LAJMI I FUNDIT:

Dunkirk dhe “Dunkirk”: Historinë e shkruajnë ata që nuk gjunjëzohen

Dunkirk dhe “Dunkirk”: Historinë e shkruajnë ata që nuk gjunjëzohen

Për trimërinë me fjalë të shumicës së shqiptarëve dhe trimërinë me vepra të anglezëve që gjithmonë fitojnë!

Kur në vitet ’90 të shekullit të kaluar, delegacionet nga Kosova shkonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të kërkuar mbështetje për mbrojtjen e shqiptarëve të shtypur nga pushteti i Sllobodan Millosheviqit, disa mediokër në mesin e tyre, në takimet me zyrtarët amerikanë flisnin edhe për të kaluarën, për trimërinë dhe heroizmin mitik të shqiptarëve. Njëri nga ta njëherë foli më shumë për Dedë Gjo Lulin sesa për dhunën dhe terrorin serb në Kosovë. Në një rast të tillë, kreu i republikanëve, Bob Dole, me cinizëm u shpreh se amerikanët janë komb i ri e me “histori të varfër”, për çka “lakmi” mund t’ua kenë shqiptarëve. Por, teksa në dorë mbante fotografinë e Hazir Rekës – të gushtit 1990, kur policia speciale serbe shpërndante dhunshëm turmat që prisnin ardhjen e tij, e kur këmbëkryq në asfaltin e korzos së dikurshme rezistonte Faik Rexhepi – shprehet se ky është realiteti, e sotmja për të cilën shqiptarët duhet të flasin e t’i informojnë të tjerët. Pra, të merren me të sotmen, për të nesërmen më të mirë!


***

Për gjashtë javë, në maj-qershor 1940, Gjermania naziste pushton Francën, Belgjikën, Luksemburgun dhe Holandën. Në qershor, trupat britanike dhe franceze u bllokuan në Dunkirk.

Dunkirku ishte qytet jo i madh bregdetar në Francë, i cili kishte përjetuar bombardime të rënda nga anijet gjermane gjatë Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1940 – gjatë Luftës së Dytë Botërore – qyteti do të kishte gati pesëfish më shumë ushtarë se banorë.

Katërqind mijë trupa të Forcave Aleate ishin të rrethuara aty. Beteja për Francën ishte e humbur; Beteja e Dunkirkut mund të ishte humbja e Britanisë së Madhe (Anglisë, si forca kryesore ushtarake dhe ekonomike e këtij shteti). Në qershor 1940, ky shtet kishte 1.65 milionë ushtarë, afro 300 mijë nga të cilët rrezikoheshin të vriteshin ose të ziheshin robër.

Askush nuk e di saktë se pse gjermanët frenuan sulmin në Dunkirk, sulm nga i cili vështirë se do ta merrte veten Britania e Madhe. Një version thotë se kryesorja për Gjermaninë ishte pushtimi i jugut të Francës e pastaj i Bashkimit Sovjetik. Ndërkaq, meqë deri në ato momente Britania dhe bota nuk ishin të vetëdijshme për fuqinë marramendëse të Gjermanisë, Hitleri besonte se ky shtet nuk do ta zgjedh luftën. Këtë bindje ia forconte fakti se shumë politikanë e aristokratë anglezë shprehnin simpati për të dhe gatishmëri për marrëveshje me gjermanët. Në mbështetje të kësaj, më 1945, kur e shihte fundin e tij, Hitleri thuhet të jetë frustruar se pse kryeministri britanik, Winston Churchill, nuk ia ktheu “shansin sportiv” që ky ia ofroi atij në Dunkirk.

Në anën tjetër, faktet thonë se më 21 maj 1940 ndodhi një sulm i madh me tanke britanike, që kishte shkaktuar efekt negativ psikologjik tek ushtarët e pamposhtur gjermanë. Po ashtu, trupat e motorizuara gjermane po lëviznin shpejt, e kjo e linte këmbësorinë në rrezik. Prandaj, gjermanët ndalën sulmet për tri ditë më 24 maj. Kjo u dha kohë britanikëve të rimendonin linjat e mbrojtjes. Ndërkaq, kur më 25 maj, rastësisht gjatë një sulmi morën edhe planet e ushtrisë gjermane, atëherë ndryshoi strategjia e luftimeve. Këtyre fakteve u shtohet edhe një teori tjetër që thotë se anglezët kishin zbërthyer makinën më të zgjuar të deshifrimit, krenarinë e gjenialitetit arian, Enigmën (që veç me një pozicionim unazash kishte këtë numër kombinimesh: 15 here 10 në fuqinë 18), ndaj pretendohet se ishin të informuar se Hitleri po do paqe me ta.

