LAJMI I FUNDIT:

Diplomacia publike, një sfidë e re…

Diplomacia publike, një sfidë e re…

Kur në hapat e tyre të parë në karrierë, Margaret Thatcher, Helmut Schmidt, Enver Sadat apo shumë udhëheqës të tjerë botërorë vizitonin SHBA-të përmes programeve të shkëmbimeve studentore, Diplomacia Publike e SHBA-ve ishte në punë të plotë. Ky lëmi ka më shumë se 50 vite që sjell dobi për shtetet që kanë ditur ta shfrytëzojnë, por në Shqipëri nuk ka dhënë ende fryt.

Këtë e pranoi edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i cili në një emision televiziv ku u diskutua mbi integrimin evropian, deklaroi ndër të tjera se ka afruar pranë dikasterit që drejton një specialist amerikan të Diplomacisë Publike. Ministri konfirmoi se Shqipëria është shumë pas vendeve të tjera të Rajonit në të ashtuquajturën “soft diplomacy”, madje edhe shumë pas Kosovës.


Në një kohë kur diskutohet gjerësisht për rolin e diplomacisë publike si një mjet i rëndësishëm për kombet në zhvillimin dhe përmirësimin e politikave të tyre të jashtme, politikanët dhe akademikët shqiptarë kanë një mungesë të pajustifikuar.

Çfarë është diplomacia publike?

Sipas studiuesit kanadez Evan Potter diplomacia publike është përpjekja e qeverisë së një vendi për të influencuar opinionin publik ose elitën e një vendi tjetër me qëllimin për të kthyer politikën e jashtme të atij vendi në avantazhin e saj. Diplomacia publike është po ashtu një ushtrim përpjekjesh dhe influencash që shtrihet përtej diplomacisë tradicionale duke përfshirë një numër shumë të madh “lojtarësh”, brenda dhe jashtë qeverisë, që angazhohen për audiencat publike të brendshme dhe të jashtme.

E teksa diplomacia publike ndodh me dyer mbyllur dhe në sekretësi (me raste përjashtimore), aktet e diplomacisë publike ndodhin në dritën e diellit, mund të janë të hapura për publikun dhe subjekt i impaktit të opinionit të gjerë publik.

Jan Melisen, ekspert i Diplomacisë Publike, argumenton se Diplomacia Publike mund të shihet si një “instrumentalizim i fuqisë së butë (soft power)”. Diplomaci publike do të thotë të influencosh të tjerët, dhe është përmes marrëdhenive të komunikimit dhe besueshmërisë, si instrumente të fuqisë së butë, me të cilat fitohet ky besim dhe nga ku varet imazhi pozitiv publik i një vendi. Melissen thekson se ka ikur koha kur politika ndërkombëtare formësohej më së shumti prej udhëheqësve politikë dhe një grushti zyrtarësh të lartë. Si rrjedhojë, as diplomacia nuk është më një botë e mbyllur diplomatësh dhe përfaqësuesish të tjerë qeveritarë.

Mund ta mendojmë Diplomacinë Publike si një trinom: identet, imazh dhe komunikim; ku identiteti është gjendja aktuale e vendit, imazhi tregon sesi është perceptimi i audiencës së jashtme (njerëz, vende, aktorë jo shtetërorë etj.) për një shtet, dhe komunikimi është mënyra sesi një identitet transformohet në një imazh.

Siç e ka cilësuar Joseph Nye, hulumtues i zëshëm shkencor i diplomacisë publike dhe komunikimit, “politika në epokën e informimit nuk është më çështje se cila ushtri është fituese, por se cila çështje/ngjarje është treguar më së miri”.

Leksione nga Diplomacia Publike e Kosovës

Pavarësisht fjalës historike të Kryeministrit Thaçi më 17 shkurt 2008 se “Që sot e tutje, Kosova është krenare, e pavarur dhe e lirë”, e dimë më së miri se forcimi i shtetit më të ri të Evropës në arenën ndërkombëtare, dëshira t’u bërë pjesë e pjesë e strukturave euro-atlantike dhe për të tërhequr investime ka kërkuar përpjekje të vazhdueshme.

