LAJMI I FUNDIT:

Ferizaj plan për zbutjen e gjendjes së rëndë ekonomike

Ferizaj plan për zbutjen e gjendjes së rëndë ekonomike

Komuna e Ferizajt ka paraparë që këtë vit të nis zbatimin e një plani të veprimit i cili në fokus të tij ka zhvillimin ekonomik dhe uljen e nivelit të papunësisë. Zyrtarë komunal kanë bërë të ditur të mërkurën se ky plan i veprimit ka paraparë realizimin e shumë objektivave dhe aktiviteteve që duhet të ndërmarr komuna.

Zëdhënësi i komunës, Naim Ferati, ka thënë për Kosovapress, se në këtë plan të veprimit janë të involvuar disa drejtori komunale që do të merren me aspekte që u takojnë atyre. “Qëllimi i planit ka të bëjë me inicimin e hartimit të politikave më të mira zhvillimore, qasje më të mëdha për bizneset. Janë paraparë edhe shumë veprime me qëllim të rritjes së aktivitetit afarist të të biznesit të Ferizajt e sidomos bizneseve të reja dhe atyre aktuale”, ka thënë Ferati.

Për më tepër mësohet se plani parasheh edhe një sërë veprimesh që do të ndikojnë në zbutjen e papunësisë. “Si aktivitete kryesore janë paraparë edhe hartimi i një regjistri të familjeve që nuk e kanë të punësuar asnjë anëtar. Përgatitja e fletë palosjeve dhe propagandimi i të gjitha projekteve që i ka komuna sidomos atyre zhvillimore, ku janë të hartuara 36 plane biznesi, të cilat janë mundësi për investime në komunën tonë”, thekson Ferati.


Komuna në kuadër të aktiviteteve ka paraparë edhe organizimin e takimeve me afaristë të komunës dhe me afaristë ferizajas që veprojnë në vendet perëndimore. “Parimisht kemi paraparë që të takohemi fillimisht me njerëzit tanë, t’u ofrojmë mundësi bashkëpunimi së pari atyre por pa përjashtuar edhe takimet tjera me donatorë e investitorë të cilat e kanë interes për të investuar në komunën tonë. Këtu duhet përmendur edhe lobimin e pandalshëm të kryetarit të komunës dhe drejtorive me institucione ndërkombëtare si me Komisionin Evropian, Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar”, ka thënë Ferati.

Ky plan ka ardhur si rrjedhojë e një zhvendosjeje masive të qytetarëve drejtë perëndimit, pasi që sipas shifrave Ferizaj prinë në këtë aspekt. /Telegrafi/