LAJMI I FUNDIT:

Eksperimenti i radhës

Po bëhen afro dymbëdhjetë vite që kur Kosova u çlirua nga okupimi hegjemonist dhe tri vite që kur ajo shpalli pavarësinë. Gjatë gjithë kësaj kohe, mbi këtë vend të rraskapitur e të dërmuar nuk u ndalën as për një çast eksperimentet e formave dhe të llojeve të ndryshme nga të gjitha anët. Kosova dhe populli i saj nuk i meritojnë këto eksperimente.

Janë një mori e provave laboratorike të cilat janë testuar në Kosovë kohëve të fundit. Ndjekja e luftëtarëve të lirisë, gjoja për ta çuar drejtësinë në vend, bisedimet Kosovë-Serbi, zyrtarisht të paraqitura si bisedime teknike mes Prishtinës e Beogradit, tentimi për të emëruar një rumun në organet drejtuese të EULEX-it e të ngjashme, janë eksperimente nga të cilat nuk po kursehet populli i dërmuar i Kosovës. Për fat të keq të gjitha këto, drejtuesit e politikës ditore në vend po i ndihmojnë. Tek ndërkombëtarët nuk gjejë dozë faji.


Pa dashur të injorojë të gjitha këto ngjarje, nën optikën e vështrimit nuk do t’i nxjerrë ato, por ngjarjen të cilës pa nevojë ju kushtua vëmendje nga mediat në Kosovë. Për të mos e hequr as një gram nga mënyra se si u bë lajmi në ditoret tona për këtë ngjarje, do t’i referohem atyre fjalë për fjalë. “Me aksionin e ‘shkrirjes regjionale’, të martën, më 26 prill 2011, nga ora 11:55, në Prishtinë, në Sheshin ‘Nëna Terezë’, si dhe në Sarajevë, Lubjanë, Zagreb, Banja Llukë, Beograd, Shkup dhe Podgoricë, do të fillojë fushata më e madhe regjionale ndonjëherë e realizuar, gjatë së cilës do të mblidhen një milion nënshkrime të përkrahjes për themelimin e KOMRA-s, Komisionit Regjional për vërtetimin e fakteve për krimet e luftërave dhe shkeljeve të tjera të rënda të të drejtave të njeriut, të kryera në hapësirën e ish-RSFJ-së gjatë periudhës kohore 1991-2001”.

Për këtë KOMRA janë shumë gjëra të paqarta dhe shumë konfuze. Ende pa vështruar me kujdes detalet për këtë të ashtu emëruar komision regjional, shohim se diçka nuk shkon. Nga lajmi i publikuar vërejmë se një qytet i Bosnjës dhe Hercegovinës është vendosur në nivel me kryeqytetet tjera të rajonit. Me këtë automatikisht entiteti i BeH, i prodhuar pas gjenocidit dhe i emëruar pas Marrëveshjes së Dejtonit si “Republika Serbe” vjen, sipas KOMRA-s në nivel të shtetit të pavarur. Po të ishte kjo e vetmja vërejtje, nuk do të merrja mundin për të kundërshtuar kategorikisht këtë të ashtu emëruar komision regjional për vërtetimin e fakteve për krimet e luftërave në hapësirën e ish-RSFJ-së.

Nën thjerrëzën e këtij vështrimi nuk do të vendos çdo të metë të kësaj “iniciative regjionale më të madhe ndonjëherë të realizuar” siç u prezantua, nga se do të nevojiteshin faqe e faqe për të shkruar. Padyshim ka gjëra, që duke u nisur nga besimi im për të drejtat universale të njeriut dhe aktiviteti im për t’i promovuar ato, janë të dobishme për viktimat e luftës e të pagjeturit të cilat tentohen të proklamohen përmes kësaj KOMRA, mirëpo thelbësisht janë të parealizueshme nga fakti se ka shumë hile e kontradikta në këtë iniciativë.

Në këtë vështrim së pari do t’i shtrojmë disa prej të metave të kësaj iniciative regjionale të emëruar si KOMRA, e më pas qëndrimin se pse kjo gjë nuk ofron asgjë për viktimat e luftës dhe të pagjeturit në Kosovë.

