LAJMI I FUNDIT:

E akuzuara për mashtrim me viza thotë se ishte ndërmjetësuese në një kompani suedeze

E akuzuara për mashtrim me viza thotë se ishte ndërmjetësuese në një kompani suedeze

E akuzuara për mashtrim me viza, Valbonë Peci, në paraqitjen e mbrojtjes së saj ka deklaruar se kishte qenë ndërmjetësuese për të gjetur aplikantë për rregullimin e vizave të punës për një kompani suedeze, ndërsa tha se nuk kishte pasur ndonjë autorizim për këtë.

Këtë deklarim, e akuzuara e dha në vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor të premten, në rastin ku po ngarkohet se gjatë vitit 2020 dhe 2021, nga 29 persona ka pranuar 61 mijë e 600 euro, të cilëve iu kishte premtuar rregullimin e vizave suedeze.


Në këtë seancë, të pranishëm ishin prokurori Sllobodan Bakiq, e akuzuara Valbonë Peci me mbrojtësin e saj, avokatin Armend Krasniqi, si dhe të dëmtuarit Ismajl Ismajli, Fidan Veseli, Kastriot Peci, Jetmir Ismajli dhe Liridon Hasani.

Në seancë u dëgjua i dëmtuari-dëshmitari Ismajl Ismajli, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Bakiq, se si ishte njoftuar me të akuzuarën Peci dhe cilat kishin qenë kushtet e marrëveshjes së tyre për rregullimin e vizës suedeze, deklaroi se kishte bërë marrëveshje verbale me të, duke ia dhënë 1 mijë e 250 euro, ndërsa i kishte thënë se viza do të rregullohet për rreth gjashtë muaj.

Ai deklaroi se pasi kishin kaluar disa muaj, kishte ardhë ta takojë të akuzuarën Peci në Mitrovicë duke e pyetur për procedurën e vizës, ndërsa e njëjta i kishte thënë se është në proces dhe mund të ketë vonesa për shkak të situatës pandemike.

Dëshmitari Ismajli deklaroi se më pas e kishte kontaktuar me telefon, ndërsa e akuzuara Peci i kishte thënë se terminin në Ambasadën e Suedisë ia ka caktuar brenda muajit, ndërsa duhej t’ia paguante edhe 1 mijë e 250 euro të tjera.

“Unë i kam thënë më jep ndonjë dëshmi të konfirmimit të terminit në ambasadë, në çfarëdo forme që ti e ke pranuar, edhe unë e realizoj pjesën tjetër të pagesës, por përgjigja e saj ka qenë ose duhesh tash menjëherë me pagu pjesën tjetër të parave, ose hajde merri paratë që tashmë i ke paguar, ndërsa konfirmimin e terminit nuk ma ka dhënë”, ka deklaruar dëshmitari Ismajli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai shtoi se ishin marrë vesh që brenda një muaji t’ia kthejë paratë, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur pasi nuk kishte kaluar shumë kohë dhe e akuzuara Peci ishte arrestuar.

Dëshmitari tha se nuk kishte pranuar ndonjë vërtetim pasi ia kishte dorëzuar pagesën dhe as ndonjë marrëveshje me shkrim.

Tutje, ai deklaroi se kishte pasur marrëveshje me të akuzuarën Peci, që në rast se nuk i rregullohet viza t’ia kthejë paratë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Krasniqi, nëse e akuzuara Peci ia kthen paratë a do ta njoftonte gjykatën për këtë, i dëmtuari Ismajli e pohoi një gjë të tillë.

Tutje, e akuzuara Peci njoftoi gjykatën që deri më 10 gusht që të gjithë aplikuesit do t’i marrin paratë e tyre aq sa i kanë paguar ashtu siç ka qenë marrëveshja, që nëse nuk rregullohen vizat, paratë do të kthehen.

Më pas, prokurori Bakiq propozoi që deklarata e të dëmtuarit Besnik Shyti dhënë në polici të lexohet në cilësi të provës materiale, pasi prezenca e të njëjtit nuk mund të sigurohet sepse jeton jashtë Kosovës.

Këtë propozim e kundërshtoi avokati Krasniqi pasi konstatoi se në deklaratën e të njëjtit ka kundërthënie për sa i përket shumës së parave të dhëna dhe kohës kur janë dhënë ato, dhe për t’u sqaruar këto, tha se i dëmtuari Shyti duhet të jetë prezent.

