po nga Sansovino, po ashtu edhe Komentarët kësaj radhe nën titullin: Bëmat e shkëlqyera të Zotit Gjergj Skënderbe.

Në botimin e parë në lidhje me veprën Rrethimi i Shkodës, Sansovinoja shkruan: L’Assedio e l’impresa di Scutari di Marino, pa specfikuar se kush ishte ky Marin. Në ribotimin që i bën veprës së tij më 1564 ai shënon si autor Marin Beçikemin. Nga kush e morri Sansovinoja këtë informacion mbetet e paditur, mirëpo nuk duhet të ketë qënë një “lapsus” siç kanë shkrojtur autorë të ndryshëm (Cigogna1824: vol. I, 48; Pall1938: 22) që referojnë këtë fakt në vazhdën e të cilëve pak a shumë shprehëm të njëjtin opinjon kur botuam veprën e mëparshme Barleti apo Beçikemi?

Dalja e të vërtetës në shesh se Barleti ishte Beçikemi shvleftësonte gjithë veprimtarinë e deri atëhershme plubicitare të Ëngjëllorve që emrin e Barletit e kishin keqpërdorur për të sistemuar biografinë e tyre familjare. Mjaft të kujtojmë këtu dy botimet e të ashtuqojturës vepra e tretë e Barletit mbi jetën e papëve dhe perandorëve të dedikuar valla Pietro Ëngjëllit ku Barleti ishte bërë i vdekur aty nga viti 1512-1513.

Sidoqoftë, alarmi i Ëngjëllorve duhet të ketë qënë i madh. Më 1567 vepra Mbi Historitë universale… ribotohet përsëri dhe kësaj rradhe nuk figuron më Marin Beçikemi si autor i Rrethimit të Shkodrës, por Marin Barleti. Vetë Sansovinoja na prezantohet për herë të parë me titullin e nderuar fisnikëror të kavalierit: M. Francesco Sansovino cavaliere Angelico di Costantinopoli (Zoti Françesko Sansovino kavalier Ëngjëllor i Kostandinopojës). Titull mjaft tingëllues të cilin sapo ja kanë akredituar vetë Ëngjëllorët. Ky titull fisnikëror nuk paraqiste vetëm një prestigj shoqëror më të madh, por edhe interesa ekonomike që do të trashëgohshin edhe në pasardhësit e tij. Sansovinoja më 1567 ja dedikon veprën Mbi Historitë universaleve të Hieronimo Angelo (Jeronim Ëngjëllit) i cili nga ana e vet mbante tituj si Princi i Thesalisë, Dukë dhe kont i Drishtit, Kryezot i urdhërit kalorsiak etj. Në dedikimin që i bën Jeronimit ai do t’i shprehë mirënjohjen e thellë për këto nderime kaq të mëdha e të papritura: …për përzmërsinë e madhe (edhe pse i padenjë) më ke vënë në numurin e nderuar të shërbëtorve tuaj me kopetenca shumë të gjëra dhe me titullin e mëkëmbsit të urdhërit të shkëlqisë suaj; gje e cila po ashtu si mua edhe në pasardhësit e mi është një favor shumë i madh që më obligon përjetësisht…

Është e qartë që për të siguruar heshtjen e Sansovinos familja e Ëngjëllorëve kishte lojtur asin që ishte Urdhëri Kalorsiak i formuar prej tyre dhe që u sillte të ardhura të konsiderueshme. Në ribotimet e mëtejshme (1573, 1582, 1600, 1654) që pati vepra Historitë universale e Sansovinos, mbeti i fiksuar emri i Marin Barletit si autor i Rrethimit të Shkodës. F. Pall [1938: 22] që trajtovi jetën e Barletit nuk njojti këte edicion të Historive Universale dhe nderet e shquara që Sansovinoja kishte marë nga Ëngjëllorët. Kështu, Pall komenton edicionin e vitit 1573 ku vërhet ndreqja e “gabimit”. Mirëpo, “gabimi” ishte ndrequr para vitit 1573 dhe siç duket nuk ishte ndrequr gratis.

Jeronimi nga ana e vet nuk pati shumë guxim të shtyheshe më tej e t’i sugjeronte ndonjë emër Sansovino-s për veprën: Bëmat e shkëlqyera të Zotit Gjergj Skënderbe… d.m.th. Komentarët… Ajo vazhdonte të mbetej në anonimat dhe Sansovino-ja në kontakt të vazhdueshëm me Ëngjëllorët e në padituri të plotë për autorin e saj distancohet nga vepra me një farë indinjate dhe nervozizëm: Mbi atë (d.m.th. Skënderbeun) do të trajtohet në këtë Histori e cila e shkruar nga kushdo qoftë ai, është e domosdoshme që në këtë vend, të sqarohet se shkrimtari, kushdo që të ketë qenë, nuk meriton shumë lëvdata as për rregullin, as për gjuhën që ai përdori për të shkruar atë, por vlerësoni, o lexues dashamirës, vetëm veprat dhe trimërinë e Skënderbeut duke lënë mënjanë fjalët… (F. Sansovino (1564), c. 369v:).

Kritika për veprën rëndonte edhe mbi Ëngjëllorët të cilët nëpërmjet saj kishin aritur dhe synon vazhdimisht ta reshtonin vehten si familja e parë në ngjarjet madhore të shekullit të XV. Zgjidhjen edhe në këtë rast e gjeti Jeronim Ëngjëlli nëpëmjet një pasusi besnik e të devotshëm të urdhërit kalorsiak siç ishte Giovanni Maria Bonardo i cili i dedikon veprën mbi Skënderbeun.

Më 1584 Komentarët… botohet rishmas me një titull të ndryshëm e akoma më të gjatë: Bëmat e shkëlqyera e të lavdishme, dhe luftimet fitimtare të bëra kundra Turqve nga Zoti i Zotërinjëve Gjergj Kastrioti i thënë Skënderbeg, Princ i Epirit. Ku tregohet mënyra e vërtetë e luftimit dhe qeverisjes të ushtërive, i pregatitjes së ushtarëve për luftim, dhe të qëndruarit fitimtar në çdo ndërmarje të rezikshme.

Ajo pati edhe kësaj radhe shumë ribotime (1591, 1610, 1629, 1646 e 1679). Sidoqoftë riqarkullimi i kësaj vepre nën një titull të ri duhet parë jo vetëm si një çështje thjesht editoriale, por lidhur ngushtë edhe me kushtet sociale që kalonte familja Ëngjëlli në Venedik. Pas vdekjes të Paolo Pietër Ëngjëllit aty nga viti 1568, vëllaj i madh i Jeronimit, familja kishte humbur të ardhurat që fitonte nga kisha e Brianës të cilën Paolo e kishte trashëguar qysh më 1513 nga dajoja i tij Dhimitër Franku, ndërsa vetë Franku e kishte administruar atë qysh nga viti 1480. Janë të dokumentuara përpjekjet e Jeronimit për rifitimin e saj si me dhunë po ashtu edhe në rrugë ligjore por pa sukses,

Kështu tendencat e tyre për lavdinë personale nderthureshin edhe me nevojat praktike për çështje gjyqësore. Ishte e nevojshme që ai të paraqitej sa më fisnik dhe me sa më shumë merita për të justifikuar pretendimet e tij mbi kishën e Brianës. Bonardo nuk kurseht të shkuajë gjithçka që i dikton Jeronimi që tashti i ka shtuar emrit të tij edhe mbiemrin Flavio me që pretendimet mbi origjinën e tyre zinin fill nga perandori romak Tito Flavio Vespaziano(7-79 pas K.) Jeronimi cilësohet jo vetëm me titujt që përmëndëm më lart por edhe si nip i drejtpërdrejtë në linjë gjaku me Skënderbun dhe se me vdekjen e Ferante Kastriotit ai dhe fëmijët e i tij mbeteshin trashëgimtarët e vetëm legjitimë të atij komandanti të madh që kishte luftuar për mbrojtjen e krishtëimit evropian. Në këtë kontekst duhej të dilte edhe emri i Dhimitër Frankut(1443-1525) që paraqitet si shok armësh i Skëderbeut dhe se kishte marë pjesë në të gjitha betejat e tij dhe kishte shkrojtur këtë histori në gjuhën latine por që u botua më 1545 në gjuhën vulgare (italisht) me shumë fjalë të tepërta.

Në kushtet kur nuk dihej se kush fshihej prapa emit Marin Barleti dhe aq më pak për historinë e tij kristiane prej 33 kapitujsh u gjend një zgjithje e thjeshtë. Dedikimi fantastik e i vonuar i Bonardo-s që njihte për autor Dhimitër Frankun u konsiderua si një dëshmi e vërtetë. Në lidhje me këte autorsi pati një farë debati. Noli qysh në fillim pranoi Frankun si autor. F. Pall më 1938 foli për një pseudo-Franko duke sugjeruar të nipin e tij Paolo Pietër Ëngjëllin si përpiluesin e saj. Më vonë (1965) do pranojë si autor Dh. Frankun.

Çështja duket gjeti zgjidhje përfundimtare më shkrimet e Dh. Shuteriqit, M. Prenushit, R. Elsie, L. Nadin etj. Më 2004 studiuesi italian Alessandro Laporta riboton Komentarët… me një hyrja prezantuese ku rizbulon edhe një herë Paolo Pietër Ëngjëllin si kujdestar të saj dhe rikonfermon akoma edhe një herë Dh. Frankun si autor. Çdo polemikë duket e mbyllur e Franku është njohur me pa të drejtë si autor i kësaj vepre. Këtë hipotezë e kemi kundërshtuar fillimisht në vepra Baleti apo Beçikemi? dhe tani varinati editio princeps i Përmbledhje-s… (Compendio…) sjell një fakt më shumë në favor të tezës që njeh Marin Beçikemin si të parin dhe të vemin historiograf të Skënderbeut në fillim të shek. XVI.

Si klerik dhe humanist ishte normale që Beçikemi do kërkonte për heroin e tij figurat ekuivalente më të shquara mes ambientit kristian dhe atij pagan. Në variantin përfundimtar pas një pune shumë vjeçare patën epërsi figurat e shquara nga mitollogjia e historia e lashtë iliro- greko-romake. Skënderbeu u barazua më shumë me Aleksandrin e Madh, me Piron e Epirit e me një Oracio Kolkide që betohej për Herkulin se sa me Kryengjëllin Mikael.