Pas një historie një shekullore konfliktesh, skenari ku duhej përqendruar Kosova ishte shërimi i imazhit para komunitetit ndërkombëtar. Si një Republike e re, Kosova numëron vetëm 19 misione diplomatike jashtë vendit, të hapura që nga mesi i Tetorit 2009. Shërbimet diplomatike të kufizuara, i bëjnë edhe më të vështira përpjekjet për të shëruar imazhin e vendit me metodat tradicionale të diplomacisë. Në këtë skenar, Diplomacia Publike ka përbërë një instrument të domosdoshëm për të lehtësuar dhe mbështetur procesin e ndërtimit të imazhit të një shteti të ri si Kosova.

Një video që tregon një automobil civil që goditet nga një tank në rrugët e Kosovës në vitin 2001 qarkullon ende në internet. Sot imazhi që Prishtina tenton t’i shfaqë botës është krejtësisht i ndryshëm. Përpjekjet janë që ta tregojnë Kosovën si një nga shtetet më të reja në botë; vendi më popullsinë më të re dhe të gjallë në Evropë, me një mesatare prej 25.9 vitesh, që sjell ajër të ri dhe një imazh të ri në “kontinentin plak”.

Për të realizuar këtë, Agjencia Izraelite S&S (Saatchi & Saatchi) që i përket “Parisian Publicis Groupe” u shpërblye me një kontratë thuajse 6 milionë euroshe. Si rezultat i kësaj përpjekjeje lindi edhe sllogani Evropianët e Rinj (Young Evropeans), duke ngjallur një shpirt të ri, një komunikim të drejtpërdrejtë, por edhe një strategji të re.

U vendos gjithashtu të përdoren rrjetet sociale si Facebook, Twitter dhe YouTube. Këto kanale lejojnë përfshirjen e një audience të re në diskutime dhe kuptimin më të mirë dhe të plotë të mesazhit të dërguar nga qeveria. Strategjia është përqendrimi maksimal në fuqinë e të rinjve të Kosovës.

Për të mbështetur përpjekjet për ndërtimin e këtij imazhi të ri u prodhua një spot televiziv, i cili u transmetua gjerësisht në CNN, BBC, Bloomberg dhe YouTube duke sjellë një mesazh të qartë politik dhe një thirrje të hapur për turizëm dhe investime.

Me njohje të tjera në prag, reputacioni që po ndërton Kosova është shumë i rëndësishëm. Në këtë aspekt, diplomacia publike nuk përdor thjesht konceptet e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, por përfshin edhe koncepte nga sociologjia, antropologjia, marketingu dhe komunikimi, për të arritur pikërisht atje ku diplomacia tradicionale nuk depërton dot. Pra diplomacia publike shoqëruar me një plan strategjik komunikimi janë linja frontale e “luftës së ideve” në epokën e informimit, duke konfirmuar kësisoj fjalët e Nyes, cituara më lart në shkrim.

Sfidat e Shqipërisë

Sot diplomacia publike nuk është e kuptuar sikundër duhet në qarqet politike, burokratike dhe akademike shqiptare; mungon strategjia dhe koordinimi, dhe padyshim mungojnë burimet njerëzore dhe materiale për ta shpënë përpara këtë mision. Me plotësimin e gjithë gjë-a-gjëzës, vërejmë një dështim sistematik të politikës sonë të jashtme, që është në thelb, mungesa e një lidhjeje midis diplomacisë publike dhe prioriteteve strategjike të politikës së jashtme. Ndaj edhe përfaqësimi i politikës sonë të jashtme gjithë viteve të tranzicionit ka qenë sipërfaqësor në retorikë dhe simbolikë, me ngjarje aty-këtu të planifikuara rastësisht ose nga aktorë të jashtëm, dhe rrjedhimisht përballje me kriza të herëpashershme.

Në kohën kur hulumtues ndërkombëtarë të diplomacisë publike po theksojnë rolin gjithnjë e në rritje të këtij lëmi në pozicionin e një vendi në qytetërimin botëror dhe realizimin e objektivave të politikave të tij të jashtme, politikëbërësit dhe diplomatët shqiptarë jenë të pozicionuar shumë keq dhe mbas kolegëve të tyre evropianë edhe ballkanas. Kjo ngre pyetje të një peshe të veçantë për aftësinë e Shqipërisë për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar, reputacionin e saj si dhe për të vënë në lëvizje “fuqinë e butë” për përballimin me sukses të sfidave dhe prioriteteve të politikës sonë të jashtme.

