LAJMI I FUNDIT:

G20 arrin një marrëveshje 1 trilionëshe

G20 arrin një marrëveshje 1 trilionëshe

Udhëheqësit e ekonomive më të mëdha të botës kanë arritur një marrëveshje për të luftuar krizën financiare globale me masa me vlerë rreth 1 trilion dollarë.

Për të ndihmuar ekonomitë në vështirësi, Fondi Monetar Ndërkombëtar do të marrë burime shtesë me vlerë rreth 750 miliardë dollarë.

Vendet e G20-s u zotuan me 250 miliardë dollarë për t’i dhënë një shtysë tregtisë globale.

Në deklaratën përmbyllëse në samitin e G20-s, kryeministri britanik, Gordon Brown, tha se bota ishte bashkuar për të luftuar kundër recesionit global.


Ai tha se ishte arritur konsensus për një plan global rimëkëmbjeje dhe reforma për të parandaluar një përsëritje të krizës aktuale.

Brown tha sekretet bankare të së kaluarës duhet të merrnin fund dhe duhet të ndërmerreshin hapa kundër vendeve ku shmangen taksat që nuk respektonin standardet e reja të transparencës.

Në emër të G20-s zoti Brown njoftoi këto masa:

– Pagat dhe shpërblimet për bankierët duhet t’u nënshtrohen kontrolleve rigoroze.
– Do të ngrihet një Bord i ri për Stabilitetin Financiar që të punojë me FMN-në për të siguruar bashkëpunimin përtej kufijve dhe të sigurojnë një mekanizëm paralajmërues për sistemin financiar.

– Do të ketë rregulla më të shumta për fondet private të investimeve dhe agjencitë e vlerësimit të kreditit.

– Është pranuar një qasje e përbashkët për të pastruar bankat nga asetet toksike.
– Dhe vendet më të varfra të botës do të marrin ndihma shtesë. /BBC/