Që në preambulën e draft statutit të Komisionit Regjional për vërtetimin e fakteve për krimet e luftërave dhe shkeljeve të tjera të rënda të drejtave të njeriut, të kryera në hapësirën e ish-RSFJ-së vërejmë se ka paqartësi. Preambula fillon me termin Palët kontraktuese, pa precizuar se cilat janë ato palë dhe çfarë statusi kanë ato. Kurse nga lajmi kemi vërejtur që edhe Banja Lluka renditet në nivel me kryeqytetet e shteteve si Serbia, Kroacia, Mali i Zi, IRJ e Maqedonisë, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.

Më pas në preambulë të draft statutit të KOMRA-s, theksohet se edhe pse Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavi i kontribuon drejtësisë duke dënuar kryesit e krimit ajo nuk i përmbush nevojat e viktimave për drejtësi. Domethënë, KOMRA do të jetë më e aftë të çojë në vend drejtësinë! Duke u nisur nga përvoja e bashkëpunimit të Beogradit me Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavi (më tutje ICTY) nuk mund të më bind askush që Beogradi dhe qeveria e tij do të bashkëpunojë në zbardhjen e fakteve më shumë me këtë Komision regjional për vërtetimin e fakteve për krimet e luftërave në ish-RSFJ.

Këtë defekt shtetërorë Kosova kurrë nuk e ka pasur dhe kjo nuk me çuditë fare. ICTY prej formimit të saj nuk ka pasur asnjë problem për të bashkëpunuar me Kosovën, ku si fakt do të përmend dorëzimin vullnetar të dy hershëm të gjeneralit Ramush Haradinaj. Ndërsa, pa dashur të ngreh paralele, të gjithë të akuzuarit serbë si ata në Serbi po ashtu edhe në Banja Lluka kurrë nuk janë vetëdorëzuar, përkundrazi edhe sot e kësaj dite Ratko Mlladiq, të cilin urrej ta quaj gjeneral është duke u fshehur nëpër birucat e Serbisë.

Lexuesve të nderuar do tu preferoja që të lexojnë librin e Florens Hartman, të titulluar “Paqja dhe ndëshkimi” e të shohë qartë bashkëpunimin e Serbisë me ICTY për të zbardhur faktet e krimeve të bëra në ish-RSFJ.

Mbështetësit e KOMRA-s shumë herë iu kanë referuar Komisioneve të ngjashme në Afrikën e Jugut, në Peru, në Argjentinë e në vendet e tjera, mirëpo kanë harruar se luftërat e zhvilluara në ish-RSFJ kanë pas tjetër karakter, ato nuk kanë qenë luftëra qytetare, por agresion ushtarak e kushtetues. Edhe pse në ato vende ka qenë më e lehtë të realizohen komisionet e këtilla, të gjitha me radhë kanë dështuar në një formë apo tjetër.

Iniciuesit e kësaj KOMRA flasin shumë për besimin në mes të komuniteteve etnike në rajon, mirëpo harrohet fakti që kryesi i krimeve, pra Serbia, që prej mbarimit të luftërave në ish-Jugosllavi nuk ka treguar as me më të voglin veprim se është e gatshme të jetë e sinqertë. Këtu nuk dua të flasë vetëm për raportet mes Kroacisë dhe Serbisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë, Kosovës dhe Serbisë, por as të Malit të Zi dhe Serbisë, mirëpo për gjendjen e të drejtave të bashkësive etnike të cilat ndodhen në Sanxhak e Luginë të Preshevës, të cilët nuk besojnë aspak në drejtësinë serbe. Këtë mosbesim nuk e kanë nga se janë të ngarkuar me nacionalizëm, por për faktin që të drejtat e tyre shkelen si askund tjetër. Për bëmat e ish-ministrit për të drejtat e njeriut në Serbi, z. Çipliq e din i gjithë opinioni në Serbi e në rajon. Pra si mundet që KOMRA të bëjë që shteti Serbë të jetë bashkëpunues?

Sipas iniciuesve të KOMRA-s, selia e saj do të jetë në Sarajevë që automatikisht nuk do të jetë aspak efektive për Kosovën, nga fakti që shteti i përbërë nga tre popuj konstitutiv dhe dy entitete ende nuk e ka pranuar shtetin tonë, e besa do të shkojë edhe shumë kohë deri të bëhet pranimi zyrtar i Kosovës nga Bosnja dhe Hercegovina. Gjë tjetër e cila Kosovën dhe shqiptaret i bënë të pabarabartë është edhe fakti i përdorimit të gjuhëve. Sipas draft statutit të kësaj KOMRA-s, thuhet që Komisioni, në mënyrë të detajuar me Rregullore, do të rregullojë përdorimin e gjuhës dhe alfabeteve, duke respektuar parimet e efikasitetit dhe nikoqirllëkut, që do të thotë se gjuhë kryesore do të jetë gjuha të cilës në BeH i kanë dhënë emrin gjuha BHS, boshnjake, kroate e serbe. Këto që veçova janë disa detale që në asnjë mënyrë nuk duhen pranuar si të mirëqena për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë të ashtu prezantuar si Komision regjional.

