LAJMI I FUNDIT:

Gashi: Operatorët ilegal i kanë dy muaj kohë t’i heqin pajisjet

Gashi: Operatorët ilegal i kanë dy muaj kohë t’i heqin pajisjet

Operatori mobil serb MTS, zyrtarisht ka filluar operimin në disa pjesë të Kosovës legalisht, ndërsa janë shuar operatorët ilegalë që ishin prezent që nga paslufta në Kosovë, Telenor dhe VIP. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi.

Ai në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se ARKEP i ka bërë të gjitha matjet dhe kanë vërtetuar se është shuar funksionimi i dy operatorëve ilegalë, Telenor dhe VIP.


“Në territorin e Kosovës, aktualisht veprojnë 2 operatorë gjegjësisht të licencuar që është operatori, Vala përkatësisht Telekomi i Kosovës, operatori Ipko, dhe një operator i kufizuar i përkohshme që është MTS D.O.O. , që funksionon në pjesë të veriut dhe ka disa pika antena në pjesë të tjera të Kosovës, komplet 30. Ndërsa këta dy operatorë më datën 1 maj i kanë ndërprerë të gjitha shërbimet e tyre i ka ndalë sinjalit të telefonisë, i kanë njoftuar konsumatorët e tyre na kanë njoftuar neve paraprakisht se do të ndërprehen të gjitha operimet e tyre më datën 1 maj, ne e kemi vërtetuar këtë në bazë të matjeve tona, kemi bërë matje paraprakisht edhe në pjesën veriore të Kosovës dhe në gjitha pjesë të tjera. Kemi bërë matje edhe pasi ka skaduar ky afat dhe është vërtetuar që kjo ndërprerje është e përgjithshme në gjithë territorin e Kosovës dhe e operimeve ilegale”, tha Gashi.

Ndërsa sa i përket heqjes së antenave të dy operatorëve ilegalë, ai tha se janë shuar dhe nuk operojnë, por që i kanë dy muaj kohë t’i largojnë pajisjet nga territori i Kosovës.
“Ata kanë filluar me heqjen e antenave, i kanë dy muaj që t’i largojnë edhe fizikisht ato. Por, ky proces nuk është shumë i rëndësishëm. Me rëndësi është që ata më nuk funksionojnë dhe nuk do të kenë më mundësi të funksionojnë asnjë herë në Kosovë në mënyrë të pa licencuar qysh kanë funksionuar deri më tash”, tha Gashi.

Ai ka sqaruar se operatori i përkohshëm serb MTS DOO qysh nga viti i kaluar është duke operuar, por që ai i ka të kufizuar sinjalet.
“Operatori i licencuar me licencë të kufizuar dhe të përkohshme, MTS DOO ka filluar operimin, qysh më 15 dhjetor, por ka reduktuar frekuencat. Për shkak se ka qenë duke përdorur frekuenca më shumë dhe tash është duke operuar. Dërgon raporte të rregullta, i zbaton gjitha rregulloret dhe ligjet e Kosovës. Është duke operuar në përputhje me licencën e kufizuar që i është dhënë. I ka 30 lokacione nga ku transmeton dhe i ka limitimet siç janë koha zgjatja, numri i limituar i numeracionit 60 mijë konsumatorë në telefoninë mobile”, tha Gashi.

Ndërsa sa i përket implementimit të kodit shtetëror, Gashi tha se operatorët Vala dhe Ipko janë duke punuar që kodi në afatin prej 18 muaj të jetë funksional dhe se brenda këtij afati kohor të shuhen kodet tjera si ai i Monakos +377 dhe ai slloven +386.

“Sa i përket implementimit të kodit të telefonisë mobile, 18 muaj janë deri në implementimin e plotë të kodit 383 deri në largimin e plotë i përdorimit të dy kodeve të tjera të kodit 377 dhe 386. Ne jemi në gjashtë mujorin e parë të këtij afati. Operatorët janë duke e kryer punën e tyre me shumë sukses. Tashmë i kanë kontaktuar shumicën e operatorëve nga gjitha bota dhe kanë filluar me hapjen e rrugëve të tyre të ashtuquajtura rutave të komunikimit mes operatorëve tonë në Kosovë dhe operatorëve ndërkombëtarë dhe tash me kodin 383 mund të merret Kosova nga disa shtete. Por kjo hartë do të zgjerohet vazhdimisht deri në plotësimin e plotë të saj, ku Kosova mund ta marrë kodin 383 nga e gjithë bota. Në lidhje me këtë ARKEP është duke u munduar gjithashtu të ndihmojë edhe pse kjo është punë ekskluzive e operatorëve. Duke ngritur sensibilizuar opinionin e përgjithshëm botëror dhe ne i kemi dërguar një letër të gjithë rregullatorëve në gjithë botën, në mënyrë që edhe ata t’i njoftojnë operatorët e vet që Kosova ka marrë kodin 383 dhe do të kenë mundësi që nëpërmjet këtij kodi ta realizojnë direkt thirrjen e tyre për thirrjet ndërkombëtar”, tha Gashi.

Sa i përket problemeve që qytetarët po hasin me shërbimet e operatorëve mobilë për shërbimet e internetit dhe thirrjeve, ai i fton qytetarët që kur të kenë probleme me shërbime dhe çmime t’i adresojnë ato në ARKEP.

“Çmimet e internetit nuk përcaktohen prej autoritetit. Por çmimet e sasisë së internetit duhet të jenë për qytetarët. Operatorët kanë obligime që të marrin nëpërmjet rregulloreve të ndryshme të ARKEP-it, në këtë rast nëpërmjet rregullores për kontrata ku ata duhet të jenë transparent ndaj qytetarëve për sasinë e internetit dhe për pakot që ata paguajnë. Ne iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të ankohen, fillimisht tek operatori, pastaj edhe te rregullatori. Këto informata ne do t’i trajtojmë në mënyrë sa më të shpejtë dhe konfidenciale në mënyrë që të shohim nëse ka eventualisht devijime nga ajo që operatorët duhet t’i ofrojnë qytetarëve, përkatësisht nga pakot që ata i ofrojnë në mënyrë transparente”, tha Gashi.

Kosova ka fituar kodin shtetëror në fillim të këtij viti. Kjo i ka hapur rrugën operatorit serb që të licencohet dhe veprojë legalisht në disa zona të Kosovë, ndërsa me marrëveshjen e arritur në Bruksel palët janë dakorduar që operatorët mobilë ilegalë serb të shuhen. /Telegrafi/