LAJMI I FUNDIT:

FED nuk e ndryshon politikën monetare

FED nuk e ndryshon politikën monetare

Pas takimit dy ditor të Këshillit Mbikëqyrës të Rezervës Federale, kjo e fundit ka deklaruar se do të tregohet e duruar për të rritur normat e interesit.

Në deklaratën e saj FED thekson se ekonomia amerikane është duke u forcuar. Me votë unanime Këshilli Mbikëqyrës vendosi të shtyjë për një afat tjetër ndërhyrjen në politikën monetare. Rezerva Federale nënvizon gjithashtu faktin se inflacioni ka pasur tendencë në rënie dhe se një gjë e tillë do të vazhdojë edhe në muajt në vijim.

Por, në terma afat shkurtër ajo vlerëson se norma e inflacionit do të regjistrohet në rritje për shkak të përmirësimit të tregut të punës dhe eliminimit të efekteve të përkohshme të çmimeve të ulëta të energjisë.


Aktiviteti ekonomik, vlerësohet në zgjerim me një hap të qëndrueshme, duke rishikuar kështu vlerësimin e mëparshëm të muajit Dhjetor ku cilësohej me hap të moderuar. Në deklaratën e rezervës federale nuk përmendet aspak forcimi i dollarit amerikan apo problemet e ekonomive të tjera të globit, duke sinjalizuar se fokusi i tyre i vetëm mbetet tregu i punës dhe rritja ekonomike e qëndrueshme.

Analistët shprehen se lëvizja e fundit sinjalizon se as në muajin Mars nuk do të ketë rritje të normës bazë të interesit. Parashikimet flasin për një rritje me 25 pikë bazë gjatë vitit në mënyrë simbolike nga ana e rezervës federale. Tregjet duket se nuk kanë reaguar ndaj deklaratës së Rezervës Federale. /Telegrafi/