LAJMI I FUNDIT:

Edhe në këtë fundvit RTK pa shtëpi!

Njëri ndër problemet më akute që e shoqëruan Kosovën vitin që po lëmë pas, krahas problemeve të shumta politike në Veri të Kosovës, gjendjen e përgjithshme ekonomike në vend, ishte dhe mbetet padyshim Radio-televizioni publik i Kosovës. Bilanci i gjithë përpjekjeve për ta miratuar projektligjin e RTK-së gjatë këtij viti, dështuan, kështu që pa miratimin e këtij projektligji, RTK akoma po mbetet edhe në fund të këtij viti pa shtëpi të veten (Mentor Shala Klan Kosova 23.12.2011)!

Pse projektligji i RTK-së nuk u miratua deri tani, kishte të bënte me një mori faktorësh. Së pari, na erdhi reagimi nga lartë (BE) (19.12.2011) nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë e cila ka shprehë mendimin se ligji për RTK-në “nuk i përmbush standardet e BE-së”. Duke qenë në hallë se pse tash na doli edhe kjo kritikë, RTK u mundua po këtë ditë, në lajmet qendrore t´ia kushtojë dy raporte radhazi temës së RTK-së. Shih për këtë mediumi publik u mundua të sjell argumente sa më shumë për ta hedhur poshtë këtë ankesë të Zyrës Ndërlidhëse të BE-së në Kosovë. Për t’iu kundërvënë qëndrimit të Zyrës ndërlidhëse të BE-së, RTK solli prononcimin e kryetarit të Komisionit për media në Kuvendin e Kosovës, z. Idriz Vehapi, i cili tha se projektligj për RTK-në “është në harmo[zi]ni me rekomandimet e BE-së” dhe ky ligj mund të zbatohet dhe nuk përbën shkelje ligjore edhe sa i përket pronësisë së RTP-së dhe bartjen e saj tek RTP-ja. Z. Vehapi tha se edhe zyra e ICO-së e përkrah versionin e tanishëm të këtij ligji, i cili i përmbushka “të gjitha çështjet me të cilat ne jemi ballafaquar gjatë procesit të konsultimeve për këtë ligj”.


Avazi i kundërshtisë nga ana e RTK-së vazhdoi përmes raportimit duke thënë se “ja ne jemi mirë, po këta nuk po besojnë dhe nuk po na dëshirojnë mirëqenie” dhe për ta vërtetuar qëndrimin e tillë, RTK në lajmet qendrore po këtë ditë iu referua një hulumtimi të pa botuar deri tani, të kryer nga një institucion ndërkombëtar ku thuhej se RTK qenka radiotelevizioni më i shikuar dhe më i besueshëm në Kosovë! Në këtë “lojë” manovrimi sërish gjendet fajtori pse RTK-së nuk po i ecin punët mirë, e ky qenka grupi KOHA. Sipas raportit të RTK-së, thuhet se “Ekspertët që kanë marrë pjesë në hartimin e ligjit kanë deklaruar se për shtyrjen e miratimit të ligjit Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian është e ndikuar nga presioni i grupeve të caktuara të interesit medial privat”.

