LAJMI I FUNDIT:

FIA do t’i sigurojë licencë Schumacherit

FIA do t’i sigurojë licencë Schumacherit

Rikthimi i legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, duket të jetë shumë pranë realizimit, sidomos pasi që FIA ka vendosur t’ia sigurojë lejen për ta zëvendësuar pilotin e lënduar të Ferrarit, Felipe Massa.

Të enjten trupi drejtues i Formula 1, FIA, ka konfirmuar se do t’i japë licencë shtatëherë kampionit të botës që të garojë në kompeticionet e radhës, duke filluar nga Çmimi i Madh i Evropës që do të mbahet muajin e ardhshëm në Valencia.

Schumacher herën e fundit është paraqitur në garën për Çmimin e Madh të Brazilit me 22 tetor 2006, ndërsa sipas rregullave të FIA-s një pilot mund ta sigurojë licencën nëse para tre vitesh ka garuar në 15 kompeticione.

Gjermani e plotëson këtë kusht, meqenëse ka pilotuar bolidin e Ferrarit në 18 garat e vitit 2006.