LAJMI I FUNDIT:

Edhe ketë vit pa sigurime shëndetësore

Edhe ketë vit pa sigurime shëndetësore

Viti 2015 nuk do të jetë vit kur qytetarët e Kosovës do të kenë sigurime shëndetësore, kjo pasi që për këtë duhet paraprakisht të kryhen të gjitha procedurat e nevojshme, në mënyrë që pastaj ky projekt të mos dështojë.

Kështu ka deklaruar ministri Shëndetësisë Imet Rrahmani, në një konferencë për gazetarë, pas nënshkrimit të memorandumit me Doganat e Kosovës për lehtësirat në importimin e vaksinave.


“U them me sinqeritet më të madh se datë të saktë nuk kemi. 2015 sigurisht nuk do të kemi sigurime shëndetësore, për shkak se ne nuk mund të fillojmë të mbledhim premiume, ose kontribute të qytetarëve dhe të mos mund të ofrojmë sigurime shëndetësore. Sigurimet shëndetësore janë një procedurë e rëndësishme e reformës. Është një nga objektivat që nëse realizohet mirë dhe qysh duhet do të disiplinon shumë sistemin shëndetësor”, ka thënë Rrahmani.

Ai tha pas nënshkrimit të marrëveshjes se procedurat e përshpejtuara do të mundësojnë që të ruhet cilësia e mjaftueshme e barnave.

Ndërsa drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm për shëndetësinë kosovare pasi që do të kemi një shkurtim të madh të procedurave duke iu mundësuar mbi 200 mijë fëmijëve të përfitojnë nga vaksinimi.

“Jam i lumtur që këtë procedurë e thjeshtësojmë në minimumin ose eliminojmë në tërësi një procedurë e cila ka marrë kohë për zhdoganimin e vaksinave, por në fakt tek ne e ka ngjallë gjithmonë atë frikën ose panikun që mos vaksinat e humbin atë kualitetin e vet, të cilën është dashur ta tregojnë me rastin e vaksinimit të fëmijëve. Kjo është edhe një thjeshtësim i procedurës që dogana e bënë jo vetëm për bizneset private por edhe për institucionet e vendit”, ka thënë Rafuna.

Rafuna ka thënë se jo vetëm për këto ilaçe por edhe për të tjera do të tentojnë të vazhdojnë bashkëpunimin me MSH-në, në mënyrë që pacientët të kenë në një afat sa më të shpejtë medikamentet e nevojshme.  /Telegrafi/