Analizë e shkurtë për librin Thika: Meditimet pas tentimit për vrasje [Knife: Meditations After an Attempted Murder] të shkrimtarit Salman Rushdie.
Nga: Ella Creamer / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Salman Rushdie nis kujtimet e reja: “Në orën 10:45, më 12 gusht 2022, në një mëngjes të së premtes me diell, në veri të Nju-Jorkut, u sulmova dhe pothuajse u vrava nga një i ri me thikë”.
Libri i titulluar Thika, pasqyron sulmin në Institucionin Shatokua [Chautauqua], aty ku shkrimtari u ther me thikë në skenë pak para se ta mbante fjalimin. Është libri i parë të cilin autori britaniko-amerikan me origjinë indiane, e ka shkruar që nga sulmi i cili e la të paaftë për të parë me syrin e djathtë.
Këtu janë dhjetë gjërat që kemi mësuar nga Thika – për sulmin dhe shërimin e tij.
1. Mendoi se do të vdiste
Teksa Rushdie prezantohej në skenë në Shatokua, e sheh një “raketë” që vraponte drejt tij. Mendimi i tij i parë ishte: “Pra, ti je. Këtu je”. Shpejt pasoi mendimi tjetër: “Pse tash? Vërtet? Ka kaluar kaq kohë”. Sulmuesi Hadi Matar, më pas e goditi rreth dhjetë herë me thikë. “Pse nuk luftova? Pse nuk vrapova? Thjesht qëndrova aty si një pinjatë dhe e lashë të më shqyente”, shkruan Rushdie.
Kujton se shtrihej në pellg gjaku dhe mendonte se po vdes. “Nuk ndihej dramatike, apo në veçanti e tmerrshme. Thjesht ndihej si e besueshme … çështje fakti”. Nuk kishte “asgjë të mbinatyrshme” në lidhje me përvojën; ishte “krejtësisht fizike”. E ndjeu një “vetmi të thellë” nga ideja se do të vdiste larg njerëzve të dashur, i rrethuar nga të huajt.
2. Gruas së tij i thanë se nuk do t’ia dilte mbanë
Gruaja e Salmanit, poetja dhe romancierja Rachel Eliza Griffiths, u njoftua për sulmin përmes telefonit – nga shkrimtarja Safiya Sinclair. Griffiths dhe po ashtu djemtë e Salmanit në Londër, kishin shumë pak informacione të besueshme: thashethemet qarkullonin se kishte vdekur, ishte goditur me grusht dhe se nuk ishte vrarë, ishte ngritur në këmbë dhe ishte larguar nga skena dhe se ishte krejt në rregull. Dikush e telefonoi Eliza Griffithsin – nuk e mban mend se kush – për t’i thënë se Rushdie nuk do t’ia dilte mbanë. Foli me agjentët letrarë të Salmanit, Andrew Wylie dhe Jin Auh, të cilët e gjetën një aeroplan për ta çuar tek ai. “Kushton mbi 20 mijë dollarë. Nuk ka rëndësi”, shkruan Rushdie.
3. Në spital forcohej nga mbështetja në mbarë botën
Shkrimtarët mblidhen për të lexuar veprat e zgjedhura të tij në gusht të vitit 2022, jashtë Bibliotekës Publike të Nju-Jorkut.
Kur i kthehet vetëdija, kishte parë vizione të pallateve madhështore të ndërtuara nga alfabetet. E hap syrin e tij të majtë dhe kuptoi se ishte në një ventilator i cili “ishte sikur ta fusje bishtin armadilos në fyt”.
Kur ishte në spital, u bë i vetëdijshëm për një “ortek të tmerrimit botëror, të mbështetjes dhe admirimit”. Joe Biden, Emmanuel Macron dhe Boris Johnson – i fundit prej të cilëve dikur e kishte shkruar një artikull duke thënë se Rushdie nuk e meriton titullin e kalorësit – që të gjithë folën. “India, vendlindja ime dhe frymëzimi im më i thellë, atë ditë nuk i gjeti fjalët”, shkruan ai.
4. Sulmin e kishte ëndërruar disa ditë më parë
Dy ditë para se Rushdie të fluturonte për në Shatokua, sheh një ëndërr se si u sulmua nga një gladiator që mbante shtizën në një amfiteatër romak. Megjithëse nuk i beson parandjenjat, ëndrra u duk si e tillë – sidomos kur vendi i sulmit ishte gjithashtu një amfiteatër. “Nuk dua të shkoj”, i tha gruas. Megjithatë, ndjeu se blerësit e biletave prisnin nga ai. Gjithashtu, ai do të paguhej “bujarisht”, gjë që do ta ndihmonte pagesën për sistemin e ri të ajrit të kondicionuar në shtëpi.
