LAJMI I FUNDIT:

Draft-ligji për COVID-19, në “mëshirën” e deputetëve

Draft-ligji për COVID-19, në “mëshirën” e deputetëve
Foto: Arkiv

Kuvendi i Kosovës të premten pritet të diskutojë një draft-ligj të ri që ka të bëjë me pandeminë e COVID-19 të propozuar nga një grup prej gjashtë deputetëve në krye me kryetaren e kuvendit, Vjosa Osmani.

Në draft-ligjin e hartuar tashmë, e i cili ka vetëm tetë nene, thuhet se ‘ligji ka për qëllim që të krijojë hapësirën e domosdoshme juridike për autoritetet me qëllim të luftimit dhe parandalimit të pandemisë’.

Hajrulla Çeku, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, një nga propozuesit të draft-ligjit, tha për Radion Evropa e Lirë, se është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë një ligj, i cili do të mundësojë që të gjitha vendimet dhe kufizimet që merren nga qeveria me qëllime të parandalimit të përhapjes së coronavirusit, të kenë një bazë mbi të cilën mbështeten.


“Po e kryejmë obligimin tonë, si institucion, si kuvend, dhe e dyta po e ofrojmë një ndihmë për qeverinë ashtu siç kemi bërë edhe dy herët e kaluara dhe nuk shoh arsye të bazuar e të logjikshme që të refuzohet dhe të bllokohet miratimi i ligjit”, tha Çeku.

Sipas Çekut, ajo që po synohet në këtë situatë me miratimin e ligjit, nuk është betejë politike, por siç u shpreh ai, “është betejë për shëndetin publik dhe detyrë që e ka marrë përsipër Kuvendi i Kosovës pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese mbi masat e qeverisë së kaluar”.

Në përballjen me pandeminë COVID-19, por edhe me epidemitë e tjera që mund të paraqiten në të ardhmen, Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se Kosova ka nevojë për një bazë ligjore, e cila do ta fuqizonte mbikëqyrjen epidemiologjike, masat e parandalimit dhe kontrollit, testimin, trajnimin, kujdesin shëndetësor e të tjera.

“Gjatë muajve të kaluar është parë, qysh prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese për karantinim, por e kemi parë edhe gjatë punës së përditshme në terren se ka pasur shumë shpesh problem në zbatueshmërinë e masave parandaluese dhe masave mbikëqyrëse inspektuese nga inspektorati, qoftë komunal, qoftë inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë. E gjithë kjo do të mund të adresojë me një ligj të përbashkët dhe do të lehtësohej puna në terren’’, tha ai.

Në Kosovë aktualisht lidhur me situatën e pandemisë veprohet në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Edhe dënimet në rast të mosrespektimit të vendimeve bazohen po në këtë ligj.

Në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, nuk ka qenë e paraparë pandemia si COVID -19, rrjedhimisht disa deputetët të Kuvendit të Kosovës, por edhe juristet kanë kërkuar miratimin e një ligji të ri, i cili do të ishte më i përshtatshëm për rrethanat e krijuar me pandeminë.

Po ashtu, në një nga nenet e ligjit ekzistues thuhet se për kundërvajtje administrative sanitare të parashikuara në bazë të këtij ligji, “shqiptohen dënime me gjobë nga organet e Inspektoratit Sanitar të Kosovës, personi fizik dënohet me gjobë prej 1000 – 2000 euro, kurse personi juridik me gjobë prej 3000 deri 8000 euro”. Këto shuma të larta, nga juristët janë parë si të papërshtatshme me rrethanat në Kosovë dhe se, sipas tyre, kjo është po ashtu një nga arsyet se pse Kosova duhet të ketë një ligj të ri.

Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj të datës 31 mars kishte vendosur që vendimi i 23 marsit 2020 i Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjen e lirë të qytetareve, nuk është në përputhje me Kushtetutën, dhe të njëjtin vendosi ta shpallë të pavlefshëm.

Qeveria kishte marrë vendim që të ndalonte qarkullimin e lirë të njerëzve dhe automjeteve nga ora 17:00 deri në ora 06:00.

