LAJMI I FUNDIT:

Emborgjezimi, disofria dhe euforia sociale kosovare

“Mirësia është karakteri i mirë, kurse e keqja është ajo që mbillet në veten tënde e për të cilën ti nuk dëshiron ta dinë njerëzit tjerë…"

Emborgjezimi në literaturën më të re sociologjike mund të konsistohet si një proces interesant për analizë sociologjike, e për disa edhe i natyrshëm dhe i pashmangshëm në të cilën shtresat e gjera të punëtorëve në kuadër të procesit të shtuar të industrializimit dhe masave – apo më mirë me thënë detyrave që merrte pushteti i atëhershëm komunist – ngriheshin duke përvetësuar si mënyrën e jetesës, ashtu edhe maniret dhe sjelljet e shtresave borgjeze të perëndimit.


Tani, me rënien e komunizmit, diskursi akademik këto shtresa po bënë përpjekjet t’i postojë në bazë të logjikës së stratifikimit ekonomik e kulturorë, në mënyrë që “defektinin” e mungesës së një klase tipike borgjeze, pra kapitaliste, ta kompenzojë me një rirreshtim të ri i cili në fakt nënkupton ngritjen e kësaj shtrese (që dikush me terminologjinë marksiste e identifikon edhe si klasë në vete?!) në piramidën shoqërore që aktualisht në pothuajse të gjitha vendet postkomuniste ka marrë hov.

Në fakt, ky proces i “ngritjes” lartë të kësaj shtrese e përgënjeshtron tezën sipas së cilës klasa punëtore me zhvillimin e kapitalizmit do të prodhojë antagonizma dhe dallime aq të mëdha, sa që klasa në fjalë do të varfërohet aq shumë dhe revolucioni si alternativë e ndryshimeve sociale e ekonomike, është i pashmangshëm. Procesi që është duke ndodhur aktualisht në pothuajse të gjitha këto vende, në realitet është duke e demantuar pohimin e vetë babës së marksizmit, pra Marksit, se shtresa e mesme do të shndërrohet në proletariat.

Tani, problemi i emborgjezimit në këto vende nuk përfolët si domosdoshmëri hipotetike, ngaqë është duke ndodhur dhe duke u joshur me të gjitha mjetet nga neoliberalizmi i shekullit tonë, por si një realitet që është duke ndodhur në pothuajse të gjitha vendet e ish bllokut lindorë. Në Rusi dhe në Kinës sidomos, sot mund të hasësh këtë dukuri të ngritjes apo avancimit edhe për arsye të thjeshta ekonomike. Kjo “ikje” nga statusi i vjetër social, në këto vende dhe sidomos në vendet që pak a shumë kishin një traditë më liberale të ndërtimit të kapaciteteve sociale, siç ishin ish Jugosllavia, pak a shumë e ka shpejtuar procesin e emborgjezimit të shtresave të margjinalizuara sociale.

Në fakt vendet si Shqipëria, ku kultivohej një lloj socializmi etatist (pra tipik stalinist), dukuria e identifikimit apo rindërtimit të statuseve të reja sociale që ishin më larg me sistemin kapitalist, u bë në mënyrë më të ngadalshme dhe më të vrazhdë. Themi kështu, ngaqë në të gjitha vendet e socializmit etatist, statuset sociale të punëtorëve ndërtoheshin sipas logjikës së egalitarizmit apo barazisë së skajshme sociale, gjersa në vendet tjera më liberale, si ishte ish Jugosllavia, Çekosllovakia, Polonia etj. ku statuset sociale të punëtorëve të këtyre vendeve mbaheshin përmes një konkurrence të “butë” ku prona private nuk stigmatizohej aq shumë sa për t’u bë pengesë serioze në përmirësimin e statuseve sociale dhe prestigjit të shtresave që kishin sens për të marrë veten dhe për të mbushë arkat e shtetit.

Një tjetër fenomen që gjithashtu kujtoj se e meriton vëmendjen e publikut të gjerë dhe pa mëdyshje edhe të kastës akademike, është ai i euforisë sociale që kur të vështrohet nga prizma e statuseve të kësaj natyre, na del si i kontestueshëm, ngaqë kjo gjendje apo dukuri ka të bëjë kryesisht me situatat kur përshkruhet një gjendje e mirëqenies sociale, që kur të krahasohet me këtë që e kemi ne në Kosovës, disi na del si një krahasim jo adekuat edhe për faktin se në Kosovë e dimë se nuk ka ndonjë mirëqenie solide sociale. E themi kështu, ngaqë krahasimin nuk e bëjmë me gjendjen dhe statuset e mëhershme sociale, pra të atyre të pasluftës, por e bëjmë me kohën e tanishme, vendet përreth, si edhe progresin e supozuar dhe të pritur nga qytetaria kosovare.