5. Nuk ishte i sigurt nëse donte të shkruante për therjen
Pas sulmit, Wylie ishte vizitori i parë i tij – përveç familjes. Salmani i tha atij se nuk e dinte nëse do të mund të shkruante përsëri. Wylie i tha se nuk duhet të mendonte asgjë, për këtë vit, përveç përmirësimit: “Por, sigurisht, në fund do të shkruash për këtë”, shtoi ai. Rushdie tha se nuk ishte i sigurt nëse këtë e donte. “Do të shkruash për këtë”, tha Wylie.
6. I sheh romanet e veta si “parashikime” të sulmit
Romani Palaçoja Shalimar [Shalimar the Clown], i botuar më 2005, u frymëzua nga një imazh të cilin Rushdie nuk mund ta hiqte nga mendja: i vdekuri në tokë me vrasësin që qëndronte mbi të duke mbajtur thikën. Tani e sheh si “parashikim”. Rreshtat e hapjes së Vargjeve satanike [The Satanic Verses] – libri i cili në vitin 1989 çoi në nxjerrjen e fetvasë kundër tij nga udhëheqësi i atëhershëm i Iranit, Ayatollah Ruhollah Khomeini – gjithashtu “u kthye për ta përndjekur”: “Të lindësh përsëri”, këndoi Xhibrel Farishta kur binte nga qiejt, “së pari duhet të vdesësh”.
7. Ka vuajtur nga stresi post-traumatik i formës së maktheve
Që nga sulmi, Salman Rushdie ka vuajtur nga makthet. E ëndërronte verbimin e Ërlit të Glocesterit nga Duka i Kornualit te Mbreti Lir; e ëndërronte skenën që i ngjante pikturës së Theodore Géricaultit, Trapi i Meduzës, por njerëzit në trap ishin surrealistë – Salvador Dalí, Luis Buñuel, René Magritte – dhe po luftonin në përpjekjen për t’ia nxjerr sytë njëri-tjetrit.
8. Menjëherë pas sulmit, kishte frikë nga kanceri i prostatës
Gjatë një takimi ambulator, një mjek sugjeroi ekzaminim të prostatës, meqë Rushdie nuk e kishte bërë për një kohë. Urologu zbuloi një “gungë të vogël” në prostatë dhe urdhëroi një skanim me rezonancë magnetike. “Humba për fjalë. Vërtet? Pasi mezi i mbijetova tentativës për vrasje, tash duhet të përballem me mundësinë e kancerit?” – shkruan Rushdie. Pas dy skanimeve, u vërtetua se nuk kishte kancer – gunga ishte shkaktuar nga një infeksion.
9. Sërish e vizitoi Institucionin Shatokua
Pak më shumë se një vit pas sulmit, Rushdie e rishikoi skenën e Institutit Shatokua, bashkë me Eliza Griffithsin. “Teksa rrinim aty, në qetësi, kuptova se disi një barrë u hoq nga unë dhe fjala më e mirë që mund të gjeja për atë që ndjeja ishte lehtësia”, shkruan Rushdie.
E vizitoi gjithashtu burgun ku Matari mbahet në paraburgim. Duke qëndruar përballë burgut, duke e përshkruar Matarin me uniformën e burgut, u ndje “çuditërisht i lumtur” dhe “çuditërisht” donte të kërcente. Gjithashtu, e ndiente një dëshirë për ta takuar Matarin, plan të cilin Eliza “fuqimisht e kundërshtoi”.
10. Nuk beson në mrekulli, por mbijetesën e sheh si mrekulli
Menjëherë pas sulmit, Eliza Griffiths i tha se shumë njerëz thoshin se “një forcë më e madhe” e mbrojti. “Realiteti i librave të mi – oh, quajeni realizëm magjik nëse doni – tani është realiteti aktual në të cilin jetoj”, reflektoi Rushdie. “Ndoshta librat e mi, për dekada të tëra e kishin ndërtuar atë urë, dhe mrekullia tani mund ta kalonte atë. Magjia u bë realizëm. Ndoshta librat e mi e kanë shpëtuar jetën time”. Por, shpejt shton: “Tingëlloja delirant edhe për veten time”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje