LAJMI I FUNDIT:

Gjashtë poezi indiane…

Gjashtë poezi indiane…

Përgatiti: Ledia Dushi

***


VAJZA E TRISHTUAR

Shumë njerëz ekzistojnë në botë,
por vetëm një më është i shtrenjtë.
Është i mirë i fortë, guximtar.
Më ishte betuar për një dashuri të përjetshme,
por më harroi.
Një shpirt i keq
duhet ta ketë ndryshuar.
Dhe unë
të tjerë s’di të dashuroj më
veçse atë.
(Algonkim)

***

FTOHTESI GRUAJE

Është e bukur si një lule mali,
kjo grua,
por e ftohtë si bora
nën të cilën ka çelur.
(Haida)

***

GEMUSHA

Gëmusha
rri ulur
nën një pemë
dhe këndon një këngë.
(Yakui)

***

SHPORTË LULESH

Shporta me lule blu,
duket si e vendosur
në kupë të qiellit.
Shkëlqen kështu
dhe gjithçka e përkryer është.
(Tueblo Tewa)

***

VALLJA E SHIRAVE

Ah-je! Ah-jo-ho-o-o-o! Ah-jo-o-o-o?
Zota të bubullimës,
veruni veshin zileve
dhe tam-tameve të tambureve
që prej dy hënash rrëketë janë tharë.
Si fantazma zogjtë janë rreshtuar.
Ndalojnë në hije pa kënduar më.
Vëllai ynë, Dielli,
s’e sheh më fytyrën e tij
në shtratin e shndritshëm të përrenjve:
Sytë e tij shohin vetëm baltë të verdhë,
të tharë, të rrudhur
si fytyra e një plake.
Lulja e diellit
i zgjat e etur buzën vesës,
me buzë të çarë, me kokën përkulur,
janë të brishta dhe të lodhura
krahët e saj prej gjethesh.
Ah-je! Bubullimë, zota të ujrave të mëdha
populli i luleve,
bari i uritur,
krijesa të ajrit dhe ujit,
bija të tokës ju luten,
dëgjoni mijëra lutjet tona.
Ah-je! Ah-jo-o-o-o! Ah-jo-ho-o-o-o!
(Algonkin chippewa)

***

SHPREHJE SHIU

Atje në majë
të Kuijotës
ku qëndron
një re
dridhëruese
atje shtrihet zemra ime
përshkuar nga dridhja dhe ajo.
(Papago)

/Telegrafi/