Ekziston një shkëputje mes udhëqësisë politike dhe diplomacisë e cila ka bërë që deri më sot diplomacia publike të jetë e një prioriteti fare të ulët në agjendën e politikës ndërkombëtare të Shqipërisë. Shembuj të kësaj nuk gjenden vetëm në retorikën politike dhe burokratike, por mbi të gjitha në zotimet politike apo ndarjen e buxhetit për “diplomacinë e butë”. Qasja e vonuar e Shqipërisë drejt diplomacisë publike na ka shtyrë të humbim mundësi të arta për të shpënë përpara interesat strategjike të vendit, sidomos në drejtim të marrëdhënieve tona me vendet e Ballkanit apo edhe me vende të cilat sot po shpërthejnë për nga zhvillimi ekonomik.

Ashtu sikundër mund të cilësohet sukses përfshirja e Shqipërisë në sfida globale siç është lufta ndaj terrorizmit, po ashtu do të ishte e paudhë të fshihemi pas gishtit e të fërkojmë duart, ndërkohë që shqiptarët e Luginës së Preshevës, ata të Mitrovicës (që me pa të drejtë është ndarë më dysh nga media me etiketa si Mitrovica e Jugut e Mitrovica e Veriut), por hera-herës edhe ata të Maqedonisë e Malit të Zi përballen me një rrymë të rrezikshme antishqiptare.

Për t’u vënë në lëvizje diplomacia publike e Shqipërisë duhet të përfitojë nga një burim i pashfrytëzuar deri më sot si mjet i politikës së jashtme: diaspora. Diaspora shqiptare konsiderohet vetëm si kontribuese përmes remitancave, ndërkohë që ajo duhet shfrytëzuar si një katalizator për lidhje ndërkombëtare dhe si pikë hyrëse për biznesin jashtë vendit. Angazhimi i diasporës shqiptare do të përbënte një vlerë të çmuar për imazhin si dhe zhvillimin diplomatik dhe ekonomik të vendit.

Pjesëmarrja dhe kontributi jo qeveritar është mënyra më e mirë për të bërë diplomaci publike. Rasti më i suksesshëm dhe që ka përmirësuar ndjeshëm imazhin e Kinës në botë është basketbollisti Yao Ming. Serbia gjithashtu po shfytëzon tenistin Novak Djokovic për të përmirësuar imazhin e saj. Adnan Januzaj do të ishte një margaritar në duart e diplomacisë sonë publike duke përçuar freski, gjallëri e sukses shqiptar në mbarë globin.

Ministri suedez i Emigracionit, Tobias Billstrom, inaguroi në “Shtepinë e Suedisë” (Suedia ka disa të tilla në botë) në Uashington një ekspozitë që rrëfente historinë e thuajse një milion suedezëve që lanë shtëpitë e tyre për një jetë më të mirë në 20 vitet e para të shekullit që lamë pas. A nuk do të ish me vend që edhe Shqipëria të nderonte me fakte, figura e fotografi historitë e shqiptarëve që emigruan në “Tokën e Premtuar”. Aq më tepër që SHBA-të kënë bujtur shqiptarë të mëdhenj si Konica, Noli etj. që me krenari i drejtoheshin atdheut: “Mbahu, Nëno, mos ki frikë/ se ke djemtë n’Amerikë”.

Këto janë vetëm disa nga aktivitetet ku diplomatët publikë mund të përfshihen, por janë edhe një tregues i qartë i qëllimit dhe morisë së mënyrave të diplomacisë publike moderne.

Në këtë drejtim, është pozitive çelja e një zyre të diplomacisë publike në Ministrinë Punëve të Jashtme, por duhet bërë shumë herë më tepër për njohjen dhe kuptimin më të mirë të saj me synimin për të zbutur zbrazëtinë mes teorisë dhe praktikës. Duhet të shqyrtojmë më thellësisht rolin dhe strukturën e diplomacisë publike në politikën e jashtme të Shqipërisë që të kuptojmë përse është më të papërfillshmja në Rajon. Përpos kësaj, është veçanërisht e rëndësishme të lëvizim nga literatura mbi këtë fushë dhe të ngremë një kuadër për të shtyrë diplomacinë publike që të mbështesë diplomacinë tradicionale për të plotësuar objektivat e politikës sonë të jashtme.