Gjykata ka konstatuar se “kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet ‘vetëm me ligj’ të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

“Leximi i atij aktgjykimi neve, si deputetë, na obligon që ta nxjerrim një ligj, sepse kështu ka kërkuar Gjykata Kushtetuese dhe ne thjesht po e kryejmë obligimin tonë si institucion, si kuvend”, theksoi Çeku.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë, se ”si qeveria Kurti, ashtu edhe qeveria aktuale Hoti, masat e domosdoshme që do të duhej ndërmarrë për të trajtuar këtë pandemi, kanë vendosur t’i rregullojnë me akte administrative, e që në së paku dy raste janë konsideruar si kundër-kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.

Miftaraj theksoi se Kushtetuta e Kosovës, e përcakton në mënyrë të qartë se kufizimi i të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë në raste si kjo me pandeminë, mund të bëhet vetëm nga Kuvendi i Kosovës, përmes miratimit të ligjit specifik mbi COVID-19, dhe assesi përmes vendimeve nga qeveria apo Ministria e Shëndetësisë, si kanë vepruar dy qeveritë gjatë këtij viti.

“Një shtet apo një qeveri që ka prioritet interesat e popullit, nuk do të lejonte që për më shumë se 6 muaj, të vonohej miratimi i një ligji të tillë. Miratimi i ligjit do të lehtësonte në masë të madhe punën e institucioneve ligj-zbatuese për të ushtruar kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre, do të dërgohej mesazhi te qytetarët se pandemia COVID-19 është realitet dhe nevojitet mobilizim qytetar dhe shoqëror për të tejkaluar këtë sfidë, dhe krejt në fund ky ligj do të duhej të trajtonte fusha jo vetëm nga shëndetësia, por edhe nga drejtësia, ekonomia apo fusha tjera që preken nga kjo pandemi”, sqaroi Miftaraj.

Qeveria e Kosovës nuk e pati miratuar nismën ligjore të Kuvendit të Kosovës për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së coronavirusit. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar“të turpshëm” mosmiratimin nga ana e qeverisë të një projektligji për luftimin e pandemisë së coronavirusit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, më 9 korrik pati thënë se “qeveria vlerëson se çështjet, të cilat synon t’i adresojë kjo nismë legjislative, do të përfshihen në kuadër të një projektligji për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë së COVID-19, i cili shumë shpejt do të finalizohet nga Ministria e Financave dhe pas miratimit në qeveri, do t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim.

Deputeti Çeku tha se asnjë kundërshtim që i është bërë ligjit në fjalë edhe në raste të kaluara qeveria nuk ka ofruar ndonjë argument të bazuar ose të logjikshëm.

“Kjo më bën të besoj që bllokimi ka qenë për inate politike për motive të ulëta dhe unë e dënoj këtë veprim të Qeverisë, por megjithatë tash e kemi në seancë. Është me rëndësi ta votojmë edhe pse ky miratim bëhet me mjaft vonesë dhe po i kushton shëndetit publik”, tha Çeku.

Ndryshe, në nenin 4, pika 4.3 të draft-ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID -19 në Territorin e Republikës së Kosovës, sipas pikës 4.2.2 thuhet se, vendimet operacionale do të jenë vendimet që i nxjerr ministri i Shëndetësisë ose Ministritë e linjës në baza ditore dhe që do të kenë për qëllim zbatimin e qëllimeve dhe synimeve të vendimit të shpallur kuadër.

Aty, po ashtu, thuhet se përveç përmbushjes së kërkesave ligjore administrative, vendimet operacionale duhet të përmbajnë edhe përshkrimin e detajuar të masave dhe aktiviteteve të ndërmarra, territori dhe kategoria e personave kundrejt të cilëve vlejnë masat dhe aktivitetet e ndërmarra sipas vendimit kuadër. Në draft-ligj përmenden edhe përkufizimet e sakta të kufizimeve të lirive dhe të drejtave të njeriut.

“Në rastet kur bëhet fjalë për kufizimet e të drejtave pronësore, duhet të shënohen detajet e kufizimit të tillë dhe përcaktimi se masat dhe aktivitete konkrete të drejtuara kundër të drejtave pronësore kanë karakter të përkohshëm”, thuhet në draft-ligj.

Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në muajin korrik u ka bërë thirrje publike deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të votojnë Ligjin kundër COVID-19, duke thënë se është momenti i fundit të veprohet në të mirën e qytetarëve.

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Raste të shumta për fajde dhe detyrim, Policia shpeshton aksionet

Raste të shumta për fajde dhe detyrim, Policia shpeshton aksionet

Drejtësi
Kalo në kategori