LAJMI I FUNDIT:

Federata thirrje komunave, paguani mjekët

Federata thirrje komunave, paguani mjekët

Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës shprehë pakënaqësinë për deklarimet e disa drejtuesve të komunave të Republikës së Kosovës, të cilët janë shprehur në mediet e shkruara sot, më 8 shtator 2009, se detyrimi për kompensim në pagë prej 44 eurosh për punëtorët shëndetësorë të nivelit primar, nuk është detyrim i tyre sipas Marrëveshjes së 14 tetorit 2009.

Federata vlerëson se kjo Marrëveshje është arritur në nivelin më të lartë institucional të Republikës së Kosovës, të Presidentit, Kryeministrit dhe Ministrit të Shëndetësisë, dhe se kjo Marrëveshje detyron të gjitha institucionet shëndetësore që të japin 44 euro shtesë për çdo punëtor shëndetësor në vend prej muajit tetor 2008 e në vazhdim. Kryeministri Thaçi ka deklaruar se prej vitit 2010 kjo shtesë do të llogaritet në buxhetin e Qeverisë së shtesë në pagën e punëtorëve shëndetësorë.

Për më shumë, Kryeministri Thaçi, më 3 mars 2009, ka zhvilluar takim me gati të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës ku ju ka bërë të ditur Marrëveshjen dhe detyrimet që dalin prej saj. Drejtuesit e komunave në këtë takim kanë shprehur gatishmërinë që të zbatojnë këtë Marrëveshje dhe nuk ka më asnjë arsyetim të pranueshëm për moskryerjen e pagesës.

“Çdo tentim për ta politizuar këtë çështje, me qëllim të moskryerjes së pagesës nga komuna të caktuara të Republikës së Kosovës, do të na detyrojë të reagojmë. Nëse brenda këtij muaji, shtator, nuk i kryejnë detyrimet komunat që nuk i kanë kryer deri më tani, do të fillojnë grevat në nivel lokal. Gjithashtu, ne e shohim si krejtësisht të padrejtë dhe të pamoralshme, përdorimin e kryerjes së këtij detyrimi nga drejtues të caktuar komunash për propagandë politike parazgjedhore. Ky është detyrim që komunat duhet ta kryejnë dhe nuk është shpërblim nga vullneti i mirë i ndonjë kryetari komune,” ka thënë kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Asllan Bajrami.


Deri më tani komuna e vetme që nuk ka paguar asnjë muaj, as për 3-mujorin e 2008-s e as, shtesën prej 44 eurove është ajo e Gjakovës. Ndërsa komunat e tjera të cilat nuk kanë kryer obligimin për vitin 2009 janë: Gjakova, Gjilani, Ferizaj, Podujeva, Kamenica, Vitia, Fushë Kosova, Kastrioti, Lipjani, Drenasi, Skënderaj, Istogu, Malisheva, Theranda, Rahoveci, Deçani, Sharri, Hani i Elezit.