LAJMI I FUNDIT:

Foshnjat e Facebook-ut

Foshnjat e Facebook-ut

Duket e pabesueshme, por ndodh përditë. Sapo lind foshnja, ndonjë i afërm i saj nxiton ta fotografojë mirë e mirë, nga koka te këmbët, pa i hapur ende sytë dhe t’ua përcjellë për pak sekonda miqve të Facebook-ut. O tempora, o mores! Çfarë po ndodh kështu? Deri këtu duhet të depërtojë teknologjia e informacionit? Sigurisht që mjekësia, për nevojat e saj, e fotografon foshnjën që në barkun e nënës, por kjo është një gjë tjetër.

Problemi është se lakuriqësia është kthyer në një dukuri të mërzitshme të kësaj kohe, në vendin tonë të palodhur në kësi përformancash, por këtë nuk na e kanë borxh të sapolindurit, me të cilët luajnë si të duan të mëdhenjtë. Nuk ka mbetur asgjë pa qenë lakuriqe. Dhe askush nuk proteston për këtë marri kolektive, tani që me kompjuter bëhet gjithçka e kësaj bote tollovi, jo vetëm shkruhen libra, por dhe lidhen e zgjidhen krushqi.


Një adoleshente gjimnaziste në Tiranë pranon të (vetë)fotografohet nudo, pa menduar se veç të tjerash ato foto shpejt do të ktheheshin në kërcënim për të, nga ata që u kanë rënë në dorë, adoleshentë si ajo, duke i bërë presion familjes së saj për t’u dhënë një shumë parash në këmbim të ruajtjes së privacisë së vajzës së tyre, tashmë të dalë sheshit. Kanë pasoja të hidhura shaka të tilla pa kripë, që njeriu bën me veten për të qenë në modë, ndonjëherë duke kaluar deri në depresion. Si të mos përfshihen nga kjo dalldi idiote adoleshentet entuziaste, kur këngëtare nga më të njohurat fotografojnë të pasmet e të brendshmet e tyre dhe i leçisin në rrjetet sociale. Dhe kjo i shitet publikut për art!

Fundja, këta janë të rritur dhe ia bëjnë vetë “gjyqin” vetes, po me kërthinjtë si i bëhet? Me të sapolindurit që prindërit, hallat dhe tezet moderne na i shfaqin ashtu cullak. Facebook-u rëndom është mbushur me këso gjërash, ku lajmërohet ardhja në jetë e foshnjës me emrin iks. Një dorë e mbështjellë me fasho dhe numri i të sapolindurit, që të mos ngatërrohet në maternitet. Kjo është fotoja identifikuese. Pastaj flokët, koka, këmbët, një sajt me foto lakuriq. Mami: “Erdhi në jetë princi i shtëpisë sonë”. I ati: “Ky bukuroshi është shoku i babit”. Halla: “Kam kënaqësinë t’u bëj me dije se lindi nipi im i shtrenjtë”. Tezja: “Lindi mbesa më e bukur në botë”. Për disa kjo është krejt normale, madje supermoderne, kurse për disa të tjerë është diçka e tepruar, e qortueshme.

Fëmijët nuk janë kukulla, që të luajmë ne të mëdhenjtë me ta. Janë vërtet tanët, por jo lodra në duart tona. Kështu si e kemi nisur ndoshta do të shpallet ndonjë ditë konkursi miss foshnja e Facebook-ut. Çfarë nuk prodhon mendja e mbrapshtë njerëzore? Në vend që intimiteti i lindjes të mbetet i shenjtë, pa kamera e celularë, vetëm me ato ninullat e pazëvendësueshme të nënës dhe gëzimin e natyrshëm në rrethin familjar.

Lakuriqësia nuk është një temë e re, madje është nga më të vjetrat, por në arte, në pikturën edhe skulpturën e Mesjetës. Ashtu ajo është artistike. Kurse dalja nudo e njerëzve ka prodhuar gjithnjë sensacion, tabloide pafund e gjer pështirosje. Atëherë si është e mundur që foshnjat i nxjerrim lakuriq a gjysmëlakuriq, pa e vrarë mendjen. Nuk do mend që është një imitim i VIP-ave të skenës dhe ekranit, fëmijët e të cilëve lajmërohen para se të lindin! Priten me kamera sapo të dalin nga barku i nënës, paçka se ky është njëlloj përçudnimi.