Pra, euforia sociale, sipas shumë sociologëve është një gjendje ku mirëqenia e krahasuar me vendet dhe shtetet përreth është e një shkalle të lakmueshme, për mos me thënë tepër joshëse në kuptimin e rregullimit të statuseve edhe privilegjeve të qytetarëve të një vendi apo shteti. Tani, krahasimi me prejudikimin për një gjendje të tillë të mirëqenies në Kosovë do të ishte jo adekuat dhe joserioz edhe për faktin që Kosova dhe qytetarët e saj, me këtë trend të varfërisë dhe skamjes, vështirë që do të mund të rekrutoheshin në një tip të tillë të shoqërive. Thënë më thjesht , kjo gjendje më shumë i ngjason shoqërive nordike – Suedisë, Norvegjisë etj. – pra, shoqërive që shquhen me një tip solidariteti të themi tipik organik.

Duhet përmendur që kjo gjendje apo status social i mirëqenies në këto vende, për qytetarët e tyre është rezultat i shumë faktorëve: një ndër këta faktorë padyshim janë edhe zbatimi dhe respektimi i ligjeve në fuqi, ndëshkimi permanent i agjentëve devijonte. Pra, këtu kryesisht kemi të bëjmë me ndëshkimet ndaj keqpërdoruesve të mirave publike, ku çdo gjë i nënshtrohet një konvente jo morale por ligjore etj.

Në ndërkohë, nëse e analizojmë termin apo dukurinë e gjendjes apo statuseve sociale për qytetarët në shoqërinë kosovare, që mund të identifikohet si disofri sociale, atëherë mendojë që kemi mjaftë situata dhe do mund të gjenim shumë elemente që përshkruajnë gjendjen e pavolitshme të tyre sociale. Ky konstatim natyrisht u adresohet problemeve që ata i kanë në përditshmërinë e tyre, ku mbijetesa fizike është bërë një mundësi ekzistenciale. Pra, jo një luks i llojit të vetë sikurse në shoqëritë e lartpërmendura, ku shkalla e papunësisë asnjëherë s’ka rënë nën 10 për qind, e ku planifikimi i kohës dhe mënyra e qasjes së problemeve sociale, atyre politike, ekonomike e kulturore, nuk ushtrohet përmes presionit të problemeve të grumbulluara, por përmes konsensusit -konsultimeve mirë të planifikuara nëpër institucionet e shtetit dhe mekanizmave tjerë institucional.

Gjendja apo statusi social i qytetarisë kosovare, në fakt është identik me gjendjet dhe situatat e shoqërive të fillimshekullit të kaluar, ku akumulimi i kapitalit të parë fillestar bëhej jo si rezultat i një konkurrence luajale midis elitave dhe kompanive të mëdha tregtare, por përmes një grabitjeje (siç e kam shquar unë në shkrimet e mëhershme) nga ana e elitave politike… një fenomen që teoritë e mëhershme sociologjike s’kanë mundur ta hasin gjithkund, por që tani me rënien e komunizmit në pothuajse të gjitha vendet e tranzicionit, është prezent si me mënyrën e përfitimeve, ashtu edhe me djallëzitë e vetë procesit të seleksionimit të elitave politike që po prodhon situata të tilla disofrike.

Në rastin e Kosovës, procesi i ndërtimit të mënyrës kapitaliste të raporteve shoqërore dhe atyre sociale, si edhe mentalitetit për të krijuar mirëqenien sociale përmes një konkurrence luajale, është një sfidë në vete që kërkon një analizë më të thukët dhe më të gjatë, edhe për shkak se si shteti, ashtu edhe fenomenet që janë duke ndodhur në këtë shoqëri, po na dalin si “sui generis”….!?

Edhe borgjezia e re që po krijohet përmes këtij kapitalizmit grabitqar, po duket se është një “sui generis”… Shkaqet dhe pasojat kujtoj që më së miri do ta qartësojnë këtë rrugëtim jo edhe të padhembshëm për gjithë shoqërinë kosovare.

.