LAJMI I FUNDIT:

Edhe OEK i bashkohet iniciativës për ndërtimin e shtëpive

Edhe OEK i bashkohet iniciativës për ndërtimin e shtëpive

Përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe zyrës së kryeministrit për çështjet e veteranëve të luftës nënshkruan sot në OEK memorandumin e bashkëpunimit për ndërtimin e shtëpive për kategoritë e dala nga lufta dhe të varfërit.

Kryetari i OEK-ut, Besim Beqaj me këtë rast ka vlerësuar se disa biznese nga Kosova kanë përkrah inciativën e Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e shtëpive për kategoritë e dala nga lufta dhe skamnorët.

“Aktualisht donatori kryesor është kompania Buçaj dhe TEB Banka. Komuniteti i biznesit edhe më tej do të përkrah iniciativën e Qeverisë”.

Kryetari i organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli falënderoi Odën Ekonomike dhe bizneset të cilat kanë përkrahur iniciativën për të ndihmuar në ndërtimin e shtëpive për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së dhe theksoi se marrëveshja e nënshkruar sot do të mundësoj që në mënyrë institucionale të zgjidhen probleme e mëdha me të cilat ballafaqohet një numër i caktuar u qytetarëve të Kosovës.


Shefi i Zyrës për Veteranët e luftës pranë zyrës së kryeministrit të Kosovës, Faik Fazliu, vlerësoi lartë faktin se komuniteti i biznesit po i bashkëngjitet iniciativës së Qeverisë për ndërtimin e afro 80 shtëpive për kategoritë e dala nga lufta dhe skamnorët dhe për këtë shprehu mirënjohje bizneseve dhe OEK-ut.

Javën e shkuar në OEK është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit në mes te OEK-ut, Kompanisë Buçaj dhe Bankës TEB me të cilën fillimisht janë siguruar 65 mijë euro për ndërtimin e 7 shtëpive për kategoritë e dala nga lufta dhe skamnorët. Në OEK pritet që kësaj iniciative do ti bashkëngjiten edhe bizneset tjera kosovare. /Telegrafi/