LAJMI I FUNDIT:

Doganat e Kosovës dhe Shqipërisë thellojnë bashkëpunimin

Doganat e Kosovës dhe Shqipërisë thellojnë bashkëpunimin

Udhëheqësit e Doganave të Kosovës dhe Shqipërisë, së shpejti do të nënshkruajnë një marrëveshje ndërshtetërore, e cila do të zëvendësojë marrëveshjen e mëhershme, që në emër të Kosovës e kishte nënshkruar UNMIK.

Gjatë një takimi në Prishtinë, drejtorët e doganave të të dy vendeve, diskutuan për ngritjen e mëtejshme të bashkëpunimit, me qëllim të krijimit të lehtësirave gjatë qarkullimit, por edhe luftimit të kontrabandës dhe evazionit tatimor.

Doganat e Kosovës dhe ato të Shqipërisë do ta thellojnë bashkëpunimin në shumë drejtime. Në radhë të parë, zyrtarët e të dy institucioneve do të angazhohen për krijimin e lehtësirave në qarkullim të udhëtarëve dhe mallrave, si dhe plotësimin e kushteve për menaxhimin e integruar të kufijve.

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, tha se takimi i sotëm kishte në fokus një marrëveshje ndërshtetërore në mes dy doganave, që sipas tij, nuk ka të bëjë me marrëveshjen e përmendur mes EULEX-it dhe Doganës shqiptare.


“Dogana e Kosovës me Doganën e Shqipërisë ka një marrëveshje të nënshkruar më herët, e cila tani do të plotësohet më tepër, nuk mund të komentoj diçka në aspektin e EULEX-it për arsye se ne nuk jemi të njohur me ato detaje, apo përmbajtjen e asaj marrëveshje që EULEX-i ka paralajmëruar qoftë me Serbinë, qoftë me shtetet tjera. Kjo që po e bëjmë ne sot është tregues i bashkëpunimit mes dy doganave… nuk ka të bëjë asgjë me aranzhimet e EULEX-it”, ka theksuar Huruglica.

Marrëveshja formale mes dy doganave ekziston që nga viti 2002, por ne emër të Kosovës atë e kishte nënshkruar UNMIK-u. Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Shqipërisë, Endri Pema, konfirmoi se marrëveshja e re ka kaluar në organet qeveritare dhe pritet të nënshkruhet së shpejti.

“Kjo është një marrëveshje doganore siç kanë gjithë shtetet me njëra tjetrën, porsa i përket mënyrës sesi do të shkëmbehet informacioni, eksperienca dhe gjithë fushat e bashkëpunimit, është thjesht marrëveshje teknike”, ka sqaruar Pema.

I pyetur rreth ndonjë marrëveshjeje doganore të arritur ndërmjet EULEX-it dhe Doganës së Shqipërisë, Pema, nuk ishte në gjendje të thotë nëse ka apo jo një marrëveshje të tillë.

“Nuk di të përgjigjem për këtë pyetje. Marrëveshje doganore, për momentin nuk e kam stafin me vete që të them se ka apo s’ka EULEX-i marrëveshje me Doganat shqiptare. Nesër apo pasnesër do t‘ua them”, është përgjigjur Pema.

Ndërkohë, Huruglica informoi se Dogana e Kosovës ka iniciuar 18 marrëveshje doganore, fillimisht me partnerët më të rëndësishëm tregtarë, me përjashtim të Serbisë, të cilat pritet të nënshkruhen në të ardhmen.

Të dy drejtorët dje kanë inspektuar pikat kufitare doganore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ndërkaq, gjatë vizitës në Kosovë, drejtori i Doganës shqiptare do të ketë edhe takime të tjera. /rtklive/

| s.b & RTK staff |