Ajo çka bie në sy në këtë avaz mbrojtjeje nga RTK është paniku dhe ngutja për të “vërtetuar” rolin e viktimës. Nga kjo shpejtësi, edhe lajmi, gjegjësisht raporti i cili u botua në ueb- faqe të RTK-së lëshohet plot gabime drejtshkrimore. Thua se nuk mjaftuan dy tema në lajmet qendrore për RTK-në u dashtë më pas edhe në emisionin 10 minuta të diskutohet e njëjta temë. E kur jemi tek emisioni 10- minuta konstatoj se në këtë 10-minutësh nuk mund të thuash asgjë, për këtë temë kaq komplekse. Dy veta plus moderatori duheshin ndarë 10 minuta me komentet e tyre. Moderatori, i shkreti, i duhej me ngutë të nxirrte diçka nga bashkëbiseduesit. Unë nuk e di a e shohin këta këtë “emision”, a janë të verbër apo janë shkëputur nga realiteti e nuk e dinë se për 10 minuta vërtet nuk nxjerr kurrfarë informacioni përpos që del shumë qesharak para publikut! Kritikat për dështim i merr edhe gazetari të cilit i bie hise ta udhëheqë “emisionin”. Në këtë mini-debat publiku ka mundur ta kuptojë dalldinë prej nga RTK e shpiku këtë format, e që medoemos pasqyron gjithë dilemën e quajtur “RTK”. Fakti pse RTK-së nuk po i ecin punët mirë e vërtetoi edhe akademiku Rexhep Qosja me prononcimet e tija kundër mediumit publik dhe politizimit të tij. RTK- sipas z. Qosja, qenka bërë “dorë e zgjatur e bashkë-partiakëve të LDK-së dhe kryetarit të saj Isa Mustafa”. Unë, vetëm tash, pasi lexova prononcimin e Rexhep Qosjes në “Kosovapress” e kuptova sa në zor qenkan elitat politike me këtë medium. Ky është një indikacion se RTK nuk qenka medium i PDK-së. Ndërsa LDK- ja e potencon të kundërtën. Dhe, thënë realisht në këtë mish-mash lojërash, unë nuk mund ta di i kujt është ky medium publik, nëse nuk është i publikut, i kujt duhet të jetë dhe a ka kuptim pastaj ta dimë se për kë punon? Unë mendoj se RTK do të duhej të raportonte drejtë dhe në mënyrë të balancuar njësoj, për të gjithë. Në këtë medium duhet ta gjejnë veten të gjithë, pra edhe debati dhe prononcim i librit të akademikut Qosja, për çfarë akademiku u ankua. Paradoksi i quajtur RTK me keqardhje më duhet ta them është vet koncepti i njerëzve që e udhëheqin atë. Përtej kësaj shamate politike unë mendoj se duhet të këndellemi dhe të pyesim: Çfarë do të paraqesë ligji i ri i RTK-së, cilat do të jenë prurjet e reja në skenën mediale kosovare, a do të jetë ky një rifreskim apo shtangnim? Cilat do të jenë sfidat e gazetarisë publike dhe çfarë do të bëhet me moralin gazetaresk, sa do ta ketë koston dhe a mund ta paguajë qytetari ynë i varfër dhe me çfarë çmimi?

EBU me përshtypje mbresëlënëse!

Ngjarje tjetër që lidhet me RTK-në dhe që po përmbyll këtë vit e që ia vlen t’i referohem ishte edhe vizita e drejtoreshës së EBU-së, z. Ingrid Dalterne, e cila kërkoi miratimin e ligjit të RTK-së dhe tha se “qeverisja e RTK-së për të ka qenë mbresëlënëse”, për faktin se gjatë vizitës së saj ajo kishte takuar anëtarët e bordit dhe me këtë rast vlerësonte se mediumi ynë ka “një bord të mirëfilltë nga ekspertë të industrisë së medieve… një bord që pasqyron gjithë pasurinë kulturore të vendit, ky është njëri ndër kushtet që të kemi një transmetues publik…”. Në këtë intervistë z. Delterne tha se është takuar edhe me menaxhmentin e RTK-së, ndërsa jep komplimentet rreth formateve inovative të mediumit që, sipas saj; “[RTK-ja]… është duke [kuptuar] se cili është perceptimi i audiencës dhe kjo është një gjë e mirë… shikuesit tuaj ju besojnë juve dhe ky është një parakusht shumë i rëndësishëm që të keni programe që audienca dëshiron t’i shohë për faktin se ju beson…[…]”.

Ajo që mund të kuptohet nga ky prononcim është fakti se drejtoresha e EBU-së nuk dha ndonjë vlerësim për menaxhmentin, përpos që tha se ky menaxhment na qenka i “ri”. Pastaj iu referua audiencës duke thënë se RTK e ditka se çfarë dëshiron të shohë dhe çfarë po dëshiron të konsumojë publiku! Ky supozim ka pak mbështetje faktike, sepse për të pasur qasje në audiencën pra, për të ditur se çfarë i pëlqen publikut, duhet bërë majte empirike të mbështetura në teori shkencore dhe, këto RTK nuk i zhvillon fare. Në përgjithësi në Kosovë, me sa duket as që ka fare disponim të merret kush me hulumtime të tilla, andaj pra as RTK-ja. Këtu faji bie drejtpërdrejt mbi bordin e RTK-së, në krye të cilit është një doktor shkence, i cili do të duhej ta dinte këtë gjë.

