LAJMI I FUNDIT:

Frazat popullore dhe mendësia e shoqërisë sonë

Frazat popullore dhe mendësia e shoqërisë sonë

Frazat popullore gjithmonë më kanë intriguar me përmbajtjen dhe mesazhet e tyre. Ato shfaqin urtësi të thellë, dhe për më shumë kanë pasqyruar filozofinë jetësore të shoqërisë.

Mirëpo, jo gjithmonë e kanë dhënë mesazhin dhe filozofinë e duhur jetësore. Kuptimi njëdimensional i tyre ka qenë shkak për persekutim – heretizim nga shoqëria të atyre që tashmë kishin parë e kuptuar një realitet tjetër; apo kishin “zbuluar” një të vërtetë që mendësia e turmës nuk mund ta perceptojë.


Nëse i bëjmë një vështrim disa frazave te vjetra popullore, shohim se në opusin tonë kemi fraza të tilla, që japin konotacion nënshtrimi e servilizmi, ndaj shumicës që është në pushtet. Dhe, jo vetëm kaç, ato gjithashtu nënkuptojnë dhe nënshtrim ndaj mendimit – ideologjisë – që trumbetohet nga shumica.

Këto kuptime mund t’i nxjerrim nga frazat popullore si: “Delja që largohet nga kopeja e han ujku”. Pra, duke e fuqizuar shumicën i është dhënë monopoli i së drejtës asaj, duke mos lënë mundësi diversiteti në mendim dhe veprim të individit. Njeriu i ndryshon mendimet, sepse ai është “pronar” i mendimeve të veta dhe jo e kundërta.

Për ta sqaruar atë që thashë më lartë do të shërbehem me fraze tjetër: “Nëse të thonë tre veta je i pirë, mbahu në pemë”. Percepcioni mbi veten formohet në bazë të percepcioneve që të tjerët kanë për mua. Pra, percepcioni i percepcioneve është vetja ime.

Një pjesë jo e vogël bën përpjekje në të gjitha format dhe më gjithë forcën që ka të ruaj “integritetin e kopesë”, por ai që ka provuar jetën jashtë kopesë ndodhë nganjëherë që vetëm si i vdekur mund t’i kthehet kopesë.