Derisa ende nuk dihet e vërteta se pse Gjermania e ndali sulmin, i cili do të mund të ndryshonte rrjedhat e historisë, ajo që dihet saktë është se ky vendim nxiti Britaninë që më 26 maj të nis zbatimin e Operacionit Dinamo – evakuimin e ushtarëve të saj. Kjo ndërmarrje që përfundoi më 4 qershor, shpëtoi afro 338 mijë jetë: 215 mijë britanikë dhe 123 mijë francezë, belgë, polakë e holandezë.

“Por, luftërat nuk do të fitohen me evakuime”, do të thoshte më 4 qershor kryeministri i Britanisë së Madhe, Winston Churchill, i cili në këtë post u emërua më 10 maj 1940.

***

Christopher Nolan është një nga skenaristët dhe regjisorët më të mëdhenj të këtij shekulli. Filmat e tij kanë sjellë fitim prej afro pesë miliardë dollarëve. Por, përderisa më herët veprat e tij kishin sfond filozofik, shkencor e psikologjik, ai sivjet e sprovoi veten me një temë historike: evakuimin nga Dunkirku.

Në këtë realizim, këshilltar i tij ishte historiani Joshua Levine. Sipas tij, Evropa ka rilindur në Dunkirk. Levine thotë se dekurajimi nga tërheqja shpejt u bë simbol i rezistencës, sepse njerëzit e kuptuan se ishin ende në luftë dhe se këtë luftë nuk e kishin humbur.

“I ashtuquajturi ‘shpirti i Dunkirkut’ lindi spontanisht, më pas e përvetësuan politikanët, drejtuesit ushtarakë, por edhe Kisha që foli për ‘mrekulli’. Pikërisht kështu, në dekadat që pasuan, një humbje u shndërrua në fitore, në një karakter themelor të heroizmit, kurajës britanike, duke krijuar mitin e popullit që nuk dorëzohet, që shkon përpara me çdo kusht, edhe kur gjërat shkojnë keq”, ka thënë ai në një intervistë.

Këtë shpirt luftarak e portretizon Nolan, në atë që sot po cilësohet si kryevepra e tij kinematografike. Operacioni i shpëtimit pasqyrohet nga regjisori përmes tri perspektivave hapësinore e kohore: atë në bregdet që zgjat një javë; në det një ditë; dhe në ajër një orë. Të tri këto pjesë ndërlidhen në një storje që nuk jep shumë informata, por që pasqyron luftën britanike të mbijetesës dhe të mos gjunjëzimit. Filmi është plotë tension, frikë e trauma. Fjalë ka pak, e gjermanët nuk shihen fare! Lufta është kudo, qoftë ajo individuale, ashtu edhe ajo kolektive…

***

Nolan përmes “Dunkirkut” ofron një vepër patriotike, në të cilën edhe heshtja flet. Fati i botës varej nga rezistenca britanike. Rrethimi i Dunkirkut ndodhi 18 muaj para sulmit japonez në Pearl Harbour, sulm ky që futi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftë përkrah britanikëve, dhe një vit para se gjermanët të nisnin zbatimin e Operacionit Barbarosa – të pushtimit të Bashkimit Sovjetik. Britania ishte e vetmja forcë evropiane që i rezistonte shtetit më të fortë të kohës. Britania ishte e vetmuar dhe këtë vetmi e shfaq Nolan në bregdet, në ajër dhe në ujë. Kjo vërehet në momentet e para të filmit, të ushtarëve britanikë të humbur në rrugët e Dunkirkut kur para tyre bien pamfletet e propagandës gjermane: jeni të rrethuar!

Ushtarët britanikë e shihnin me sy Atdheun e tyre, por kurrë më larg nuk e kishin. Ndaj, koha është relative: një orë, një ditë, një javë zgjat sa një jetë e tërë. Relative është edhe hapësira: toka, ajri dhe deti drejt Britanisë. Sepse, vdekja ishte kudo!

Megjithatë, shpresa dhe besimi në shtet, në ishullin e pamposhtur, mbetej arma më e fuqishme e tyre. Kështu, për të shpëtuar ushtarët, Britania angazhoi 220 anije lufte dhe 700 anije të vogla në pronësi private. Ato janë manovruar nga marina, por edhe nga individët që donin të jepnin kontributin për bijtë e tyre, ndryshe do të mbetnin të gjithë pa shtëpinë e madhe – Britaninë.