Me ketë rast opinioni ynë deri diku ka ngelur pa e kuptuar dallimin mes këtyre dy koncepteve, por edhe vet stafi udhëheqës nuk e ka mirë të artikuluar këtë çështje. Si rrjedhojë e këtij keqkuptimi, RTK lëshohet në “luftë” të ashpër për të fituar sa më shumë shikues, edhe pse ky nuk duhet të ishte synimi. Kjo luftë për “fituar” shikues, siç do të shkruante studiuesi gjerman Friedrich Krotz (2000), është e vetëkuptueshme për televizionet komerciale, pasi që televizionet e tilla, duan të kenë publikun me vete për të fituar, siguruar reklamën, ndërsa, radiotelevizionet publike, duhet të bëjnë program me interes publik, nëse jo atëherë ata e humbin legjitimitetin”. Ky rregull duhet të vlente për mediumin publik dhe jo ngarendja pas reklamës dhe komercializimit të programit, siç është duke ndodhur në realitet, fakt që e ka vërtetuar edhe KPM-ja.

Moseliminimi i këtyre kundërthënieve e zbeh edhe besueshmërinë e mediumit karshi taksapagueseve. Por besueshmëria e taksapaguesve ndaj RTK-së nuk rritet pa u mënjanuar aty brenda veset nga e kaluara, siç janë transparenca e dobët e financimit nga reklamat, lidhja e kontratave abuzive me pretendime dhe tendenca për ta ndarë bashkërisht haraçin me reklamuesit dhe disa “shit-blerjeve” të veprave audio-vizuale. Me ketë rast taksa e qytetarëve përfundon në xhepat e abuzuesve intrigantë. Nëse lejohet të blihen veprat nga producentët e pavarur 15 apo 20 % e programit, do të duhej të sigurohet një treg i barabartë për gjithë konkurruesit.

Nëse Bordi i RTK-së qenka profesional do të duhej t’i shikojë këto gjëra. Para së gjithash unë nuk po shoh ndryshime në këtë drejtim. Sa për ilustrim më kujtohet thënia e ish- ekspertit të EBU-së Dr. Werner Rumphorst gjatë një interviste me autorin e këtij shkrimi në vitin 2008 i cili aplaudonte për një ekip më profesional e i cili sipas tij, aty do të duhej të kishte së paku dy veta që udhëheqin me manaxhmentin (Pse të mos kishim një doktor shkence nga fusha e ekonomisë apo e biznesit, nga ndonjë universitet evropian, do të thosha unë!). Këto ndryshime nuk ndodhën fare, as në ekipin e programit ashtu siç nuk ndryshoi fare as historiku i këtij mediumi nga 2006-ta. Sa për ilustrim, shiko çfarë u bë me faqen zyrtare nga ajo kohë? Unë për veten time nuk mund ta kuptoj, çfarë bëjnë këta njerëz aty brenda? Nga 2006 sikur është ndalur ora e RTK-së pra nuk janë botuar apo nuk janë plasuar datat “historike” nga ajo kohë që kanë të bëjnë me këtë medium, që kur u largua z. Agim Zatriqi. Kush ka faj për këtë “ngrirje”, ata e dinë. Unë besoj se këtu më së shumti ka faj drejtori gjeneral aktual që nuk ka marrë pakëz kohë ta shikojë ueb-faqen e RTK-së dhe të shohë çfarë ndodhi nga atëherë, të lëviz diçka në këtë drejtim. RTK do të duhej ta kishte aty në krye një njeri që vërtet ka njohuri dhe është i përkushtuar për program profesional me interes për publikun. Deri sa gjitha institucionet tjera sillen njerëz me tituj shkencorë, personalitete të njohura edhe nga universitetet evropiane, RTK ka mbetur me një personel udhëheqës nga koha ish- socialiste.

Çfarë po bën parlamenti?

