LAJMI I FUNDIT:

Falen borxhet, përfitojnë hajnat

Falen borxhet, përfitojnë hajnat

Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i falë qindra miliona euro borxhe publike të akumuluara nga subjekte afariste dhe qytetarë të papërgjegjshëm, nga viti 1999 deri më 2008, shkruan sot Koha Ditore. Qeveria nuk ka dhënë detaje rreth përfituesve të kësaj faljeje.

Ka thënë vetëm se me këtë hapet një kapitull i ri për perspektivën e qytetarëve dhe të ekonomisë së vendit.

Megjithatë, sipas ekspertëve të ekonomisë, përfituesit më të mëdhenj pritet të jenë subjektet afariste, qytetarët e komunave me shumicë serbe dhe qytetarët e tjerë të papërgjegjshëm e të afërt me politikën.


Kategoritë sociale, sipas tyre, nuk pritet të kenë pjesëmarrje të madhe në totalin e borxhit, meqë rreth 50 mijë familje janë liruar nga borxhi ndaj KEK-ut që ka pjesëmarrjen më të madhe në borxhin publik, qysh vitin e kaluar me vendim të ish-kryeministrit Thaçi. Këto familje janë të përfshira edhe në disa skema lehtësuese të shërbimeve publike.

Qeveria, përveçqë nuk ka bërë prerje të kategorive përfituese, nuk disponon as me shifrat e sakta për sasinë e borxhit të vjetër publik. Dihet vetëm se mbi 200 milionë euro janë taksa të papaguara, shumica ndaj ATK-së, nga subjektet afariste. /Telegrafi/