LAJMI I FUNDIT:

Duro: Kombëtarja shqiptare ka ndryshuar

Duro: Kombëtarja shqiptare ka ndryshuar

Në prag të takimit me Danimarkën, i vlefshëm për kualifikimet për Kupën Botërore, Afrika e Jugut 2010, mesfushori i kombëtares shqiptare, Klodian Duro, mbetet optimist për një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje.

Mbase i inkurajuar nga fitorja e thellë prej 6-1 në miqësoren ndaj Qipros, Duro thotë se kombëtarja shqiptare ka ndryshuar në muajt e fundit, dhe shpreson se rezultati i ndeshjes së parë (kur Danimarka fitoi 3-0) nuk do të përsëritet në Qemal Stafa më 9 shtator.

“Janë dy ndeshje me të njëjtin kundërshtar, por në kohë të ndryshme. Te ne kanë ndryshuar shumë gjëra, duke u nisur që nga trajneri Kuzhe. Trajnerët kanë ide të ndryshme, por me Kuzhen ka rezultuar se kemi bërë hapa përpara”, ka thënë Duro në një intervistë për Sporti Shqiptar.

“Jo më kot Danimarka është kryesuese e grupit A. Nuk ka fituar vetëm kundër nesh, por e ka bërë këtë edhe kundër ekipeve të tjera në grup. Por, kjo ndeshje vjen në një periudhë tjetër nga ajo që luajtëm në Danimarkë. Mendoj se gjendja e mirë e skuadrës dhe entuziazmi të finalizohen më një lojë të mirë dhe më një rezultat pozitiv në ndeshjen ndaj Danimarkës, gjë që, siç e thashë edhe më parë, do t’i shërbejë ekipit në të ardhmen”, ka shtuar Duro.