LAJMI I FUNDIT:

Dy frika obsesive në qytetarinë kosovare

“Kush përpiqet t’i përngjajë ndonjë bashkësie, ai edhe i takon asaj…”!

1. Obsesioni për t’u (mos)identifikuar me të tjerët


Duke u nisur nga modeli i sjelljes sociale, në demokracinë akoma të brishtë kosovare është e pamundur që syri i një sociologu të vëmendshëm të mos hetojë dhe evidentojë përpjekjen apo edhe mënyrën e sjelljes së kësaj qytetarie në ndërtim, në gjithë periudhën e pasluftës. Dhe, këtë jo vetëm për të provuar aftësitë dhe gatishmërinë e saj për të ndërtuar kapacitetet e reja shtetërore demokratike që akoma janë me përplot mangësi dhe defekte, por natyrisht edhe për të kuptuar e dëshmuar si sensin e akomodimit, ashtu edhe atë të refuzimit të sjelljeve tjera të huaja sociale, politike, e kulturore që u nënshtrohet për çdo ditë. Këto sjellje sociale dhe kulturore, nga shumica e sociologëve cilësohen edhe si modele të “importuara” dhe që të vetmin synim e kanë përshtatjen, akomodimin, pra edhe shkrirjen me ato vendase…

Pra, duke u pajtuar me konstatimin se Kosova e pas luftës në një mënyrë u bë një lloj shtrati i Prokrustit të absorbimit të vlerave dhe mënyrave të sjelljeve të importuara, tani pas gjithë kësaj kohe është interesant të shihen dhe të matën si shkaqet ashtu edhe pasojat e këtij ndikimi në jetën tonë të përditshme politike, sociale e kulturore. Kështu që për të analizuar denjësisht dhe me dioptri tipike sociologjike këtë proces, gjithandej në përditshmërinë tonë shoqërore, për këtë dekadë të tërë që u ushtrua në forma dhe përmbajtje në gjitha poret e jetës shoqërore, duhet me një kujdes e vëmendje të posaçme ta shpjegojmë: ose si një demonstrim të muskujve të tendencës se globalizimit, në mënyrë që “faktet” sociologjike e jo paragjykimet të flasin me gjuhën e argumenteve; ose si një domosdoshmëri e kohës që paraqitet si pasoje mbylljes se tepërt nga ana e shoqërisë, shkaku i represionit qe ushtronte regjimi serb gjate sundimit te tij në Kosove. Ndryshe, kujtoj se ky proces s’mund të ketë një përgjigje sociologjike. Por, të shohim se çfarë s’duhej të mbindërtonim si vlerë dhe si model të sjelljes së re qytetare në Kosovë në këtë dekadë që iku.

2. Modelet e sjelljeve deviante s’duhet të zënë vend në Kosovë

Vrojtuesi i kujdesshëm gjithashtu në këtë rrugëtim të eksplorimit të mënyrës së "marrje" "dhënies" së këtyre vlerave të reja qe u imponuan si formë dhe ligjësi e re e sjelljes së qytetarëve të Kosovës, padyshim do të mund te hetoj në vija të trasha se ky fenomen i “këmbimit” ndikoj dosido edhe në procesin e formimit të identitetit qytetar kosovar. Proces ky që s’ishte as i lehtë e as i padhembshëm për procesin tjetër qe prodhonin sferat morale, sociale, e do të thosha sidomos ato ligjore e kulturore autoktone. Ndodhi kështu, për mendimin tim edhe për shkak se shoqëria kosovare si ish shoqëri konzervative në kuptimin e dyfishtë (ndajë regjimit serb dhe ndajë autoritetit brenda vetvetes)tani po provon të ndërtojë raporte të atilla shoqërore, ku individi dhe grupet e ndryshme etnike po provojnë te jetojnë në një harmoni dhe tolerancë të shoqëruar me ligje dhe institucione demokratike ashtu si edhe e gjithë Evropa. Një skeptik i deridjeshëm do të mund të pyeste: Athua detyrimisht jemi të shtrënguar të marrim çdo gjë që na vjen si nga perëndimi ashtu edhe nga Lindja? Ndërsa, një pionier i demokracisë anipse akoma të brishtë kosovare, do të përgjigje në stilin; Çfarë dileme duhet të kemi në si shoqëri kur jemi përcaktuar për demokraci, tolerance….etj? Por, tani dilema nuk është se nga duhet të ia mbajmë, por çfarë vlerash sociale, politike e sosh kulturore ne si shoqëri që e synon integrimin në Evropë duhet te kultivojmë? A duhet këtë ta bëjmë në mënyrë selektive, në mënyrë qe ta ruajmë thelbin e identitetit tonë kombëtare, apo duhet t’i "përpijmë" pa u hamendur ashtu siç po ndodhë në jetën tonë të përditshme, krejt çka na del përpara?

