LAJMI I FUNDIT:

“Drejtësia e vonuar”, problemi i madh i kosovarëve

“Drejtësia e vonuar”, problemi i madh i kosovarëve

Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë, i cili synon që përmes disa ndryshimeve ligjore, t’i jap fund stërzgjatjes së gjykimeve. 

Drita Kaqandolli – Gjonbalaj ka dhjetë vjet që është në një proces gjyqësor me vëllezërit e saj, për një kontest pronësor


Ajo pretendon se vëllezërit e saj i bënë padrejtësi, duke mos i dhënë hise në tokën e prindërve.

“Ka qenë prona prej nëntë ari në lagjen ‘Bajram Kelmendi’, apo ish- ‘Vellusha’. Unë e kam nënshkru dhe nuk e kam ditë për çka. Neve na kanë thënë se ne po nënshkruajmë vetëm sa për të filluar ndërtimi. Pastaj ka ndodhur që ata kanë ndërtu dhe neve motrave nuk na kanë njoftu fare dhe nuk na kanë përfshi fare në trashëgimi”, ka thënë Kaqandolli – Gjonbalaj, për RTV Dukagjini.

Ajo tash e dhjetë vjet endet nëpër gjykata në kërkim të drejtësisë.

Por, krejt çka ka marrë deri me tani është dëshpërimi.

“Shpresat nuk përfundojnë asnjëherë, mirëpo e kam bindjen e tillë që ky rast nuk do të përfundoj kurrë… Do të thotë kanë kaluar më se dhjetë vite dhe tash në qershor edhe kur ndodhi seanca, ajo vazhdoi vetëm për 20 minuta dhe e përfundoi seancën”, ka shtuar ajo.

Sikur ky rast, janë edhe mijëra të tjerë në gjykatat e Kosovës.

Këtë situatë, po synon ta ndryshojë Ministria e Drejtësisë, duke hartuar një koncept dokument, i cili synon t’u sigurojë palëve gjykim brenda kohës së arsyeshme.

“Ligji do të përcaktoj një afat të caktuar kohor, kalimi i së cilit do të nënkuptonte se rasti ka tejkaluar afatin e arsyeshëm kohor. Duke u bazuar në praktikat më të mira evropiane dhe me standardet që janë të vendosura tashmë nga Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut, në rastet civile është zakonisht i vendosur një afat dy vjeçar”, ka thënë Albulena Uka.

Albulena Uka është zëvendës kryesuese e grupit punues, i cili hartoi koncept dokumentin, që po konsiderohet një bazë e mirë në hartimin e ligjit.

Ndryshimet ligjore që synohen të bëhen, Uka tregon se parashohin dy mjete të reja efektive juridike për palët në procedura gjyqësore.

“Janë në njërën anë kërkesa për përshpejtimin e procedurës dhe kërkesa e dytë është ajo për kompensimin e dëmit… Fillimisht mund të iniciohet procedura për përshpejtimin tek kryetari i gjykatës pranë së cilës është duke u zhvilluar rasti dhe kryetari i gjykatës do të ketë kompetencën për të vendosur mbi arsyeshmërinë e kësaj kërkese nga pala… Në rastin e moszgjidhjes së lëndës edhe pranë afatit të paraparë, do të jepet mundësia që pala të bëjë kërkesë për kompensimin e dëmit”, ka shtuar ajo.

Koncept dokumenti është votuar para pak javësh në qeveri dhe ministria pritet që së shpejti të vazhdoj punën për zbatimin e rekomandimeve. /Dukagjini/