LAJMI I FUNDIT:

Doganat dhe ATK sigurojnë mjetet për rritjen e pagave

Doganat dhe ATK sigurojnë mjetet për rritjen e pagave

Zyrtarë të qeverisë në dorëheqje kanë kërkuar nga Administrata Tatimore dhe Doganat e Kosovës, që në këtë vit të shtojnë përpjekjet për më shumë të hyra buxhetore. Sipas ekspertëve të ekonomisë, kjo kërkesë është bërë me qëllim të realizimit të premtimeve të kryeministrit në largim, Hashim Thaçi, për rritje të pagave.

Administrata Tatimore dhe Doganat e Kosovës, mbesin dy organizatat kryesore, nga të cilat ku qeveria synon mbushjen e buxhetit për këtë vit, rrjedhimisht edhe të mundësohet rritja e pagave të premtuara nga kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, tha se qeveria e ardhshme duhet medoemos ta luftojë ekonominë e paligjshme, në mënyrë që Administrata Tatimore (ATK) dhe Doganat e Kosovës të realizojnë më shumë të hyra buxhetore.

“Të luftohet ekonomia e paligjshme me qëllim që ATK-ja dhe Doganat ta mbushin buxhetin e Kosovës, ndoshta për qindra miliona euro. Një pjesë do të mund të shfrytëzohet për ngritjen e pagave të shërbyesve civilë dhe punëtorëve shtetërorë, që është një rritje që i barazon pagat e punëtorëve kosovarë me pagat e punëtorëve të shteteve të rajonit”, thotë Bektashi.


Vendimi i qeverisë për rritje pagash për disa kategori në sektorin publik, buxhetit të këtij viti, i cili ende nuk është miratuar, do t’i kushtojë 100 milionë euro.

Doganat dhe ATK-ja qysh këtë vit duhet shtuar përpjekjet për më shumë të hyra në buxhet, ka kërkuar edhe Ahmet Shala, ministër në dorëheqje i Ekonomisë dhe Financave. Shala nuk e ka precizuar në mënyrë të saktë arsyen e kërkesës, por ka thënë se këtë vit Kosova ka nevojë më të madhe për financime. /Rel/Telegrafi/