Tani, për mendimin tim sociologjik, shoqëria kosovare për ngjatë gjithë periudhës së procesit të tranzicionit i është ekspozuar në mënyrë obsesive dy tipa modelesh të identifikimit të vetës me të tjerët, apo më mirë me thënë dy formave të frikës: asaj ksenocentriste dhe asaj ksenofobiste. Të shohim se çfarë është njëra e çfarë tjetra?

3. Modeli i frikës ksenocentriste

Thënë më thjeshtë ka kuptimin tej mase të mbivlerësimit të kulturave të huaja (aktualisht tek ne kjo ndodhë me identifikimin e tepruar të asaj perëndimore) që pas luftës së ndodhur ishin modele shumë atraktive identifikuese, në kuptimin e një hasjeje të pakontestueshme edhe për shkak se ishte përveç tjerash edhe një lloj satisfaksioni moral për gjithë ndihmën që shtetet perëndimore i ofruan Kosovës gjatë kohës së kërcënimit fizik dhe gjenocidit që ushtronte atëbotë regjimi serb. Shikuar me këtë dioptri s’ka asgjë të keqe në ketë drejtim, ngase të gjithë jemi të pajtimit se ne si vend, si shtet dhe si popull i përkasim perëndimit si gjeografikisht ashtu edhe politikisht. Por, ajo që po ngjanë në fakt me këtë proces të identifikimit tonë të tepruar, ka të bëjë me ato vlera dhe atë sistem deviant vlerash që në çdo vend dhe shtet perëndimor kontestohen si me fuqinë e ligjit ashtu edhe me normat dhe rregullat morale të këtyre vendeve.

Tani, ajo çka po ndodhë në Kosovën e pasluftës është një lloj inferioriteti i çuditshëm edhe me faktin, se ai po shoqërohet me benificione e joshje për prestigj përmes një selektimi tejet negativ (ku vetëm: konformistët, servilët, e thënë më thjesht pakurrizorët gjejnë shprehje dhe kanë qasje?!) sidomos në sferën politike, ku asnjë vendim s’mund të merret pa “konsultimet” konstruktive me miqtë dhe shpëtimtarët tanë. Pra, është duke ndodhur një përçmim të vetvetes sonë, një mahnitje e skajshme me të huajën, pra, me botën jashtë nesh që dikush i adreson tek arkitekt e kulturës globale. Thuajse, ne jemi aq fëmijëror në këtë kontekst sa as shtetin, as institucionet, as ekonominë, as kulturën e as… s’mund t’i bëjmë vetë dhe me masën që ne e konstatojmë?!

Kjo ndjenjë e fatpajtimit ngandonjëherë mund të shkojë edhe deri te refuzimi tërësor i unit kulturor vendor që për pasojë mund të ketë apatinë dhe ndjenjën e mos të qenit si thotë populli ”Zot shtëpie, në shtëpinë tënde”. Por, në anën tjetër duhet pranuar që fenomeni i identifikimit me produktet e reja kulturore e sociale globale që është duke e katapultuar pamëshirshëm tendenca e globalizimit, në fakt është një fenomen që ballafaqohen pothuajse të gjitha shoqëritë e tranzicionit, bile do thosha edhe ato me traditë të gjatë demokratike. Sipas kësaj logjike: të gjithë duhet të hyjnë në një vrap histerik dhe të ëndërrojnë të perëndimizohen, pra të shijojnë të arriturat e shoqërive tipike konsumuese dhe të mirëqenies sociale, ku çdo gjë është me bollëk. Por, ajo çka ne harrojmë me këtë rast ka të bëjë me faktin, se e gjithë kjo mirëqenie nuk është arritur në perëndim vetëm duke pirë p.sh. një coca-cola, apo duke përdorë një iphone apo ipad të sofistikuar, por duke krijuar një sistem të atillë vlerash e ligjesh qe respektohen nga të gjithë, pa marr parasysh as etninë, as gjininë, as racën, etj. Imitimi i verbët, pa ndonjë angazhim social dhe pa një selektim se çka është e dobishme e çka deviante, ashtu siç po bëjmë në Kosovë, padyshim do të sjell pasoja që tashmë edhe po shihen dhe po evidentohen nga ekspertët lokal social e kulturor. Në fakt, në horizont kemi një dukuri ti re, ende të pa provuar ndër ne, e të shquar si dukuri të desocializimit që me parametrat sociologjikë shquhet si ikje apo si proces i ndërprerjes së socializimit të mëhershëm autokton që siç e thotë sociologu amerikan Erving Gofman, vjen si pasojë e “mortifikimit”, pra, një gjendjeje kur individi largohet prej unit të tij të vjetër dhe merr unin e ri…