Foshnja është veçse foshnje, pavarësisht se sa i famshëm apo anonim është prindi i saj. Nuk ka një motiv që foshnja e sapolindur të bëhet lajm, zakonisht jepet si i tillë fëmija i parë që lind natën e Vitit të Ri. Dhe mbi të gjitha kurrë nuk ka një arsye që fëmija i sapolindur të filmohet e fotografohet lakuriq. Nuk duhet ta lejojë vetë shtëpia e lindjes, spitali, ligji dhe nëse prindi e pëlqen këtë shfaqje të panatyrshme me pasardhësin e tij. Çfarë do t’i tregojë ai fëmijës së tij kur të rritet? Fotografinë e lakuriqësisë së tij! Po sikur fëmija kur të rritet, të mos e pranojë këtë “dhuratë” të prindit, por t’ia grisë atë fotografi të “turpshme”?!

Në mos hapshin dhe ndonjë gjyq për shkelje të privacisë së tyre që ditën e parë të lindjes! Nuk po thotë kush që të mos gëzohemi e lajmërohemi për lindjet, por ashtu siç ka hije. Klikoni dhe shihni sa e bukur është paraqitja e princeshës së ardhshme të Anglisë, vajzës së sapolindur të Dukës së Kembrixhit Ulliam dhe Dukeshës Kate. E “veshur” me pelena, me kokën e mbështjellë, në duart e prindërve të saj. Diçka normale që ngjet kudo e me cilët do prindër, përveç avanguardistëve të leçitjes së lakuriqësisë së fëmijëve të tyre.

Nuk ka mbetur tashmë asgjë pa u bërë publike. Jo vetëm lindja, por dhe vdekja. Thuajse është dhënë live në ndonjë rrjet sociale vdekja e një personaliteti të shquar të kulturës, shuarja e një akademiku kosovar në shtratin e vdekjes. Në fillim me tuba në hundë për marrjen e oksigjenit, pastaj pa jetë!? A do ta pranonte ai dhe cilido në atë gjendje një publicitet të tillë makabër? Edhe këtu është faji i organeve spitalore që e lejojnë një fotografim të tillë nga miqtë dhe të afërmit e të sëmurit, sikur çfarë po bëjnë. Ka ca limite që nuk duhen kaluar në asnjë mënyrë. Në emër të dinjitetit njerëzor dhe të privacisë së tij që mbrohet me ligj.

Si një i pasolindur, si një njeri në grahamat e fundit nuk mund të bërtasë për atë që të tjerët bëjnë me të, ndaj është dikush që duhet të reagojë në emër të tyre. Normalisht e para që duhet ta ndalojë këtë është familja. Por dhe ligji, kur familja nuk është vetë e përgjegjshme për të qenë humane. Nuk po i hyjmë anës tjetër, se të bësh fotografi është art, se ka disiplina në shkencat e komunikimit dhe fakultetet e Gazetarisë që të mësojnë se si bëhet fotografi e punohet me imazhin. Po ku don t’ia dijë amatorizmi që ka shpërthyer të gjitha fushat, edhe në këto selfiet e lindjeve dhe vdekjeve!… Kemi kaluar nga një traditë e shkëlqyer fotografike marubiane te fotografimi i lakuriqësisë dhe perversiteti fotografik. Është mëkat që vlerat mahnitëse të teknologjisë dixhitale t’i shpërdorosh në këtë farë feje, duke i kthyer fotografitë në ca si “fletushka” pa vlerë, apo thënë ndryshe si ato gjethet e vjeshtës që shkelen me këmbë duke e humbur bukurinë që kishin në pemë.

Nëna, u këndoni ninulla fëmijëve të sapolindur dhe mos lejoni të nxirren lakuriq në Facebook! Baballarë, u lini trashëgim fëmijëve dhe ndonjë bibliotekë e jo vetëm emrin e tyre të stampuar në ballinat e autogrileve, supermarketeve, kazinove etj. Halla dhe teze, u thurni ndonjë palë shputa të leshta për dimër vogëlushëve dhe mos i qitni në “resme” vend e pa vend. Miq, kursejini fëmijët nga ky reklamim i gjithëkahshëm, i panevojshëm, i kritikueshëm. Është koha për një prindërim të mençur dhe jo thjesht “fotografik”.