LAJMI I FUNDIT:

Edhe SPEK paralajmëron protesta

Edhe SPEK paralajmëron protesta

Pas vendimit të Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së, edhe Kryesia e Sindikatës së Pavarur të Energjetikës së Kosovës (SPEK), ka vendosë që të protestohet me 16 maj të këtij viti.

Njëherësh SPEK-u ka apeluar te të gjithë anëtarët e vet që të jenë pjesëmarrës në këtë protestë me përjashtim të atyre të cilët janë të lidhur me vendet e tyre te punës kurse largimi i tyre do të krijonte probleme në procesin e prodhimit.

Duke pasur parasysh se me 16 maj do te ketë protesta edhe nëpër qendrat e shteteve evropiane dhe moto e protestave është reagimi ndaj probleme të shkaktuara nga kriza ekonomike globale e cila ka filluar të reflekton në mënyrë shumëdimensionale si në shkurtime të vendeve të punës, me rënie ekonomike të kompanive me renome botërore, SPEK ka vlerësuar se në Kosovë do te duhej të jemi shumë më syçelur dhe të kemi strategji konkrete për tu mbrojtur nga kjo stuhi e rrezikshme që sjell edhe me tepër varfëri, shkurtime të vendeve të punës, rënie të nivelit të pagave, likuidim të ndërmarrjeve e shumë probleme tjera në këtë drejtim.

SPEK ka vlerësuar se gjendja në Kosovë është shumë më e rëndë kur dihet se kemi ekonominë e punësimit në të zezë punohet pa kontrata pune, pa paga meritore, pa orar, pa sigurime shëndetësore e pensionale si dhe pa siguri ne vendet e punës.


“Kur kemi mungesë të Kontratës Nacionale e cila do të mbronte punëtorinë Kosovare në nivel vendi kur në tërë Republikën e Kosovës, kur në Kosovë nuk ka ligj pune, fond pensional, sigurime shëndetësore, siguri në vendet e punës, kur në Kosovë nuk dëgjohet zëri i punëtorëve dhe në përditshmëri u cenohet dinjiteti, respekti e vlera që kanë, kur dihen problemet dhe vështirësitë me te cilat aktualisht përballen punëtoria kosovare krahasuar me atë Evropiane ne kemi arsye që të organizojmë protesta 365 ditë brenda viti”. /Telegrafi/