LAJMI I FUNDIT:

Francezët rrisin konsumin

Francezët rrisin konsumin

Shpenzimet e konsumatorit në Francë gjatë muajit nëntor janë regjistruar në rritje prej 0.4 për qind, pas një rënie prej 0.8 për qind gjatë muajit tetor të këtij viti.

Instituti kombëtar i statistikave në vend bëri me dije gjithashtu se gjatë tre mujorit të tretë të këtij viti, rritja ekonomike ka qenë në shifrat e 0.3 për qind. Rritjen më të madhe e ka shënuar pikërisht konsumi i gazit dhe elektricitetit me 0.8 për qind, ndryshe nga rënia prej 6 për qind e dy muajve të mëparshëm.

Gjithsesi, gjatë të gjithë vitit, konsumi total i produkteve të energjisë ka pësuar një rënie me 8.9 për qind. Të dhënat për konsumin gjatë muajit nëntor, rezultojnë poshtë parashikimeve të mëparshme, të cilat flisnin për një rritje prej 0.6 për qind. Instituti francez i statistikave ka raportuar edhe për çmimet e prodhimit, të cilat janë regjistruar në rënie me 0.1 për qind në terma vjetorë.


Shenjë kjo që tregon se presioni inflacionit në ekonominë e dytë më të madhe të Eurozonës është komplet i mangët. Duke rikonfirmuar parashikimin e tre mujorit të shkuar për rritjen në 0.3 për qind, instituti i statistikave vulos kështu dështimin e parashikimit të vjetshëm për një ekonomi në rritje me 0.4 për qind gjatë 2014.

Raporti sjell gjithashtu lajme aspak pozitive për papunësinë, e cila pritet të ngjitet nga 10.4 për qind në fund të këtij viti në 10.6 për qind deri në fund të tre mujorit të dytë. Kryeministri francez, Manuel Valls, kishte paralajmëruar në një deklaratë të mëparshme se këto shifra nuk do të ishin aspak optimiste. /Telegrafi/