LAJMI I FUNDIT:

Fëmijët njihen me KEDS-in dhe energjetikën

Fëmijët njihen me KEDS-in dhe energjetikën

Zyrtarët e KEDS-it sot patën një vizitë ndryshe nga ato të zakonshmet. Një grup nxënësish prej 30 vetave të Qendrës Kreative, Institucion Parashkollor në Prishtinë, qëndruan për një vizitë informative në KEDS.

Shkallët e Ndërtesës Qendrore gumëzhinin nga zërat gazmorë të fëmijëve të kësaj Qendre të shoqëruar nga drejtoresha dhe disa mësuese.

Fëmijët u pritën nga Drejtoresha e Burimeve Njerëzore në KEDS, Valbona Kadrijaj, e cila u shpjegoi në përgjithësi fëmijëve procesin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Pastaj vazhduan në Departamentin e Kalibrimit, dhe aty fëmijët panë nga afër njehsorët për matjen e energjisë elektrike dhe bënë shumë pyetje. Si ndalet energjia elektrike, si vjen ajo deri te shtëpitë tyre, pse duhet ta kursejmë rrymën, ishin disa nga pyetjet e parashtrua nga nxënësit. Përgjigjet i morën nga Shukri Aliu, nga Departamenti i Kalibrimit, i cili me shembuj sa më të qarta ua shpjegoi të gjitha në detaje fëmijëve.


Nxënësve u pëlqeu shumë vizita dhe disa prej tyre shprehën dëshirën që kur të rriten të vijnë të punojnë këtu.

“Unë kur të rritem dua të bëhem inxhinier dhe të punoj në KEDS”, thotë Edvin Rakovica, nxënës i klasës së dytë. Kurse nxënësja Liza Siqani, thotë “ Unë pashë sot orët e vjetra dhe ato të rejat për matjen e rrymës, por ato digjitalet më pëlqyen më shumë”. Kurse njëri prej nxënësve tha: “ Mua më së shumti më pëlqeu lëngu”.

Duke qeshur dhe duke kënduar ata përfunduan vizitën me shpresën që të takohemi përsëri. /Telegrafi/