LAJMI I FUNDIT:

Edhe NIC Holding kontribuon në ndërtimin e 10 shtëpive shtesë

Edhe NIC Holding kontribuon në ndërtimin e 10 shtëpive shtesë

Projektit të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Postës dhe Telekomit të Kosovës, iu është bashkangjitur edhe kompania private kosovare NIC Holding.

Ndërtimi i edhe 10 shtëpive të tjera, i shtohet projektit të iniciuar nga PTK dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, falë donacionit të kompanisë kosovare NIC Holding, përfaqësuesi i së cilës ka nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi me PTK-në.

Me anë të këtij bashkëpunimi – përmes donacionit të kompanisë NIC Holding në dhurimin e 50 mijë copë bllokave për shtëpitë – është krijuar mundësia e rritjes së numrit të shtëpive që do të ndërtohen edhe për 10 shtëpi të tjera, gjegjësisht nga 63 në 73 sosh.

Këtë e kanë bërë të ditur Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha dhe Drejtori Gjeneral i NIC Holdingut, Naser Kelmendi, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit mes dy kompanive.


“Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ne kemi arritur që të rrisim numrin e shtëpive që do të ndërtohen nga 63, sa janë aktualisht në 73, duke kursyer kështu të holla për ndërtimin e shtëpive shtesë. Andaj ftoj edhe kompanitë e tjera të biznesit që t’i bashkohen këtij projekti”, ka thënë Haxha me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes.

Ndryshe kësaj ftese, të cilës tashmë iu janë bashkangjitur edhe kompania Lesna, dhe Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, me shumë kënaqësi iu është bashkuar edhe kompania NIC Holding, ndërkohë që drejtori i saj Gjeneral u ka bërë apel edhe kompanive tjera biznesore për ndihmë.

Me ndihmën dhe donacionet shtesë nga kompanitë vendore, numri i shtëpive që do të ndërtohen, çdo ditë e më shumë po shtohet, duke e çuar atë aktualisht në 73 sosh.

Projekti i iniciuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës me përkrahjen materiale të PTK-së në vlerë prej 500 mijë eurosh, ka për qëllim ndërtimin e fillimisht 45 shtëpive për kategoritë e të pa strehëve, invalidët e luftës, familjet me gjendje të rëndë sociale, viktimave të luftës dhe minoriteteve. /Telegrafi/