LAJMI I FUNDIT:

Fundosja e ‘Titanikut’ tentohet të ndalohet nga Kushtetuesja e Maqedonisë

Fundosja e ‘Titanikut’ tentohet të ndalohet nga Kushtetuesja e Maqedonisë

Njohësit e çështjeve juridike në vend kanë komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për faljen e manipuluesve zgjedhor, pedofilëve dhe tregtarëve të drogës.

Sipas tyre, ky vendim është sulm ndaj Prokurorisë Speciale Publike, një qëndrim i imponuar nga pushteti dhe i zbatuar nga gjykata. Si dhe, goditje përfundimtare për çdo tentativë për rivendosje të besimit tek institucionet


Profesori universitar Jeton Shasivari vlerëson se vendimi skandaloz i Gjykatës kushtetuese fillimisht është një goditje kundër përpjekjeve të SHBA-së dhe BE-së për normalizimin e shtetit dhe tejkalimin e krizës së thellë politike në vend.

“Kuptohet, që vendimi në fjalë mëton të shpëtojë “Titanikun” nga fundosja, por, më e keqja është se ky vendim ka për qëllim final “fshirjen” e Prokurorisë publike speciale nga sistemi juridik i shtetit. Vendimi në fjalë nuk e përmban as germën S nga sundimi i së drejtës dhe as germën D nga demokracia. Mirëpo, nga ana tjetër, si çdoherë kur disa pushtetarë të dyshuar për krime, orvaten ta shpëtojnë veten përmes vendimeve të porositura gjyqësore, ata zakonisht i gjuajnë vetes në gjunjë, sepse tani e tutje, do të jetë shumë diskutabile mbajtja e zgjedhjeve më 5 qershor, meqenëse sipas këtij vendimi gjyqësor ato zgjedhje do të ishin “legalisht” të kriminalizuara”, tha për Portalb Shasivari.

Sipas ekspertit juridik Osman Kadriu, me këtë vendim gjykata e ka cenuar shumë rëndë rendin kushtetues të Maqedonisë.

“Ndodhemi para një situate të vështirë, ku vet gjykata e cenon rendin juridik. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese gjithmonë miratohen në formën e prerë, nuk ka mjet juridik që të ushtrohet kundër tyre. Ato si vendime janë të plotfuqishme dhe janë të ekzekutueshme nga dita e hyrjes së tyre në fuqi. Vendimi hynë në fuqi nga dita e publikimit të tyre në fletoren zyrtare të Maqedonisë. Ky qëndrim është i imponuar nga pushteti dhe gjykata e zbatoi, sepse këta gjykatës janë zgjedhur në bazë të përcaktimeve partiake dhe jo në bazë kritereve që kërkon Kushtetuta”, deklaroi Osmani.

Ky vendim, shtoi ai, miratohet në një kohë kur në Maqedoni zhvillohet një aksion juridik për përgjegjësinë penale për gjitha manipulimet në procesin zgjedhor, me çka u formua Prokurori speciale. Ndërkaq, tani Gjykata Kushtetuese sjell një vendim që e thellon krizën politike.

Besa Arifi, njohëse e çështjeve juridike, vendimin e Gjykatës Kushtetuese në kolumnën e saj të fundit e ka vlerësuar si goditje ndaj përpjekjeve për të ndërtuar institucione të besueshme.

“Një vendim i këtillë, që minon të gjitha përpjekjet e vendosjes së një sistemi të drejtë dhe normal në këtë vend, një vendim i tillë që i jep goditjen përfundimtare çdo tentative për rivendosje të besimit tek institucionet, një vendim i tillë që rrezikon ta çojë këtë vend në një rrugë pa kthim dhe pa dalje”, ka shkruar ajo. /Telegrafi/