LAJMI I FUNDIT:

Eurozonë, rritet besimi

Eurozonë, rritet besimi

Besimi në Eurozonë u përmirësua gjatë dhjetorit, pasi investitorët janë më shumë optimistë për të ardhmen, për shkak të pritshmërive se Banka Qendrore Europiane (BQE), do të fillojë blerjen e aseteve të vendeve anëtare vitin e ardhshëm.

Indeksi i grupi i kërkimeve të tregut, Sentix, që mat moralin e investitorëve në Eurozonë, u rrit në -2.5 në dhjetor nga -11.9 që ishte në nëntor. Analistët parashikonin një përmirësim të lehtë, deri në -10.5 pikë. Rritjen më të madhe e regjistroi nën-indeksi që mat pritshmëritë e investitorëve, që rezultoi në 12 pikë nga -2 që ishte në nëntor.

Kjo ishte rritja e tretë më e madhe mujore në historinë 12 vjeçare të këtij indeksi. Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, deklaroi javën e kaluar se banka që ai drejton do të vendosë në fillim të vitit të ardhshëm, nëse do të marrë masa të tjera për të rigjallëruar ekonominë e brishtë të bllokut.


Banka Qendrore ka vendosur vetë një qëllim për zgjerimin e blerjes së aseteve nga bankat dhe nga aktorët e tjerë, me shpresën e rimëkëmbjes së ekonomisë. Vëzhgimi i Sentix sugjeron se perceptimi i investitorëve për gjendjen e ekonomisë u përmirësua gjatë dhjetorit, por po qëndron në territor negativ.

Edhe nën-indeksi që mat besimin në Gjermani u rrit në 19.6 pikë nga 9.8 në nëntor, pasi euro e dobët posi ndihmon eksportet e ekonomisë më të madhe në Europë, ndërsa konsumatorët dhe kompanitë po përfitojnë nga çmimet e ulta të naftës. /Telegrafi/