Në kohën kur kryhej evakuimi, një pjesë e ushtarëve francezë vazhdonin rezistencën për të frenuar trupat gjermane. Në ajër ishin pilotët anglezë, në aeroplanët Spitfire që mund të manovronin për një orë në luftën kundër fluturakeve të aviacionit gjerman. Pilotët e kryenin detyrën, në mbrojtje të anijeve me ushtarë, deri në pikën e fundit të kerozinës. Sakrifica dhe vetëmohimi ishte detyra e tyre, e çdo britaniku – civil dhe në uniformë. E, këtë realitet e shpërfaq Nolan, bashkë me respektin për të gjallin dhe për të vdekurin. Sepse, të gjithë ishin viktima të armikut të përbashkët dhe heronj të kauzës së mbrojtjes së nderit dhe shtetit. Britanikët ishin unikë dhe ky unitet solli mbijetesën e tyre – betejën e parë të fituar drejtë fitores së plotë të Luftës së Dytë Botërore.

***

Në mars 1999, publicisti Daut Dauti, profesoresha e Departamentit të Studimeve të Luftës, Jane M.O. Sharp, si dhe gazetari i njohur i Guardianit, Jonathan Steel, udhëhiqnin një debat për luftën në Kosovë, në King’s College të Londrës. Gjatë debatit, një student pyet se pse britanikët duhet të luftojnë për Kosovën, kur dihet se mund të vriten ushtarët! “Çfarë është kjo pyetje? Ushtarët tanë e dinë se do të vdesin që në momentin kur e veshin uniformën. Kjo i bie sikur t’i thuash zjarrfikësit: ‘Mos shko me fik zjarrin se është rrezik’”, përgjigjet profesoresha Sharp.

Ndërkohë, pas përfundimit të kësaj lufte, përkthyesi shqiptar i KFOR-it britanik, në një bisedë të lirë me një ushtar anglez, nuk mund të mos fliste edhe për trimëritë e shqiptarëve. Në një çast, ushtari i huaj, i “zhytur” në këto ligjërime, pa të keq e pyet: “Cilën luftë ju shqiptarët e keni fituar”?

Përgjigje përkthyesi “historik” nuk kishte! Ndërkaq, anglezi, si shumica e popullit të tij, e mbante mend “veç” një vit me rëndësi për historinë: 1066! Sepse, nga ky vit i pushtimit norman, për afro njëmijë vjet të tjera, këmba e armikut nuk ka shkelur më në tokën e Anglisë. Kushdo që e ka provuar këtë, madje edhe shtetet më të forta se Anglia, e kanë marrë teposhtën: Spanja e Filipit të II-të, Franca e Napoleonit dhe Gjermania e Hitlerit. Sepse, pak popuj në botë e kanë guximin anglez për të menduar e për të luftuar. Për Anglinë! Për Britaninë!

Këtë e pasqyron edhe fjalimi i Churchillit, pas përfundimit të evakuimit të ushtarëve nga Dunkirku. Më 4 qershor 1940, në Parlamentin e Britanisë së Madhe, ai ndër të tjera i tha edhe këto fjalë – me të cilat përfundon filmi i Nolanit: “Do t’i shkojmë kësaj pune deri në fund. Do të luftojmë në Francë; do të luftojmë në dete dhe oqeane; do të luftojmë me rritje të vetëbesimit dhe rritje të forcës në ajër; do ta mbrojmë ishullin tonë, pavarësisht çmimit. Do të luftojmë në plazhe, do të luftojmë në zonat e zbarkimit, do të luftojmë në fusha dhe nëpër rrugë, do të luftojmë në kodra. Ne kurrë nuk do të dorëzohemi”!

Në trend

Më shumë
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme

"E pabesueshme, qesharake, absurde...", reagimet ndaj deklaratës së Borrellit, se mezi pret të punojë me qeverinë e re të Serbisë

Botë
Nuk pajtohet me Ancelottin, mbrojtësi i Real Madridit ka gjetur destinacionin e ri

Nuk pajtohet me Ancelottin, mbrojtësi i Real Madridit ka gjetur destinacionin e ri

La Liga
U përfol se u ndanë për të shpëtuar pasurinë, Bes Kallaku jep përgjigjjen përfundimtare

U përfol se u ndanë për të shpëtuar pasurinë, Bes Kallaku jep përgjigjjen përfundimtare

Magazina
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Çfarë pyetje u bëhen qytetarëve në diasporë për regjistrim?

Çfarë pyetje u bëhen qytetarëve në diasporë për regjistrim?

Lajme
Kalo në kategori