LAJMI I FUNDIT:

E vërteta në thellësi të pusit

“E vërteta del edhe nga pusi” – thënie popullore

A është historia e pashkruar e mbështetur në gojëdhënat popullore më e qëndrueshme dhe më reale se sa historia e shkruar nga dora e historianëve që i referohet burimeve të tjera dhe që përdorë metodën e krahasimit gjatë trajtimit shkencor të fenomeneve që i përkasin fushës së historisë ?


Në çmasë i mbështesin tezat shkencore historianët në gojëdhënat popullore kur ngjarjet transmetohen nëpërmes kujtesës kolektive?

A do të ketë nevojë të rishkruhet historia rishtazi që t’i afrohet realiteteve të pashkruara deri më tani që t’i shmanget improvizimeve dhe të lirohet nga të gjykuarit subjektiv dhe ndikimet të tjera për hir të respektimit të faktografisë, çështje kjo që mbetet për t’u analizuar?

Nëse i besohet thënies se historinë e shkruajnë të fortit, kjo nuk do të thotë se medoemos atë e shkruajnë ata që ishin të rreshtuar në anën e së drejtës, e cila është shkelur dhe nëpërkëmbur nga regjimet duke u nxjerrë jashtë shtrati të rrjedhës së vetë të natyrshme.

Historianët që e bënë historinë shqiptare ndër periudha të ndryshme, së paku nga ata që ende janë gjallë edhe sot, kanë për obligim moral të sqarojnë pse nuk i trajtuan ose u nuk morën pak me shqyrtimin e disa ngjarjeve historike, të cilat ishin tragjike dhe tepër të rëndësishme për ta pasqyruar në vazhdimësi ecurinë e lëvizjeve të rezistencës për liri dhe pavarësi.

Një pjesë të përgjigjes që mund ta kuptojmë sot, nuk është e panjohur, e kjo ka të bëjë deri-diku me masën e lirisë që pushteti ua ka dhënë krijuesit, se cilat tema kanë mundur të preken pa e ndjerë censurën e hekurt.

Por, shtrohet pyetja, se kush na ka penguar së paku që dhjetë vite pas lufte, nëse paskemi qenë në dijeni për temat të “ndjeshme”.

Pjesë e gojëdhënave për një ngjarje që mund të na ikën nga mendja, por që nuk mbahet mend të ketë shkruar kush, mbeten viktimat e shumta të pushkatuara dhe të paidentifikuara në vendin që njihet dhe lidhet me emrin e Puseve të Surkishit, një fshat ky që shtrihet në Komunën e Besianës.
Ende deri në ditët e sotme shumë viktimave u dihet emri dhe mbiemri, që si veprimtarë të kohës e kanë bërë një pjesë të historisë, por jo të kësaj historie që ende ka mbetur e fjetur dhe e pashkruar.

Për kujtesën e këtyre ngjarjeve falënderimet i përkasin gjyshërve, ndërsa e tërë lënda e rrëfimit sillet rreth fatit tragjik të stërgjyshave të vrarë – dhjetëra e qindra atdhetarëve që janë fundosur në Puset e Surkishit para dhe pas vitit 1912.

Për këtë gojëdhënë dhe mbamendje të shndërruar në një roman për lexuesin, falënderimet i përkasin krijuesit Ymer Berbatit, i cili duke iu referuar kujtesës së njerëzve mblodhi dëshmi për një kohë ngjarjesh, që kur nuk zbulohen për t’u fiksuar si data në kronologjinë e zhvillimit të periudhave historike, ndodh që pa dashje të vriten nga të gjallët.

Se kemi historianë nuk kontestohet dhe se ekzistojnë institute që mbledhin njerëzit e kësaj fushe është e njohur. Por, ku janë rezultatet e pritshme për t’u zbardhur disa ngjarje që dikur ishin tabu për pushtetet e kaluara, është një çështje që kërkon përgjigje, me qëllim që të lëvizet nga pozicionet e të qenurit pasiv, me qëllim që e vërteta të plotësohet si duhet qoftë si e hidhur.

Thënia se e vërteta del edhe nga pusi, nëse nuk është provuar sa duhet nga brezi i historianëve të vjetër, e vlen ta provojnë këta të brezit të ri. Fundja, janë kohë të tjera ku po jetojmë dhe po shprehemi ndryshe, sepse masa e lirisë ka limitet të tjera për ta nxjerrë në shesh çdo të vërtetë, qoftë edhe nga Puset e “pafund” të Surkishit, që një ditë nga kujtesa mund të na fshihet pika e referimit e bazuar nga burimet e gojëdhënave të përcjella brez pas brezi e që nuk e kalon ma shumë se një shekull.