LAJMI I FUNDIT:

Erdogan: Shqipëria mund të bëhet transit i “Nabucco”

Erdogan: Shqipëria mund të bëhet transit i “Nabucco”

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan konfirmoi idenë se Shqipëria mund të marrë rolin e furnizuesit transit të gazsjellësit më të rëndësishëm të kontinentit, “Nabucco”.

Deklarata e Erdoganit erdhi gjatë një samiti që po zhvillohet në Romë për sigurinë botërore dhe ushqimeve, organizuar nga OKB. Ai theksoi se po punohet për zgjerimin e rrjetit të gazit natyror Nabucco drejt Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë.

“Nabucco është një nga projektet më të rëndësishme të BE-së. Ky projekt ka tre partnerë. Ju e dini se ne furnizojmë me gaz Greqinë, dhe aktualisht po përpiqemi ta zgjasim atë drejt Shqipërisë dhe Italisë. Këtë projekt ne e konsiderojmë si një alternativë ndaj ‘Rrymës së Jugut’. Nëse ‘Rryma e Jugut’ nuk i plotëson kërkesat e BE-së për energji, Nabucco do të jetë një opsion i rëndësishëm”, deklaroi kryeministri turk.

Bashkimi Evropian synon të ndërtojë gazsjellësin prej 3.300 kilometrash të gjatë për të lidhur rajonin e detit Kaspik, Lindjen e Mesme dhe Egjiptin, me Evropën Qendrore e Perëndimore përmes Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë. Ideja e BE-së është që të ndërtojë një tubacion të madh me shumë pika furnizimi dhe shumë degëzime shpërndarëse.


Në vendin tonë mund të ndërtohet një regazifikator në Seman, si dhe një gazsjellës që do të lidhë bregdetin shqiptar me Bullgarinë.

Ndërkohë, qeveria shqiptare ka hyrë sakaq në bisedime me Katarin për të siguruar furnizime me gaz të lëngshëm. Projekti i përgatitur nga ASG Power synon të ndërtojë një regazifikator me madhësi 30 miliardë metër kub. /start/