Gjyqtari i rastit Rrahman Beqiri aprovoi propozimin e prokurorit duke u mbështetur në nenin 338 të KPPK-së, që në cilësi të provës materiale të lexohet deklarata e të dëmtuarit-dëshmitarit Besnik Shyti dhënë në polici.

Tutje, në paraqitjen e mbrojtjes së saj, e akuzuara Valbonë Peci deklaroi se me të gjithë aplikuesit kishte pasur marrëveshje që nëse nuk rregullohen vizat, paratë do t’iu ktheheshin.

Ajo tha se ua kishte kthyer 48 personave paratë pasi të njëjtëve nuk u ishin rregulluar vizat, ndërsa shtoi se edhe me 29 të dëmtuarit tjerë do të veprojë njëjtë.

E akuzuara Peci shprehu keqardhje për zvarritjen e kësaj pune, ndërsa tha se e ka pasur në plan t’ua kthejë paratë aplikantëve, por ishte arrestuar nga policia.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, se çfarë autorizimi kishte pasur në lidhje me dhënien e vizave, pasi prokurori Bakiq tha se të gjithë e dimë se vizat lëshohen nga ambasada e shtetit të caktuar, e akuzuara Peci deklaroi se nuk kishte pasur ndonjë autorizim por kishte qenë ndërmjetësuese për një kompani suedeze që të gjejë aplikantë për viza pune.

Ajo shtoi se nuk kishte pasur ndonjë agjencion për rregullimin e vizave pasi kishte vepruar individualisht sepse sipas saj ai aplikim mund të bëhet nga çdo individ i thjeshtë që e njeh gjuhën angleze apo suedeze.

E pyetur se si ia kishte bërë pagesën kompanisë në Suedi, ajo tha se paratë i ka paguar kesh, pasi kompania ka dërguar agjentët e saj kohë pas kohe në Shkup apo në Prishtinë, për të marrë paratë dhe dokumentet e aplikuesve dhe në të njëjtën mënyrë është bërë edhe kthimi i parave në rastet kur nuk është realizuar viza.

E akuzuara Peci deklaroi se aplikimet i ka bërë për grupe të personave dhe jo individualisht vetëm për një person.

Ajo shtoi se kontakti i parë me agjentët e kompanisë kishte filluar pasi kishte hulumtuar për mundësitë e punës në Suedi përmes internetit.

Në fund, avokati Krasniqi i propozoi gjykatës që të zëvendësojë masën e arrestit shtëpiak ndaj të mbrojturës së tij me ndonjë masë tjetër alternative, me qëllim që e njëjta të jetë e lirë për të dalë dhe për të realizuar kthimin e parave tek të dëmtuarit.

Gjyqtari Beqiri konstatoi se në lidhje me propozimin e avokatit do të vendosë jashtë seancës.

Meqenëse palët nuk ishin të gatshme për të paraqitur fjalët përfundimtare, seanca e radhës pritet të mbahet më 24 gusht 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 11 shkurt 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj Valbonë Pecit me arsyetimin se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në Mitrovicë në raste dhe periudha të ndryshme kohore ka sjellë në lajthitje disa persona, me fshehjen e fakteve e me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror, e vetëdijshme për veprën dhe për pasojat e të njëjtës.

Sipas aktakuzës, disa persona në dëm të pasurisë së vet të pandehurës i kanë dorëzuar shuma monetare në mënyrë që e njëjta t’iu sigurojë vizën e punës në Suedi, gjë që nuk e ka bërë në afatet e dakorduara, sepse për një veprim të tillë nuk ka pasur bazë, mundësi dhe as autorizim.

Kështu, aktakuza thotë se nga 29 persona në intervale të ndryshme kohore gjatë vitit 2020 e 2021, sipas kësaj baze ka pranuar shuma monetare, në shumë kumulative prej 61 mijë e 600 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323, par.4 lidhur me par.1 e nenin 77 të Kodit Penal.

Në trend Lajme

Më shumë
Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Lajme
“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën

“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën

Lajme
Alarmi i Alicia Kearns për Ballkanin, politologët komentojnë deklaratën e deputetes britanike

Alarmi i Alicia Kearns për Ballkanin, politologët komentojnë deklaratën e deputetes britanike

Lajme
Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Lajme
“Paratë, ose do të vras djalin”, polici kërcënon qytetarin se nuk i dha ryshfet

“Paratë, ose do të vras djalin”, polici kërcënon qytetarin se nuk i dha ryshfet

Lajme
Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

Lajme
Kalo në kategori