LAJMI I FUNDIT:

Ferizaj me projekt për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit

Ferizaj me projekt për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit

Reshjet e fundit të borës dhe paralajmërimet për një dimër me reshje dhe me temperatura të ulta, kanë bërë që komuna e Ferizajt ta merr më seriozisht procesin e mirëmbajtjes së rrugëve gjatë stinës së dimrit.

Ndonëse ende nuk janë përcaktuar firmat fituese të këtij projekti, zyrtarët komunal kanë bërë të ditur të enjten se po punohet intensivisht që brenda një periudhe sa më të shkurtër të kryehen procedurat e tenderimit dhe kështu kompanitë fituese të nisin përgatitjet.

Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë, Fatmir Azizi, ka thënë për KosovaPress se projekti i mirëmbajtës së rrugëve për sezonin dimëror është i ndarë në tri Lote, i pari që parasheh mirëmbajtjen e qendrës së qytetit, i dyti dhe i treti i konceptuar për mirëmbajtjen e rrugëve për pjesën lindore dhe perëndimore të qytetit përfshirë edhe fshatrat


Azizi, ka thënë se me këtë po synohet që rritet shkalla e efikasitetit të punëve në teren.

“Ne kemi planifikuar se kjo ndarje do të jetë më efikase dhe se në këtë formë mbulueshmëria e terrenit do të jetë pothuajse e plotë. Brenda javës së ardhshme pritet të përfundojnë procedurat dhe shumë shpejtë do të dihen edhe kompanitë fituese”, ka thënë Azizi.

Zonat malore të komunës mbeten më problematike. Lidhur me këtë zyrtarët kanë thënë se rruga për në fshatin malor të Jezercit, mirëmbahet nga kompanitë fituese të angazhuara nga Ministria e Infrastrukturës, ngase llogaritet si rrugë rajonale, ndërsa rruga për në fshatin tjetër malor të Burrnikut është e paraparë që të mirëmbahet nga kompanitë që do ta fitojnë projektin e mirëmbajtjes së rrugëve gjatë sezonës dimërore. /Telegrafi/