LAJMI I FUNDIT:

E hëna e madhe… Shqipëria në festë!

E hëna e madhe… Shqipëria në festë!

Kanë mbetur edhe pak orë kur do të merret vendimi i paralajmëruar për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, duke shënuar kështu një vendim historik për të dyja vendet, të fundit në Ballkan, duke përjashtuar këtu Kosovën.

Shqiptarët do të mundet të udhëtojnë pa pasur nevojë të pajisen me vizë për në Paris, Athinë, Romë, Vjenë, Pragë, Madrid, Lisbonë, Bukuresht, Stokholm, Oslo, Bruksel, Helsinki, Kopenhagën, Berlin, Budapest, Vilnius, Varshavë, Ljubljanë, Luksemburg, Amsterdam, etj.

Gjatë ditës së hënë, mblidhet Këshilli i Ministrave të Drejtësisë dhe Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, të cilët për dy ditë me radhë do të marrin vendime të rëndësishme.

Edhe pse ka pasur vende skeptike në këtë proces, si Franca dhe Holanda, votat e tyre kundër nuk do të mund ta bllokojnë vendimin përfundimtar, një vendim ky historik për Shqipërinë dhe shqiptarët, që më fund do të mund të lëvizin pa viza për pjesën më të madhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, e njohur ndryshe edhe si zona Shengen.


Mediat ndërkombëtare shkruajnë se marrëveshja është arritur tashmë, pavarësisht kundërshtive. “Ne shpresojmë në arritjen e konsensusit në mënyrë unanime, bëjnë të ditur burimet diplomatike nga Brukseli, megjithatë një vend i vetëm nuk mund ta bllokojë vendimin që do të merret me shumicë të kualifikuar”, shkruan agjencia e lajmeve ANSA.

Ndërsa agjencia tjetër e lajmeve, EurAsia shkruan sot se Ministrat e Brendshëm të BE pritet të heqin vizat për shtetasit shqiptarë dhe boshnjakë gjatë takimit të tyre dyditor, që zhvillohet të hënën dhe të martën.

Gjatë takimit do të vendoset gjithashtu edhe masat shtesë të sigurisë. Bashkimi Evropian ka kërkuar nga dy vendet siguri për procesin pas heqjes së vizave, pasi mund të ketë shumë ikje nga të dyja vendet duke kërkuar azil në vendet perëndimore. Një vit më parë, pra më 30 nëntor 2009, BE-ja vendosi udhëtim pa viza në zonën e Shengen për shtetasit e tre shteteve ballkanike, Maqedonia, Mali i Zi, dhe Serbia.

Tirana në festë…

Tashmë kur kanë mbetur pak orë nga marrja e vendimit, Tirana dhe e gjithë Shqipëria është mbushur me flamuj të Bashkimit Evropian. Në Tiranë, flamujt, banderolat, dhe tabelat shihen lehtësisht të shpërndara në të gjitha rrugët kryesore.

"Berlin 1.334 km", "Cyrih 1.117 km", "Milano 971 km", mund të duken si reklama të agjencive turistike, por në fakt janë tabelat e vendosura në çdo kryqëzim të kryeqytetit, që lajmërojnë udhëtimin pa viza drejt destinacioneve evropiane.

Përveç dekorit festiv që ka veshur rrugët e kryeqytetit, festimet për këtë ngjarje historike do të kulmojnë pasditen e së martës, me një koncert madhështor në sheshin "Nënë Tereza", ku aktualisht po ndërtohet një skenë gjigante.

Çfarë do të thotë liberalizim vizash?

Pas vendimit për heqjen e vizave, shqiptarët do të mund të udhëtojnë në të gjitha vendet e Evropës, përjashtuar Anglinë dhe Irlandën. Gjatë udhëtimit atje, ata nuk do të mund të qëndrojnë më shumë se 90 ditë dhe pas kthimit në atdhe, ata mund të rikthehen sërish pas tre muajsh. Kushtet për të lëvizur pa viza janë: pasja e një pasaporte biometrike (kusht) si dhe të mos kenë urdhërndalimi nga asnjëri prej vendeve përkatëse.

Nëse njëri nga vendet e Bashkimit Evropian ka vendosur që për një shtetas ndalimin e hyrjes, i njëjti vendim vlen për të gjitha vendet e tjera, pasi të dhënat hyjnë në sistemin SIS, që transmeton në kohë reale të dhënat për të gjitha pikat kufitare të të gjitha vendeve evropiane. /Gazeta Start/