LAJMI I FUNDIT:

Fjala e dhënë

Ose, siç njihet ndër shqiptarët, kulti i besës. Kjo fjalë e veçantë nuk ekziston në shumicën e gjuhëve të botës. Besa, ose kulti i fjalës së dhënë, lidhet në burim me mitin biblik të fjalës: “Në fillim qe fjala! “ Më para se të ishte shkrimi, marrëveshja, noteria, kontrata, gjyqi, shteti, njeriu, popujt, bota vetë, ishte fjala. Ky kult madhështor ruajti gjurmën e burimit tek shqiptarët.

Shqiptaret u lidhen fort në fjalën e dhënë, lidhja për fjale përbënte autoritetin e lartë të këtij populli. Të gjitha marrëdhëniet: në gjini, në fis, në besimet fetare, në bajrak, në nivelin e bashkësisë etnike, madje edhe në marrëdhëniet ndëretnike, mbaheshin në fjalën e dhënë.


Besa është testamenti, morali i shqiptarëve qysh prej periudhave mitologjike. Për këtë kemi dy balada më të rëndësishme që njeh folklori ynë, motivi i flijimit të Rozafës për ngritjen e një ure, që në popull njihet si Nusja e Murosur në Urën e Shenjtë dhe ringjallja e vëllait të vdekur, pse kishte lënë peng fjalën e dhënë, që sipas botëkuptimit shqiptar, dheu nuk e mban atë që vdes me besë, me për fjalën e dhënë por të parealizuar.

Premtimin e dhënë e mban edhe toka, element ky etnik shqiptar. Për këtë flet më së miri balada e ringjalljes së vëllait të vdekur për t’ia sjellë s’ëmës të bijën sipas fjalës së dhënë dhe për tu rikthyer përsëri në varr.

Fantazia popullore shqiptare, ka bartur në shekuj veprime mitike të kreshnikëve shqiptar, si prijës të mençur e të prajshëm të çetës, strategë e guximtarë të pashoq e mjeshtër të sprovuar në beteja, tolerues brenda kreshnikëve, por edhe në marrëdhëniet me kundërshtarët, të cilët nuk i vret kur i zë në gjumë, por edhe t’i falë kur i bijnë në dorë e raste të tjera, duke u udhëhequr nga morali i urtisë popullore: “ Mos bën çka ta kanda, se të gjen çka nuk ta kanda!”

Një temë tjetër shumë e përhapur në baladat tona është ajo e të liruarit e kreshnikëve shqiptar në besë nga burgjet e krajlave siç janë të tipit të Konstandinit të Vogëlith, të Ago Ymerit, të rinjohjes së burrit me gruan, femra këto të ndershme në planin e bashkëshortësisë, por edhe të respektit për fjalën e dhënë, veçori këto të etikës së pastër e të vlerësuar si virtyte te larta shpirtërore.
Kreshniku tjetër i baladave tona, Gjeto Basho Muji ishte i lidhur ngushtë në besë në orët e zanat e malit të cilat ia patën gurëzuar dasmorët. Ai i zuri dhit briarta, ku zanat kishin fuqinë fantastike, për t’i nxitur ato në dhënien e besës, se nuk do t’i pengojnë më kreshnikët, që të pasoj pastaj edhe besa e heroit:
“Zana jeni e zana kjoshi!
Dhitë e egra u kjoshin falë!”

Për ta besa ishte e shenjtë. Mbajtja e saj është një nga virtytet që i dallon kreshnikët nga kundërshtarët e tyre. Por kur e kërkonte nevoja kreshniket shqiptar bënin hakmarrje kundër rivaleve. Çdo vrasje me vrasje, shpreheshin ata, çdo rrëmbim me rrëmbim, çdo djegie me djegie e kundërveprime të tjera edhe të tepruara. Kur tjetri dinte se do të pasojë hakmarrja, më vështir mund të vendoste t’ia bënte tjetrit të keqën.

Por për luftën ata kryefjalë e patën: (Kurrë prej luftërave, thanë fitim mos paçim! – fjala është për përfitim material…) Tabloja e këtillë, është njëra nga dëshmitë më të forta të vlerës së besës. Edhe pse këta trima u ngriten në nivel kulti megjithatë kur vritej ne bejlegje ndonjë nga fëmijët e tyre ata ndjenin dhembje njësoj si njerëzit e rëndomtë, ja çfarë thotë kjo këngë për Omerin djalin e Mujit tek e vajtonte të varri e Ëma:
“Mor Omeri i nënës – o o o !
A thue gjogun me ta prue ?
Del ndoniher per me lodrue,
Bjen ndër gurra me u freskue,
Kërkon majet bashkë me zana,
Se ty varrin ta ruen nana. “

Tablo kjo me plot suptilitet ndjenjash prindërore të shfaqura në një moment tepër të rëndë psikik, jo vetëm se ka tretur gjakun e gjakut, por edhe ka humbur shpresat e trashëgimisë së brezit. Atëherë preket thellë në zemër çdo gjë e gjallë, nëna në shfrimet e tilla, është e pa frenuar dhe dhembja e saj mund çdo fuqi dhe zbut çdo zemër.

Gjatë këtij shkrimi po mendoja pse nuk i kemi me besë të tillë edhe politikanët tanë!? Dhe kujtova frazeologjitë e rapsodit:
“Vala valën s’pe përvlojka,
Zjarrmi zjarrmin nuk po e gjetka,
Gjarpni gjarpnin s’pe helmojka.”

Rapsodi përmes frazeologjisë këshillon brezat në raport ndaj të huajve (armiqve), duhet patur kujdes të posaçëm, sepse armiku mbetet gjithmonë armik.
Heroizmi shqiptar, në shtegtimin e gjatë të kohës, njohu një galeri të madhe trimash. Fjala është këtu për nevojën psikologjike të ribërjes së të shkuarës së lavdishme, për të ndërfutur në të korrigjime. Kësisoj fjala është për një transformim të kujtesës tradicionale autentike shqiptare.

Janë të njohura rrëfimet e panumërta në të kaluarën dhe të tashmen mbi rrenacaket politikan që u qorrollepsin trut dëgjuesve të tyre. Këtij politikani rrenacak i duket se para tij është hapur perspektiva e ngjitjes së suksesshme në karrierën zyrtare. Formimi dhe talenti që i duken se i ka këto vlera. Ai u vu ta zbukuroj e stolis atë me rrenën, kësi soj rrena del jo vetëm si kthim i deformuar i realitetit të vërtetë, por edhe si sferë krejt e pavarur e lirisë së të folurit.

Ky është politikani – rrenacak i hollë. Atij – lavdia, atij – kurorë. Për këtë ky soj politikani s’di asgjë për besën shqiptare. Për fjalën e dhënë. Për premtimin e dhënë. S’ka edhe si e mban fjalën e dhënë.