4. Modeli i frikës ksenofobiste

Është një tip tjetër i identifikimit apo përpjekjes për t’u mos identifikuar me vlerat dhe mënyrën e sjelljeve të tjerëve, që kujtojë se gjithnjë e më tepër është duke u ambientuar në jetën tonë të përditshme kosovare. Ksenofobizmi, për të mos hyrë tani në prejardhjen e vetë fjalës (që nënkupton: frikë nga e huaja, urrejtje dhe frikë ngandonjëherë edhe patologjike nga të huajt. Pra, një mohim dhe përçmim tej mase e çdo gjëje që vjen nga popujt dhe vendet tjera) , ngase kujtojë që shumica e kuptojnë për çfarë e kam fjalën. Në realitetin tonë kosovar kjo dukuri mund të konceptohet si një lloj obsesioni tani për rrezikun nga vlerat dhe sistemi i sjelljeve sociale e para së gjithash kulturore të tjerëve, pra si një antipod i frikës nga gjithçka që është e huaj për kulturën, mentalitetin, mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit social të vendit. Ky obsesion i këtillë me gjithë këtë potencial paragjykues e injorues ndajë çdo gjëje të huaj, në të ardhmen mund të prodhojë jo vetëm situata të rrezikshme deviante (mbyllje në vetvete, stres dhe pasiguri totale në vetveten dhe të tjerët), por situata të atilla që realisht do të mund ta pengonin si funksionimin e sistemit të sjelljes morale autoktone ashtu edhe sistemin ligjor atë politik e sidomos atë social e kulturorë .

I gjithë ky obsesion për ksenocentrizmin dhe ksenofobinë, në realitetin tonë s’do të duhej të paktën të këndvështrohej irracionalisht dhe me tone paragjykuese etnike, ngase lehtë ato mund të eskalojnë në shovinizëm, racizëm dhe urrejtje fetare. Vendet dhe shtetet ksenofobe gjykojnë të drejtën e tyre pronësore mbi kulturën dhe vlerat e veta kombëtare, si të drejtë të pa tjetërsuar edhe për shkak se ata mendojnë që ekspozimi i tepërt i vlerave kombëtare në një mënyrë fashit idealet e tyre mbi pastërtinë kombëtare, racore e fetare!?. Në fakt, ksenofobia detyrimisht në kushtet dhe rrethanat e një procesi apo tendence globalizuese na del si një tipar dobësie dhe paaftësie për t’u integruar në familjet e mëdha, siç është psh. kjo Evropiane. Në anën tjetër, ekstremi tjetër i skajshëm i cilësuar si ksenocentrist, gjithashtu ka mangësitë dhe defektet e veta ngaqë i mbivlerëson vlerat dhe modelet e huaja të sjelljeve: sociale, politike, ekonomike e sidomos kulturore. Kështu që në kushtet dhe rrethanat e një procesi nëpër të cilin po kalon shoqëria kosovare si ksenocentrizmi ashtu edhe ksenofobia, kujtojë që janë dy frika të pa arsyeshme edhe për një shkak tjetër: që të dyja, ofrojnë vetëm ndasi dhe tëhuajësim të skajshëm të vlerave kombëtare shqiptare, në vend që të ofrojnë ballafaqim me kulturat e tjera, sepse vetëm kështu mund të futemi në garën ndërqytetërimore dhe ndërkulturore.

Po jetojmë në një ambient dinamik social e kulturor, ku vlerat globale gjithnjë e më shumë po lokalizohen dhe anasjelltas. Kështu që ky proces i “dhënie – marrjes”, në fakt është bë edhe një agjentë shtesë lëvizës që na bënë të kuptojmë se na si shoqëri e re demokratike, duhet padyshim me masë (por jo edhe me rezerva paranoike!) të ndjekim rrugën aristoteliane të “mesit të artë. Ngaqë kultivimi ekstrem i cilitdo nga modelet e sipërme të frikës, do të mund të na sjell në situata konfuzioni dhe animi të panevojshëm se jemi për apo kundër sistemimit të këtyre vlerave në mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit të jetës sonë të përditshme sociale e kulturore. Në fakt mendojë që barrikadimi prapa vërshimit të këtyre vlerave, nuk do të duhej të paktën të na bëjë më pak apo më shumë patriot e qytetar të Kosovës, ngase rreshtimi ekskluzivë vetëm kah vlerat deviante qofshin ato perëndimore apo lindore, në mënyrë serioze na e vonojnë jo vetëm integrimin e synuar, por edhe ndërtimin e kapaciteteve dhe institucioneve demokratike, për çka kujtojë qytetaria kosovare është shumë e interesuar. “Mesi i artë” aristotelian, duket që është rruga jonë…