Fakti pse RTK-së po i shkojnë punët keq, deri diku fajtor është edhe Parlamenti i Kosovës, i cili e ka edhe obligimin ligjor ta miratojë projektligjin, apo ta plotësojë atë me akte tjera nënligjore. Por, siç ka marrë hov tendenca “e projektligjeve”, Republika me datëlindje vetëm trevjeçare nuk mund ta përballojë fluksin e këtyre “ndryshimeve” dhe mendoj se problem serioz në këtë aspekt nuk përbën fakti se a do miratohet ligji apo jo. Nëse miratohet shtrohet dilema se a mund të zbatohet ai në praktikë dhe çfarë obligime do të dalin nga miratimi i tij, karshi punëtorëve të RTP-së në qoftë se RTK trashëgon pronën e ish- RTP-së, gjegjësisht nëse Parlamenti i Kosovës i jepet RTK-së për menaxhim etj? Miratimi i projektligjit nga komisioni parlamentar, siç e pranoi edhe një anëtar i këtij komisioni, është i vështirë, sepse këta që janë marrë apo që merren me ligjin në fjalë janë shumë të ngarkuar me punë dhe nuk arrijnë ti kryejnë detyrat me kohë dhe me kompetencë profesionale, kjo vlen edhe për këtë projektligj që tashmë është gati për miratim (të njëjtat vërejtje i ka shprehur edhe Flaka Surroi më 4 dhjetor 2011 në një opinion të saj në Koha Ditore). Projektligji i RTK-se ka disa avancime, por ka akoma shumë zbrazëti. Defekti i parë ka rrjedh nga komisioni të cilit i mungojnë kuadro të mirëfillta, pra nuk ka ose nuk ofrohen këshillëdhënës profesional. Parlamenti, me sa shihet nuk ka buxhet shtesë për inkuadrim të kuadrove profesionale në fushën e medieve, por mjaftohet duke i mbushët radhët e komisioneve parlamentare me deputet, të cilët kanë interes ti marrin edhe nga një rrogë shtesë nga angazhimet e tyre në këto punë.

Gjithsesi duhet të ketë gatishmëri politike, që të arrihet konsensusi shoqëror se si do të mbikëqyret RTK dhe çfarë modeli do të përqafoj. Dhe përfund, modeli i një mediumi publik duhet të ketë mbështetje nga gjitha grupet relevante të shoqërisë, në mënyrë që të ketë edhe investime kapitale në RTK. Në kuadër të tij pastaj do të mund të hapej edhe kanali i Dytë për komunitetin serbo-folës dhe komunitete tjera, modalitete këto që duhet të përfshihen gjithsesi në ligjin e ri, duke u zotuar për zbatimin e të drejtave të autorit, zgjerimin dhe shkollimin e kuadrove, hapjen e korrespodentëve në qendra të ndryshme botërore dhe investime edhe në hulumtimin e programit dhe zhvillimin e hulumtimeve empirike të programit të RTK-së.
Sfida më e madhe mbetet tutje sigurimi i pavarësisë financiare dhe i asaj editoriale.

Më pëlqeu ideja e z. Delterne, drejtoreshës së EBU-së që financimi i RTK-së të bëhet përmes një takse (TVSH). Gjithashtu z. Delterne ishte kundër praktikës që qeveria dhe parlamenti të merren me RTK-në për çdo vit. Çështja e RTK-së, sipas z. Delterne, do të duhet të zgjidhej njëherë e përgjithmonë, sepse poqë se të mbetet kështu, ndikimet politike do të rridhnin sa herë kur do të ndërrohen qeveritë. Ajo ju referuar me këtë rast shembullit të keq Holandës, ku pas çdo legjislature ka mundësi të ketë luhatje në financim pasi që koalicioni që vije në pushtet mund të vendos ndryshe. “Pavarësia financiare nuk guxon të luhatet, në rast se ka lëvizje politike nuk guxon të zvogëlohet buxheti për shkak të qasjes së mediumit dhe politikës së tij editoriale ndaj politikës” (Delterne).

(Autori ka magjistruar me temën e RTK-së në Universitetin e Berlinit në vitin 2009 dhe tani është doktorant në Universitetin e Bundeswehrit në Munih)