LAJMI I FUNDIT:

Finalizohet Brezovica

Finalizohet Brezovica

Situata e krijuar politike nuk do ta pengojë përzgjedhjen e kompanisë fituese që shpallet kontrata finale për koncesionimin e kompleksit turistik “Brezovica”. Sot do të dorëzohen ofertat për shpalljen finale të koncesionimit për t’u zgjedhur kompania fituese për këtë kompleks turistik. Këtë e ka konfirmuar këshilltari politik i Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Demolli.

“Të martën do të dorëzohen ofertat dhe ne presim që nga këto katër kompani të përzgjidhet fituesi”. Sidoqoftë, tri konsorciume dhe një kompani tashmë janë kualifikuar për dhënien me qira të kompleksit turistik “Brezovica”. Një konsorcium është austriako – amerikan, një bullgaro – austriak, konsorciumi tjetër është nga Franca dhe Andora, si dhe një kompani serbe, shkruan Tribuna.

Demolli ka thënë se këto kompani posedojnë kapacitete të nevojshme për të projektuar, financuar dhe ndërtuar një qendër për turizëm malor dhe rekreacion përgjatë gjithë vitit për vizitorët lokalë dhe ndërkombëtarë.


Ai ka theksuar se ngjarjet politike në vend nuk mund të ndikojnë në projekt, sepse sipas tij, ky është projekt ekonomik dhe jo politik. /Telegrafi/