LAJMI I FUNDIT:

Fillojnë hetimet për aterimin e Mimoza Kusarit në Aeroportin e Gjakovës

Fillojnë hetimet për aterimin e Mimoza Kusarit në Aeroportin e Gjakovës

Kanë filluar hetimet lidhur me skandalin e aeroplanit me të cilin një javë më parë ‘fluturoi’ kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, i cili në mënyrë të kundërligjshme ateroi në Aeroportin e Gjakovës.

Rastin e ka konfirmuar për portalin “Infokusi” drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Driton Gjonbalaj.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila një javë me parë ka bërë një shkelje flagrante të Ligjit mbi Aviacionin Civil.


Ajo gjatë një aventure me avion privat të afaristit Miroslav Kucera nga Bratislava, ka ateruar në Aeroportin e Gjakovës pa marrë leje nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe pa marrë koordinata nga Kulla e Trafikut Ajror.

Për këtë rast menjëherë kanë filluar hetimet dhe kjo është konsideruar si një skandal i rëndë.

Fillimin e hetimeve e ka konfirmuar për portalin “Infokusi” drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Driton Gjonbalaj. Ai ka thënë së menjëherë, ditën që ka ndodhur rasti janë marrë masat e nevojshme administrative dhe kanë filluar hetimet.

“Është e vërtetë se piloti (Miroslav Kucera), ka pasur leje nga Autoriteti i Aviacionit Civil e po ashtu konfirmim nga Kontrolli Ajror që të fluturoi nga Aeroporti i Prishtinës deri në Gjakovë dhe të kthehet prapë të ateroi në Aeroportin e Prishtinës. Piloti ka ateruar në Gjakovë dhe ndaj këtij veprimi janë marrë masat e menjëhershme administrative dhe kanë filluar hetimet. Inspektoret përgjegjës kanë intervistuar pilotin dhe tash ky rast është duke u hetuar dhe nuk mund të japim detaje më shumë”, ka thënë Gjonbalaj.

Sipas tij, e gjithë përgjegjësia ligjore në këtë rast bie mbi pilotin dhe sipas ligjit të Aviacionit Civil pasagjerët nuk kanë asnjë përgjegjësi për veprimet e pilotit.

Ndryshe, pas këtij aterrimi të paligjshëm, Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila e ka shkruar një postim në profilin e saj në “Facebook” duke u mburrur se ka realizuar fluturimin e parë civil në Aeroportin e Gjakovës.

“Sot më 19 Shkurt, 2015 realizuam fluturimin e parë civil në Aeroportin e Gjakovës. Fluturimi zgjati 15 min nga aeroporti i Prishtinës”, shkruante në statusin e Kusarit në “Facebook”. /Infokusi/