Derisa po lexoja arsyetimin e iniciuesve të kësaj KOMRA-s, pa dashur të banalizojë më vije të qeshja. Ata thonë se “Një komision i tillë do të mund të siguronte platformën publike për viktimat që të paraqiten dhe të flasin me zë, si dhe të njihen nga të tjerët”. Gjatë udhëtimeve të mia nga Vukovari, Srebrenica, Reçaku e vende të tjera ku kriminelët kanë bërë kërdi e orgjitë e tyre, kam dëgjuar shumë zëra të viktimave. Jam futur në gropa të thella të varrezave masive të cilat janë hapur në BeH. Kam dëgjuar e kanë folur shumë të mbijetuarit. Pra nuk është e vërtet se paska pasur heshtje gjatë gjithë këtyre viteve dhe se kjo KOMRA po e thyeka heshtjen. Promovimi i tolerancës dhe mirëkuptimit nuk do të arrihet siç arsyetohen iniciuesit e kësaj farë KOMRA-s se do të bëhet “përmes krijimit të hapësirës për palët e konfrontuara që të dëgjojnë për dhembjen dhe vuajtjen e pjesëtarëve të palës së kundërt në konflikt“, por nëse në kryeqendrën e krye kryesit të krimeve do të vinte në pushtet një Villi Brand dhe do të përulej në Vukovar, Srebrenicë e Reçak.

Për themelimin e këtij komisioni rajonal për mbledhjen dhe vërtetimin e fakteve për krime lufte janë angazhuar, Fondi për të Drejtën Humanitare nga Serbia, Qendra për Hulumtime dhe Dokumentime nga Bosnja dhe Hercegovina si dhe Documenta nga Kroacia. Me konsideratën më të madhe e them se FDH e drejtuar nga një zonjë e fortë siç është Natasha Kandiq ka bërë shumë punë të mira prej themelimit të saj. Zonja Kandiq është pjesëtare e një mahalle shumë të vogël të përparimtarëve në Beograd dhe një humaniste e vërtet. E kam lavdëruar reagimin e saj, pasi Bosnja dhe Hercegovina e humbi verdiktin pran Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me Serbinë, nga fakti që Beogradi zyrtar nuk i hapi arkivat dhe i qëndroi besnik politikës së vjetër agresive e nacionaliste.

Nëse Beogradi nuk paska pranuar që t’i hapë arkivat për GJND-në si është e mundshme që këtë ta bëjë për KOMRA-n? Para disa kohe rrethet intelektuale në Beograd tentuan që ta propozojnë kryeideologun e luftërave në ish-RSFJ, Dobrica Qosiqin për të marrë çmimin Nobel. Deri këtu arrin marrëzia serbe, kurse një gjë të tillë, pra çmimin Nobel, për një grua siç është zonja Kandiq, ndër humanistet më të devotshme për të drejtat e njeriut në Serbi, nuk e mendoi askush. Të njëjtën konsideratë e kam edhe për drejtuesen e OJQ Documenta nga Zagrebi, zonjën Vesna Tershlliq, kurse drejtuesi i Qendrës për Hulumtim e Dokumentim nga Sarajeva, Mirsad Tokaqa as në lagjen e tij nuk gëzon respekt. Jam plotësisht i bindur që edhe këta drejtues të këtyre organizatave iniciuese të kësaj KOMRA-s janë të vetëdijshëm që KOMRA është një eksperiment i pasuksesshëm dhe i cili do të dështojë.

Draft statuti përcakton që ky komision regjional do të financohet nga palët kontraktuese dhe donacionet. Nuk do të ishte aspak korrekte që të ndahen financa nga buxheti i Republikës së Kosovës për këtë eksperiment, mirëpo nga fakti që edhe me Planin e Ahtisarit e kemi të obliguar të bëhet hulumtimi i së kaluarës, atëher më korrekte do të ishte të shqyrtohej propozimi i para disa kohshëm i prof.dr. Pajazit Nushit, për themelimin e një Instituti për hulumtimin e krimeve kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare.