LAJMI I FUNDIT:

Ëndrra e hirtë e politikës

Ëndrra e hirtë e politikës

“Bëje Zot ëndërr”, po i lutej Zotit një politikan i ri kosovar, i cili sapo kishte aderuar në njërën nga partitë e forta në vendin tonë krejtësisht të brishtë dhe ende të panjohur plotësisht nga faktori ndërkombëtar. Të panjohur përpos në futboll dhe në xhudo, natyrisht. Edhe në muzikë. Edhe në shumëçka tjetër për çka nuk ka merita politika. Edhe përkundër “selfijeve”, “belfijeve” dhe “gjitha “ijeve” tjera, për futboll dhe sport meritat e politikës janë krejtësisht të dyshimta, por mos të ngatërrohemi qysh në fillim. Po flasim për ëndrrat e politikës. Ëndrrat e saj të hirta.

Në këtë shkrim nuk është fjala për atë partinë e fortë komike, e cila dikur na bënte të qeshim e të qanim njëkohësisht, të krijuar dikur enkas për nevoja të veçanta të oligarkisë e cila donte të…! Le! Askush nuk e dinte në fakt çfarë donte oligarkia, apo pse ishte themeluar ajo parti përveçse dihej që e kishin formuar të fortët. A nuk e kanë të njëjtin qëllim të gjitha partitë sot? A nuk formohen për të argëtuar masën dhe për të arkëtuar votën? Idealizma ka vdekur prej kur mediat shesin terminet.


Nejse, politikani i ri ishte përkundur tërë ditën në ëndrrat rozë për pushtetin dhe krejt kjo filloi t’i luhatej para sysh derisa po i shihte sondazhet dramatike në njërën nga mediat tona nacionale. E kishte zënë fushata moderatorin e qe besa edhe publikun. Nëse e ke hapur rastësisht kanalin, domosdo edhe ti do të përfshiheshe nga atmosfera.

Heroit tonë të këtij rrëfimi, po i përzihej dhe po i merreshin mendtë, gjithnjë në kuptimin metaforik dhe euforik të fjalës. “Nuk është e mundur të ndodhë kjo”, tha dhe i fërkoi sytë. Prej nga gjithë këto vota, qoftë edhe digjitale? “Paraja e kthen edhe ujin përpjetë”, iu kujtua thënia e moçme dhe mezi u bind. Vështirë u bind, edhe pse vet ia kishte “tha” paret kësaj pune.

“Ne që e çliruam këtë vend, a s’është e drejtë të qeverisim së paku derisa kjo gjeneratë të pensionohet?”, e kishte pyetur mbrëmë komandanti i dikurshëm, tashmë i veshur me kostumin blu me yjet e verdha në kravatë? Para se të përgjigjej, e ktheu një gotë. “E drejtë është”, ia ktheu, edhe pse kur ishte çliruar vendi mund të kishte pasur e shumta pesë vjet. Kështu e mbylli edhe këtë ditë përplot me dilema dhe stres. Fjeti vetëm para mëngjesi, derisa nga bebëzat ende nuk i ishin shlyer shifrat të cilat ende askush nuk i besonte, e më së paku ai vet! Por, ai nuk ia linte gjërat besimit. Besimi duhej krijuar. Për të edhe Zoti ishte “brendi” më i suksesshëm i njerëzimit, thoshte shpesh nëpër debate përplot arsye, me gotën përpara.

Atë natë edhe komandanti, tashmë i rryer në politikë, ra me fjet vonë , me emocione të përziera. U rrotullua për disa orë rresht në shtrat derisa e zuri gjumi. Kishte kohë që s’i kishte ikur gjumi kështu, për arsye të cilat dikur as i bënte hesap.

“Sondazhet e mallkuara. I paskan porositur edhe këta”, mërmëriti nëpër dhëmbë. Në një medium tjetër po rrotulloheshin numrat tjerë. Aq shumë i kishte rritur bebëzat nga habia, sa fare lehtë mund t’ia lexoje numrat digjital që xixëllonin hareshëm në ekranin e larmë e me ngjyra të “dhezta”. Aty po fitonte opozita.

“E dinë lojën ‘ujqit e hirtë’ të politikës”, tha me vete. Ashtu e quante ai një pjesë të opozitës me të cilën kishin qeverisur gjatë, qoftë nëpër institucione, qoftë nëpër sofrat tradicionale ku shpesh merreshin vendimet të cilat më vonë formalisht aprovoheshin në Parlament apo në Qeveri.

“A është e mundur të ndodhë”, pyeste ai, duke e sharë veten përse e kishte shtypur pilotin digjital dhe kishte kaluar në kanal tjetër, në kanalin e tyre, duke ikur aksidentalisht nga kanali televiziv i partisë së tij i angazhuar të transmetonte ëndrrat e partisë së fortë në këtë sezonë.

Po e shihni pra se ky është një tregim që ka të bëjë me ëndrrat dhe zhgjëndrrat e politikës. Ëndrrat e hirta të politikës shpërfaqin dëshirën për me i marrë dhe me i konservu përjetësisht privilegjet. Ju kujtohet ëndrra partizane e cila na kujton filmat bardhezi, kur partizanët e veshur keq dhe të armatosur dobët hynin fitimtarë nëpër qytete, pasi kishin shpartalluar pushtuesin e egër dhe menjëherë fillonin të merreshin me kulakët. Gjithnjë bëhet fjalë për pasuritë që duhen marrë prej dikujt. Pastaj krejt kjo projektohet në art, në kulturë, në debate, me një fjalë shndërrohet në ideologjinë e kohës së re të meritave, të ndryshimeve revolucionare.

Ndryshimet revolucionare sjellin në skenë elitën e re edhe më të pasur se e shkuara. Vetëm populli mbetet i përjetshëm në besimin e tij se një ditë do të bëhet mirë. Vazhdimisht nxjerr idealistë që sakrifikohen për një të nesërme më të mirë. E nesërmja më e mirë ka kohë që ka ardhur, por ne s’e kemi hetuar ende. Këtë punë ka politika…